Home KRYESORE SHQIPERIA DHE KONCENSIONET MESJETARE…

SHQIPERIA DHE KONCENSIONET MESJETARE…

Nga Mateo Spaho

Na ishin një here në Europën mesjetare, 800/900 vite më parë, shtete dhe mbreter të cilët ende nuk njihnin administratën shtetërore, pasi ajo ende nuk ishte krijuar. Por si mbijetonin ata? Cili ishte burimi i të ardhurave të tyre? Natyrisht edhe shtetet e tyre mbaheshin nga taksat. Meqënëse nuk kishte administratë shtetërore, drejtësia ose padrejtësia, konfliktet, pushteti dhe vjelja e taksave kryhej nga fisnikët si Kontët dhe Markezët. Në fakt pakti për taksat midis mbretit dhe fisnikut ishte mjaft i thjeshtë. Sot do ta quanim koncension për taksat! Mbreti vendoste që cdo vit duhet të merrte 1000 monedha ari për shëmbull, ndersa i linte të drejtën fisnikut të vilte sa të donte, pse jo edhe 2000 ose 3000 monedha…dhe natyrisht pjesën shtesë ai kishte të drejte ta mbante vetë. Për popullin e thjeshte këto praktika mesjetare kanë qenë tejmase të dëmshme për mos të thënë torturuese.

Rreth 350 vite më parë, në Francën e Luigjit të XIV për të hequr barrën e padrejtësive dhe abuzimeve marramendëse si dhe për të shëndoshur arkat e shtetit, fisnikët (të cilët kishin me koncension taksat) u mënjanuan dhe në vend të tyre u krijuan Prefektët dhe figurat e para të nëpunësve civil. Nga keto ndryshime buxheti i Francës kaloi nga 3 milion në 35 milion franga ari në pak vite.

Edhe perandoria Osmane ka përdorur këto forma primitive te mbledhjes së taksave deri në shekullin e XIX kur aprovoi reformën e Tanzimatit, e cila aspironte të ndërtonte një administratë shtetërore moderne brenda perandorisë.

Cfarë është një “koncension” në të vërtetë?

Në rastin kur qeveria nuk disponon të ardhura të mjaftueshme për të ndërtuar një vepër me rëndësi publike (shëmbull hidrocentral), lejon që një subljekt privat ta ndërtoj atë dhe ta përdori për një afat të caktuar kohor (25 vite) dhe ne fund vepra i ngelet në pronësi shtetit Shqiptar. Veç hidrocentraleve, shumë vepra të tjera si shkolla, autostrada, porte dhe aeroporte mund të ndertohen dhe jepen me koncension.

Po taksa? Ne këtë rast cfarë ndërton koncesionari? Asgjë, thjesht perfiton nga një detyre që duhej të kryente shteti. Ministria e Financave deklaron se firma që do të marri me koncension mbledhjen e TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) do të ndertoje një sistem informatik me vlerë 8 milion dollarë. Në fakt këtë sistem mund ta ndërtonte vetë Ministria e Financave, për mos të thënë që në këto dy vite e gjysëm mandat duhej ta kishte ndërtuar, ose thënë ndryshe nuk duhej ta kishte shkatërruar.

Sido që të jetë Qeveria Shqiptare e rilindur ka pranuar se nuk mund të luftojë dot korrupsionin me tatimorët, doganieret dhe administratën publike që vetë ka promovuar dhe futur në punë. Po tani? Mesa duket nuk ngelet alternativë tjetër vecse të jepet me koncension edhe mbledhja e ts ardhurave pasi Qeveria ka pranuar se nuk është e aftë ta bëj vetë këtë gjë. Por cila taksë mund të jepet me koncension? Natyrisht ato taksa që fshehin një informalitet të lartë dhe abuzime të theksuara.

Që kur ka vendosur Taksën Progresive në Taksën e të Ardhurave Personate (TAP) Qeveria ka mbledhur 8% më pak në raport me planin për vitin 2015 ose 20 milion dollarë më pak. Pushteti vendor ka mbledhur 5% më pak se plani ndërsa Doganat e “mbikqyrura” nga Crown Agents kishin mbledhur 11% më pak se plani për vitin që sapo kaloi.

Në keto taksa spikat Tatimi mbi Vleren e Shtuar (TVSH) pasi ndër vite ka qenë taksa më e qëndrueshme dhe më rezultative për financat shqiptare, e vetmja taksë që shteti ka mbledhur në menyren e duhur në një masë mesatare prej 98%. Pikerisht për këtë arsye mund të themi se nëse ka ndonje taksë që mund të jepet me koncension, që të ardhurat e shtetit të rriten ajo vetem TVSH-ja nuk është, sepse është taksa relativisht me e mirë menaxhuar ndër vite. Në vend që të jepeshin me koncension TAP ose taksat vendore që kompania private të rriste të ardhurat për shtetin dhe vehten, jepet taksa që ka pak mundesi të mblidhet më mire dhe shumë mundesi të menaxhohet më keq. Në vitin 2015 Borxhi Publik Shqiptar arriti normen 74% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe një rritje e korrupsionit në formë koncensioni do të hidhte Buxhetin e Shtetit dhe me të Shqipërinë drejt e në greminen e falimentimit financiar. Nuk ka si të jetë ndryshe kur për sfidat moderne të kohes gjehen zgjidhje të vjetra të mesjetes të 800/900 viteve më pare.

Në dy vitet e fundit shqiptarët kanë ndjere në mënyre të vazhdueshme zvogelimin e fuqisë blerëse të rrogave të tyre, nga rritja e taksave mbi te ardhurat, mbi fitimet, mbi konsumin, nga rritja e cmimit të energjise elektrike e të akcizave pa harruar mungesën e alternativave për t’u punësuar etj etj… Tani shfaqet rreziku konkret që një tjeter aferë në formë koncensioni të godasi ekonominë e dobët të shqiptarve tashmë të shtrydhur nga varfëria.

Një Qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike nga shqiptarët duhet të marrë përsipër përgjegjësitë dhe t’u pergjigjet zgjedhësve për bëmat e veta, pa fajësuar për falimentimet e reformave njërën apo tjetrën kompani koncensionare.

Qeverisja nuk jepet me koncension!

Prof. Asoc. Mateo Spaho

Share: