Nga Dr. Enriko Ceko
Të përmbytesh është një nga gjërat më të këqija që mund të ndodhë dhe fatkeqsisht përmbytjet janë bërë të shpeshta vitet e fundit në Shqipëri. Nëse përmbytja ndodh një herë, atëhere qeniet humane inteligjiente marrin masa që kjo dukuri të mos ndodhë më apo nëse ndodh dëmet e saj të jenë sa më të pakëta, por kur përmbytja ndodh pothuajse çdo vit dhe masat e marra nuk japin efektin e dëshëruar, atëhere gjendja e krijuar kërkon më shumë përpjekje dhe më shumë pjekje të mendimeve për shmangien e këtyre situatave. Kjo gjë tregon mangësi në mënyrën e të menduarit të shoqërisë në atë vend.
Mënyra e vetme për shmangien e dëmeve të përmbytjeve është kryerja e punimeve civile për ujitje, kullim e mbrojtje nga lumi, paralelisht me ruajtjen dhe shtimin e ritmeve të pyllëzimit dhe mos lejimin e shkeljes së ligjit në lidhje me dëmtimin e tokës bujqësore dhe mos lejimin e shkeljes së ligjit për ndërtimet.
Këto punime civile kanë të bëjnë me ndërtimin e pritave malore, ujëmbledhësve dhe ujëlëshuesve, nënkalimeve e mbi kalimeve, digave dhe rezervuareve, kanaleve ujitëse dhe kulluese, pyllëzimin e kodrave dhe maleve, etj dhe rehabilitimin e këtyre veprave ujore të dëmtuara gjatë viteve.
Gjithashtu, kjo kërkon edhe një monitorim sa më të mirë dhe të kujdesshëm të gjendjes si në aspektin e hidrometerologjisë ashtu dhe në aspektin e funksionimit të veprave ujore dhe kulluese dhe, punimet civile kryesisht kanë të bëjnë me investime që kryhen me financime nga ana e buxhetit të shtetit dhe kjo, sepse individët dhe subjektet private në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nuk janë të interesuar për këto lloj punimesh ose nuk i kanë mundësitë financiare dhe organizative për të tilla investime.
Vendi ynë ka një territor të vogël por shumë të ndryshëm nga fushor në kodrinor e malor nga zona në zonë dhe me lumenj e përrenj të vegjël, por që me rënien e shirave nga vija uji kthehen në prurje shumë të rrezikshme për një kohë mjaft të shkurtër dhe kjo bën që punimet civile, kryesisht ato për mbrojtjen e tokës, mbrojtjen e tokës bujqësore, mbrojtjet nga lumenjtë, e të tilla si këto, të jenë të domosdoshme, duke përfshirë këtu punime civile që duhet të kryhen për herë të parë dhe rehabilitime të punimeve civile të mëparshme.
Punimet civile të kësaj natyre përfshijnë ndërtimin e pritave malore, që atje ku fillojnë rrëketë e para të përrenjve të rrëmbyeshëm, ndërtimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese, ndërtimin e ujëmbledhësve, rezervuarëve, digave dhe dambave si dhe të ujëlëshuesve dhe shkarkuesve të tyre dhe vepra të tjera arti për këtë qëllim.
Gjithashtu, edhe mirëmbajtja e këtyre veprave ujtëse dhe kulluese është një çështje më vehte. Praktika e viteve të fundit ka treguar se në kanalet ujtëse dhe kulluese ndërhyhet me mjete të rënda që dëmtojnë betonin e kanaleve ujitëse dhe strukturën e kanaleve kulluese dhe se bëhen fare pak mirëmbajtje të pritave malore ekzistuese si dhe ka shumë pak fonde për rehabilitimin e digave, dambave, etj.
Në Shqipëri në rreth 20 vitet e fundit investimet për punime civile dhe kryesisht për rehabilitimin e veprave ujore ekzistuese dhe për ndërtimin e atyre të rejave (ka mbi 30 vite që nuk është bërë ndonjë investim për të reja) kanë munguar.
Shqipërisë, vetëm për rehabilitimin e veprave ujore dhe kulluese ekzistuese dhe për mbrojtje të tokës nga gërryerjet e mbrojtje nga lumenjtë, i duhen rreth 15 milionë dollarë në vit, pa llogaritur investimet për vepra të reja ujitëse dhe kulluese dhe për mbrojtje nga përmbytjet, duke patur parasysh që bëhet fjalë për rreth 40 miliardë m3 ujë që gjendet pothuajse në çdo moment në shtatë basenet e mëdha ujore të Shqipërisë (Drin-Bunë, Ishëm, Erzen, Mat, Shkumbin, Osum, Vjosë), një pasuri kolosale kjo si dhe kemi rreth 620 ”“ 630 rezervuare të mëdhenje të vegjël, ndërtuar midis periudhës 1950 ”“ 1980, ose më saktë një prurje ujore rreth 14.000 m³/sek.
Vitet e fundit, toka në përgjithësi dhe ajo bujqësore në vecanti është dëmtuar shumë nga ndërhyrjet e shumta për të ndërtuar vend e pa vend, edhe pse ligji shqiptar, në lidhje me dëmtimin e tokës bujqësore, parashikon dënime që vitet e fundit janë ashpërsuar (ende mbetet mjaft i butë krahasuar me legjislacionin evropianoperëndimor për këtë çështje).
Toka dhe burimet e tjera lidhur me të nuk janë prona jonë. Ato ja kemi marrë në përdorim si hua brezave që vijnë, që do na gjykojnë për sjelljen tonë kaq jo normale ndaj këtyre burimeve dhe këtyre faktorëve të rëndësishëm prodhimi.
Në lidhje me sa më lart rendis dy fakte shumë të rëndësishme: (1) Shqipëria është e fundit në Evropë për sasinë e tokës bujqësore për frymë dhe (2) ne pretendojmë se bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare, kur toka bujqësore po dëmtohet nga dita në ditë.
Dëmi që i është bërë tokës bujqësore këto pothuajse 20 vitet e fundit është shumë i madh dhe tashmë duhet menduar mirë që të merren masa sado të rrepta qofshin, për të larguar ata që kanë bërë ndërtime me leje dhe / ose pa leje në vende të rrezikshme, në të cilat më parë ishte e ndaluar të bëheshin ndërtime, të tilla si sipërfaqet pranë digave dhe rezervuarave, tokat bujqësore që kanë patur përvoja përmbytjesh të mëparshme, ish këneta e moçale, toka nën nivelin e ujrave të shtratit të vjetër të lumenjve, e të tilla si këto, të përcaktuara fare mirë nga specialistët e kësaj fushe që para shumë vitesh.
Një rëndësi të veçantë i duhet kushtuar pyjeve dhe pyllëzimit. Një pemë e madhe në pyll në kohë shirash mund të arrijë të thithë dhe të mbajë deri në 300 m3 ujë nëpërmjet sistemit të saj rrënjor dhe t’a lëshojë këtë ujë ngadalë pë rtë shkuar në përrua a lumë pa sjellë përmbytje, gërryerje të tokës dhe dëme të kësaj natyre. Deri në vitin 1960 Shqipëria kishte rreth 70% të sipërfaqes së saj të mbuluar me pyje, ndëra sot bëhet fjalë vetëm për rreth 20.000 ha, ose pak a shumë 10% e fondit pyjor të mëparshëm. Ripyllëzimi mund të bëhet për një periudhë kohore rreth 10 ”“ 15 vitesh dhe kjo kërkon investime të mëdha, kur një fidan druri pyjor kushton minimalisht 200 lekë dhe maksimalisht 1500 lekë, por padyshim që është një investim i paevitueshëm
Në Shqipëri nuk ka një institucion ku të jenë të grumbulluara në një vend të vetëm, në një zyrë qendrore shteti, të tëra projektet, skemat, skicat e veprave ujore të vjetra dhe të atyre që bëhen nga fillimi.
Ngritja dhe funksionimi me kapacitet të plotë i një institucioni të tillë do të lehtësonte shumë punën e qeverisë për të marrë masa dhe për të bërë verifikime në terren të gjendjes, duke bërë të mundur edhe parashikimin për investime në të ardhmen sipas një plani afatgjatë.
Këto projekte të vjetra dhe të reja shërbejnë për kryerjen e punimeve civile, për të realizuar mbrojtjen nga lumenjtë, për të shmangur gërryerjen e tokës (kryesisht të tokës bujqësore), për të mirëmbajtur argjinaturat, digat, dambat, rezervuaret, pritat, brigjet e lumenjve, mbi dhe nënkalimet, urat e tombinot, e të tjera vepra arti në zona rurale, pranë rrugëve nacionale dhe në vende të tjera me rëndësi jetike për banorët përreth.
Në fakt asnjëherë gjatë këtyre 20 viteve nuk është alokuar një shumë e përshtatshme për kryerjen e punimeve të tilla civile dhe nga ana tjetër mungojnë institucionet përkatëse për kryerjen e studimeve të kësaj natyre dhe për lëvrimin e financimeve në mënyrë sa më të përshtatshme, ndërsa puna që kryejnë bordet e ujrave dhe të kullimit dhe pushteti lokal duket se nuk mjafton.
Përvoja e viteve të fundit ka treguar se shumat e vogla të caktuara për këtë zë në buxhetin e shtetit ose nuk arrihet që të shpenzohen për shkak të burokracisë, ose keqmamaxhohen për shkak të cilësisë së dobët të punimeve dhe korrupsionit, siç ndodhi në fakt edhe në vitin 2014, kur vetëm një pjesë shumë e vogël e financimeve të kësaj natyre me prokurime publike u arrit që të lëvroheshin në kohë.
Nëse kanalet kulluese dhe veprat e tjera hidrike si hidrovorë, ujëmbledhës e ujëlëshues, etj do funksiononin, atëhere përmbytje mund të mos kishte ose mund të kishte fare pak.
Në fakt duket mjaft qartë se Shqipëria ka mangësi serioze në infrastrukturën urbane dhe rurale. Dita e sotme e vërteton më së miri këtë.
Në Shqipëri është e nevojshme në mënyre imediate që të ndryshohet rrënjësisht mënyra e manaxhimit të kryerjes së punimeve civile (që nga kërkesa / aplikimi për to e deri te prokurimi, mbikqyrja e marrja në dorëzim e objekteve) dhe mënyra e manaxhimit të këtyre punimeve civile dhe të veprave të artit (mirëmbajtja e tyre).
Por, unë mendoj se fajin nuk na e ka përmbytja, por mendësia jonë e bërjes së punëve dhe e konceptimit të gabuar të rolit të qeverisë, shtetit, pushtetit dhe të invididit në kushtet e ekonomisë së tregut, dhe, nëse vazhdohet po me këto mendësi dhe me këtë keqmanaxhim të veprave ujore dhe kulluese në Shqipëri, përsëri do kemi të njëjtën situate dhe edhe pse jemi një ndër vendet më të pasura në botë për burime ujore, përsëri vuajmë për ujë dhe përsëri e shpërdorojmë këtë dhuratë të Perëndisë.
Përderisa kjo gjendje përsëritet për vite me radhë atëhere duhet theksuar se injoranca është shumë më e rrezikshme se bomba bërthamore.