Home KRYESORE “Vetmia”

“Vetmia”

Nga Ilir Kadia, nga libri “Floke te lagur” mars 2005

Ajo kish qenë një nga vajzat më të bukura të Tiranës të fundviteve 70′. Në lokalin me drita të mekura në Luçernë, ku na priti, kishte a s’kishte dy tavolina me klientë. E dallova në qoshe tek u çua në këmbë posa unë dhe ime shoqe bëmë në derë.

-Ke ngelur yll, – i thashë unë ndërsa ajo puthej me time shoqe.
-Ç’kemi asaj Tirane, pyeti ajo kur sapo ishim rehatuar në karriget tona.
– Kësaj Zvicre ç’kemi? ”“ e pyetëm gati me një gojë unë dhe gruaja.

Tek na shtinte verë filloi të na tregonte rrjedhën e jetës së saj, tani gati pesëmbëdhjetë vjet pas largimit nga Shqipëria. I shoqi zviceran, me të cilin u martua, pasi e çoi në vilën e madhe të prindërve në një zonë krejt pemë afër Luçernës, ishte vërtet një zotni burrë që e desh në mënyrën e vendit të tij, vertet shumë. Eda, e bija, studjonte në Amerikë për jurisprudencë, ndërsa Sokoli, i biri, ishte martuar me një neozelandeze dhe jetonte me të në Londër.

-Bravo të qoftë ty, – i tha ime shoqe pa fshehur zilinë. – Edhe burrin e Tiranës e ke mirë. Makinën po me siguri do ta kesh fringo. Pishinë ke, vjehrrë s’ke…Çfarë do më shumë një femër nga jeta!- shpërtheu duke m’u drejtuar më shumë mua se asaj.
– I kam të gjitha ato që thua ti i kam, bile edhe para në bankë kam shumë, – tha ajo duke shtënë verë në gotat tona.
– E megjithatë diçka duket se të mungon, – i thashë unë,kot sa për ti dhënë një pushim të shkurtër fjalës së saj. Në përgjigje unë prisja me humor të më thoshte se i mungonin pluhuri dhe zhurma e Tiranës, era e keqe në autobuza e burrave që shtyheshin për ta mbrojtur gjoja nga prekjet e të tjerëve dhe i fusnin duart posa autobuzi frenonte sadopak, kur ajo ia plasi të qarit me të madhe. Unë dhe gruaja pamë njeri- tjetrin.
– Më mungon Balja, ja ç’më mungon, – tha ajo ndërsa fshinte sytë me një kartëpicetë.
– Balja, ajo jevga llafazane që ke pasur në kat të parë tek pallati i mamit, mi? ”“ e pyeti ime shoqe duke i vënë dorën në sup.
– Po, po ajo Bale, – pohoi disa herë ajo duke vazhduar të qante. Ne heshtëm. Pasi kaloi ky çast, tërhoqi hundët fort dhe filloi të tregonte vetë…

Tre vjetët e parë, kur erdha këtu nuk e mora vesh si më ikën. Shmidi u dha i tëri të më bënte me një fëmijë tjetër veç atyre që lashë në Tiranë me Bujarin. Në fillim kur nuk më ndërpriteshin periodat talleshim me njëri- tjetrin. S’jeni gjë ju fermerët zviceranë, keni farë të ftohtë e ngacmoja Shmidin dhe ai e pranonte shakanë duke m’u përgjigjur se toka shqiptare është e tillë. Befas pas 3 vjetësh atij iu shua dëshira për të patur një fëmijë me mua. Blemë një tjetër vilë të madhe me një kopsht të bukur, ku unë kënaqesha tek punoja mëngjeseve. Mirëpo Shmidi filloi të vinte gjithmonë e më rrallë në shtëpi. Thoshte se kish shumë punë jashtë Zvicrës. Shtëpia po më dukej dita- ditës më e madhe. I mësova përmëndësh oraret e programeve të televizioneve lokale dhe ngjitesha pas kanapesë, edhe për të mësuar gjuhën, me orë të tëra. Shkoja me makinë nëpër dyqanet rrotull dhe humbisja edhe atje kohë sa të mundesha, por prapë kohë më mbetej me bollëk. Fillova të lexoj edhe njëherë Kadarenë me librat e rinj që m’i sillnin nga Tirana, por më dukej sikur i kisha lexuar njëherë romanet e tij. Ndjeja një si boshllëk në fillim të stomakut , një si qen të zi që prej andej nxirrte gjuhën dhe më rrëmbente gëzimin para se ai të vinte tek unë. Vonë shumë vonë në një ndër ato ardhjet e rralla në shtëpi, Shmidi më pyeti nëse isha e lumtur me jetën zvicerane. Unë nuk i dhashë përgjigje. Desha që ai të ngulmonte për të marrë një përgjigje, por ai nuk e përsëriti pyetjen.

-Po Balja, Balja ç’hyn në këtë histori? – e pyeta unë paduruar.
Por ajo, në vend të përgjigjes hodhi një tjetër gllënjkë verë në buzët e hapura si lefyti i një lule zambaku të kuq. Pastaj vazhdoi ku kishte lënë.
-Ai qeni i zi, këtu në fillim të stomakut, nuk më linte asnjë çast rehat. Sapo unë filloja të kujtoja çastet e lumtura të jetës time, kohën kur Keli, i forti 17 vjeçar i lagjes më puthi për herë të parë te shkalla e shtëpisë time , apo kur prezantova festivalin në RTV, apo kur Eda më dha atë shqelmin e parë të vogëlth në bark…,pikërisht sapo fillonin kujtimet e këtyre çasteve, qeni i zi nga brenda ja niste të kuiste. Kuitjen e tij e dëgjoja vetëm unë vërtetë, por ajo s’më linte të dëgjoja asnjë zë tjetër jashtë apo brenda meje.
– Balja, Balja….? ”“ e pyeti ime shoqe këtë herë, ajo e paduruar.
– Kështu derisa një ditë takova Bobin, mikun e Shmidit, i cili më tha se kish marrë një shërbëtore shqiptare në shtëpinë e tij që s’ia thoshte fare dhe që po ia nxinte jetën me gabimet që bënte gjatë pastrimit. “Shihe se mos të duhet ty që mos ta lë pa punë fare, më tha ai duke ngritur supet, sikur të më thosh se s’kishte ç’të bënte më shumë për t딝. Unë pranova ta shoh njëherë. Ishte Balja. Ajo kur më pa lëshoi një thirrje të fortë gëzimi që tundi perdet e dhomës. Edhe unë u gëzova që ishte Balja, komshija e vjetër, në një moshë me mua që do ti bëja nder me 500 dollarët në muaj që do t”i jepja. Kujtoja familjen e hareshme të Balës, atje te Varri i Bamit në Tiranë. Kur i ati merrte rrogën e pesëmbëdhjetë ditëshit, nuk kish zot nëne që mund të flinte derisa të mbaronte ahengu në shtëpinë e Bales me pesë vajza e katër djem. Le të mos ia thoshte fare nga puna, mjaftonte që ato të holla Bajla do t’i çonte në Tiranë e do të mund ta ndiznin edhe njëherë Varrin e Bamit. Për herë të parë qeni i zi i strukur aty në fillim të stomakut tim nuk kuiti. Ai nuk kuiti pastaj gjatë gjithë kohës që Bajla dhe unë vinim rrotull nëpër shtëpi duke bërë punë dhe duke kujtuar me radhë gjithë komshinjtë tanë. Unë e merrja shpesh në telefon Kelin të fortin e atëhershëm të lagjes, i cili e kish marrë Balen nga Tirana në Luçernë dhe vetmiaishte martuar me të, duke i kërkuar ndjesë se Balja do të vonohej. Balja ishte si gjendje civile. I dinte të gjitha ç’kishin ndodhur në lagje gjatë gjithë këtyre vjetëve që unë isha larguar prej andej. I tregonte me aq hollësi ngjarjet e jetës së të njohurve të përbashkët sa të habiste. Punoi tek unë dy vjet. Një ditë pa më lajmëruar nuk më erdhi në shtëpi. Gjatë gjithë asaj dite unë i rashë telefonit të shtëpisë së saj në Luçernë, por as ajo as Keli nuk e ngritën.Vonë, fare vonë, afër mesnatës kur i kisha humbur shpresat për ndonjë përgjigje Keli m’u përgjigj. E nisa sot në mëngjes për Tiranë, më tha. Kish kohë që më thosh se ndjente një qen të zi, që mbi stomak i kuiste , i kuiste…

Ajo nuk foli më. Me të dyja duart shtypte forcë këtë gropën e vogël, ja tek fillimi i stomakut dhe…Dhe mua m’u bë sikur e dëgjoja kuitjen e vetmisë së saj.

Share: