Nga Dritan Shano
Dua ta filloj këtë vit të ri 2016 me një observim. Fraza e Edit “S’keni parë gjë akoma” është ndonjë profeci apo asgjë më shumë se një mburrje, apo gërdufje e tipit “ta shohësh kur të kalosh te lagjia ime, po s’ta hapa kokën me gurë”?!
Është fakt se qysh kur ai tha këtë frazë, shumë gjëra kanë ndodhur. Vizatimi me premtimet makroekonomike, institucionale dhe personale ka marrë tashmë një formë. Surrealiste, veçse! Shqiptarët largohen me qindra-mijera nga Shqipëria. Akoma dhe më shumë duan të ikin në USA. Eksportet dhe importet kanë rënë. Taksat janë rritur. Çmimi i karburantit dhe energjisë elektrike po ashtu. Ekonomisë i vjen goja erë të keqe, sikur nuk i ka larë dhëmbët se e ka kaluar natën në qelitë e paraburgimit. Borxhi publik që ishte 63 përqind kur morri çelësat e qeverisë, tani bën varavingo mes 72 dhe 74 përqind të GDP.
Zyrtarisht e çertifikuar, parlamenti, institucionët janë mbushur me të inkriminuar. Dhe së fundmi edhe konsulenca quhet investim publik. Ai hap ekspozita me artin e vet, në çdo cep të rruzullit. Sheh ndeshje baskebolli në rresht të parë në Miami, USA. Të gjitha këto mund të jenë copëza të realizimit të ndonjë profecie që Edi nuk e ka thënë ende me zë të lartë, por “s’keni parë gjë akoma”, në gjendjen aktuale nuk mund të jetë profeci. Sepse profecitë tregojnë se çfarë do ndodhë, ndërsa Edi vetem sa e ka hapur frazën, por nuk e ka mbyllur atë. Që të na mbajë në “suspanse”. Deri në fund. Por edhe sepse nuk do te riskjojë. Se ai që bën profeci mund edhe të përgënjeshtrohet. Thënia e profecisë t’i lidh duart. Edi i do ato të lira.
Megjithatë, e majta e ka Nostredamin e vet. Ai është Edi! Edi tjetër. Ai që e tha profecinë me zë dhe me figurë. Që ia lidhi duart vetes. Në 29 shtator 2012, në emisionin Top Story në Top Chanel. Kur nuk kishte ardhur akoma në pushtet. A ishte plan i liderit apo parashikim i veti? Hë për hë po themi parashkim. Profecia. “Dhe mbi të gjitha, një premtim që mund ta bëjmë që tani, nuk do të vjedhim në mënyrë kaq flagrante sa kanë bërë këta”.
Po si? Po ja, tenderat e ndryshëm që i fitojnë mërzitshëm vetëm pak kompani, apo 4-5 njerëz të afërt me njëri-tjetrin. Konçesionet e pafundme që po monopolizojnë të gjitha tregjet, aq sa duket si proces nacionalizimi i ekonomisë. Të gjitha këto tregojnë për një lumë parash që del nga miliona xhepa dhe përfundon në pak duar. Njësoj si qindra milionë euro që mungojnë nga doganat dhe tatimet. Vetëm në 2015 kjo shifër vërtitet në mbi 1 miliard Euro. Është fakt që nuk është mbajtur asnjë premtim elektoral nga qeveria aktuale. Përkundrazi! Por, duhet thënë, se 1 vit para se të mbarojnë mandatin, ata mund të mburren se e kanë përmbushur profecinë e Nostredamit të vet.