Home KRYESORE Z. KRYEMINISTER, JU LUTEM JEPINI SHPRESE NIPIT TIM DHE JO VETEM ATIJ

Z. KRYEMINISTER, JU LUTEM JEPINI SHPRESE NIPIT TIM DHE JO VETEM ATIJ

Nga Brunilda Licaj

Në trafikun e rënduar të këtij fundviti, u nisa nga Durrësi drejt Tiranës për të marrë pjesë në dëgjesën publike për Planin e Zhvillimit Kombëtar.

Ndërsa prezantoheshin me radhë korridoret e shumta të cilat do të përshkruajnë vendin tim, nga veriu në jug, nga mendja nuk më shqitej imazhi i asaj pjezës rruge, të cilën sapo e kisha përshkruar atë mëngjes, duke u kthyer nga familjarët e mi në Kremenar, Mallakastër.

Vetëm 2.5 km është largësia nga Fratari në Kremenar, zoti Kryeministër.

Mbase shumica prej lexuesve nuk kanë njohuri se ku ndodhet ky fshat vetëm me 80 familje dhe 320 votues, por besoj se gjithë zona e jugut e ka parasysh ku fillon ajo kodër me guroren më të madhe në autostradën Levan-Tepelenë.

E përmenda guroren e Kremenarit, se për ironi të fatit një pjesë e rëndësishme e autostradës u ndërtua me gurët e saj, ndërsa banorët e Kremenarit, vazhdojnë të vuajnë mungesën e rrugës, prej vitesh tashmë.

Kam udhëtuar në veri e jug, kam vizituar Zadrimën e bukur me njerëz punëtor, Dardhën, Rehovën, Lunxhërinë e fshatra pa fund, ku asfalti shkonte pothuaj në çdo shtëpi dhe jam ndier keq për ato 2.5 km rrugë që nuk janë shtruar asnjëherë në venlindjen e tim eti dhe përbëjnë rrezik për kalimtarët.

Vetëm disa vite më parë një familje pati fund tragjik në greminën pranë, ndërsa përditë nxënësit e arsiminit nëntëvjeçar dhe gjimnazit duhet ta përshkruajnë atë rrugë në këmbë, pavarësisht kushteve atmosferike.

Gjatë fjalës suaj zoti kryeministër, ju përmendët traditën e të parëve që asnjëherë shtëpitë nuk i ndërtonin buzë lumenjve.

Fshati i tim eti, ndodhet në kodër dhe gjatë viteve, shumë pak prej familjeve janë shpërngulur në zona të tjera. Shumica e të rinjve janë në emigracion, por disa prej tyre kanë ndërtuar shtëpi të kohës, të vendosura në kodër sipër luginës së Vjosës, përballë Bylysit dhe Hekalit dhe mbi burimet e Pocemit.

Një bukuri ai vend, pse jo për agriturizmat e së ardhmes, të përfshirë në planin e zonës së Fierit (vizioni 2030).

Të dielën në mbremje, ndërsa një prej stacioneve televizive trasmetonte kronikën e radhës nga Dardha, nipi im ( jeton në Durrës, por nuk humbet rastin për t’u rikthyer tek gjyshrit), me sytë që i shndërrisnin më thotë: Halla u kënaqa në Dardhë e Voskopojë me dëborën vjet, por pse vetëm atje rrugët ishin të shtruara ? Pse fshati nuk e ka rrugën njësoj ?

Nuk dija si t’i përgjigjesha. Nuk mendoj se është çështje fizibiliteti si puna e aeroporteve që kishte kërkuar secili kryetar bashkie gjatë takimeve për planin kombëtar, por thjesht planifikim dhe implementim buxheti.

Vitin e kaluar, në kuadër të një Projekti Tempus, së bashku me një grup pedagogësh e studentësh arkeolog e student të turizmit, shqiptar, italian, polak, spanjollë, vizituam Bylysin. Të mrekulluar, asnjë prej pjesëmarrësve, nuk dëshironte të largohej.

Një nga vendet ku verimi do ishte i mrekullueshëm dhe ku koncepti” Albego diffuso_ hotel horizontal” mund të kishte ndikim në ekonominë e zonës, por që për ironi të fatit, rruga kombëtare Fratar- Bylys përsëri nuk e lejon, për rrezikshmërinë e saj.

Zoti Kryeministër,

Ju lutem, jepuni shprese banorëve të ketij fshati dhe Mallakastrës në këtë fillim viti… Ju lutem, jepini shpresë nipit tim 7 vjecar, që e jeton akoma si aventurë kohën që kalon në fshat fundjavave.

FB_IMG_1451681834014Në vizionin tuaj, në vizionin tim, ai dhe të tjerë pas 15 vitesh, mund të jenë ata që do drejtojnë fermat e agroturizmit në atë zonë. Prindrit e tyre, sot po mundohen për të mos lënë tokat djerr dhe pse me mundime. Atyre ju takon ta çojnë më tej punën e nisur!

Une besoj zoti kryeminister ne nderhyrjen tuaj te domosdoshme.

Share: