Home KRYESORE Cili institucion duhet të analizojë sjelljen e qeverisë shqiptare?

Cili institucion duhet të analizojë sjelljen e qeverisë shqiptare?

Nga Romeo Gurakuqi

Shqipnia jonë, dikur e bukura e dheut, andrra e rilindasve, gëzimi i atyny burrave që e ndertuan në harkun kohor 1912-1939 dhe që u flijuan për Atë, nën zjarrin e pushkatarëve të pandërgjegjshëm të “komunistave ngadhnjmtarë” me 1945 dhe 1946, vendi i desidencës së shkatërrueme dhe i studentëve dhjetoristë triumfatorë që e donin Atë si gjithë Europa, riskon të bëhet sot, në syrin tonë, në syrin e vendeve demokratike perëndimore, një vend me shtet të falimentuar, që përçan shoqërinë, ngjashëm me Nigerinë. Ky do të ishte alarmi që do të jepte para pak ditës një mik i rëndësishëm i Shqipërisë dhe promovues i demokratizimit të saj.

Pushteti politik në Shqipërinë e vitit 2016 është bërë gjithnjë e më i centralizuar, në një ose dy burime autoriteti të gjithëpushtetshme, segregativ në mbështetjen dhe persekutimin që i bën pjesë të shoqërisë, përzgjedhuer në shpërndarjen e të mirave materiale dhe në punësimin e njërëzve në administratë. Ai po perpiqet te riprodhohet, shtohet, përmes nxitjes së vatrave të majtizmit servitor tradicional, të edukuar me një kulturë dhe me idetë fikse të shtypjes së pjesës tjetër të shoqërisë, pjesë që nuk është e inkuadruar, për arsye kulturore, politike dhe krahinore, në rangjet antidemokratike të Socialistëve shqiptarë. Është një socializëm i ndryshëm nga ai që ua la trashëgim lideri historik Fatos Nano, sepse ky i sotmi është jo demokratik, i ndërthurur me skutat më të errëta të shoqërisë shqiptare dhe i ushqyer nga një mekanizëm paraje që nuk dihet nga vjen dhe ku shkon.
Drejtuesit e këtij mekanizmi, dy liderët kryesorë të partive qeverisësë, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë ndërtuar me kohë dhe po përfeksionojnë në vijimësi, një skemë që po synon imponimin e modelit politik, social, kulturorë dhe biologjik, në të cilin ato janë rritur dhe formësuar.

Sistemi i krijuar nga ata, së fundmi, nuk ka mekanizma kontrolli per izolimin e çmendurisë dhe etjes së shfrenuar për pasurim të diferencuar, të egos së pandalshme për përjetësim të pushtetit dhe parasë. Kjo ambicje dhe ky mekanizëm po i orienton pushtetarët aktualë drejt krijimit të një hierarkie servitore në të gjitha nivelet e administratës, hierarki piramidale që priret drejt shtypjes së anëtarëve të shoqërisë sonë, që gjenden jashtë familjes socialiste dhe integriste.

Udheheqësit e familjes socialisto-integriste kanë krijuar mekanizmat e kontrollit përjashtues të të gjithë pjesës tjetër të shoqërisë nga pjesmarrja administrative dhe demokratike; po sendërtojnë procese të ashtuquajtura reformuese të pangjashme me vendet demokratike, që synojnë rritjen e tyre në pushtetin drejtues ekonomik dhe politik të Shqipërisë; po synojnë të kontrollojnë sistemin e drejtësisë penale, përmes impostimit të reformës në drejtësi në hullinë e pushtetit aktual duke prishur paanshmërinë; përmes krijimit brenda Prokurorisë së Republikës, të mekanizmave institucionale extra konstitucionalë, që po synojnë të diktojnë emërimet në organin e hetimit; po godasin autoritetin e Republikës, permes zagarëve të Protokollit të Shtetit, që i ndukun nga i mbushet endja për objektiva obscure.

Nga janari e mbrapa, instrumentat e qeverisë, kanë filluar edhe të kërcënojnë këdo që guxon të ngrejë zërin në mbrojtje të Publikut, që deshiron të Park të Madh dhe të Paprekshëm për çlirimin e mushkërivë të kryeqytetit; të nxisë deri edhe persekutimet sistematike ndaj familjarëve të kritikëve dhe oponentëve pa parti;

Pasi ka shkatërruar frymën e lirisë së aktivitetit sipërmarrës, mbasi ka rritur njollat e varfërisë në vend, mbasi ka flijuar anëkend vendit me forcat e errëta të krimit, pasi ka përçudnuar çdo reformë që ka nisur, pasi ka bllokuar çdo investim të huaj në Shqipëri, pasi ka shuar investimet infrastrukturore në vend, pasi ka krijuar një rrjet të tërë klientelash imtësisht të kontrolluara, pushteti tani po krijon mekanizma te reja për kontrollin e përditshmërisë së jetës shqiptare: po zapton hapësirën e mbetur të lirë të publikut, po vëzhgon me kujdes opinionin e pakët të lirë në vend, po ia turrë gjithandej biznesit gansgterizmin ordiner dhe po përpiqet të konsolidojë të ardhmen e pushtetit permes ridepertimit në të gjitha gjepat e shoqërisë, përmes të cilave, pararendësit etër, e mbajtën për 47 vite në pushtetin, duke shtypur pjesën tjetër të vendit. Thënë ndryshe, Pushteti Socialisto-Integrist, po perfeksionon teknologjinë dhe berthammen materiale të përjetësimit, përmes kamuflimit demokratik.

Jemi në limitet e perjetimit të një shoqërie politike të çmendur që ka nevojë për analizë të kujdesshme: analizë të veprimeve kolektive dhe posaçërisht të sjelljeve individuale të politikanëve kryesorë të mazhorancës.

Analiza e nje sistemi të çmendur duhet të fillojë me shqyrtimin e e gjendjes psikike të atyre që e krijuan. Këtij pushteti i duhen studiuar të gjitha anët e eksperiencave që ai po promovon: identiteti politik dhe ideologjik, përbërësit social, politik, krahinor dhe kulturorë të nuklit drejtues dhe shpërndarës të tij; shkelja integrale e ligjit dhe shpërpjestimi i implementimit të sistemit të së drejtës, që ai zbaton orë e çast në këtë vend, ngushtimi i bazës së pushtetit demokratik, që ai ka arritur me aq mundim duke prapësuar prirjen europianizuese të shoqërisë, shpërpjestimi i frikshëm i shpërndarjes së të ardhurave në shoqëri, ndërlidhja midis botës politike dhe asaj kriminale që po rendon, joefikasiteti dhe mungesa e profesionalizmit e ekipit qeverisës, gjenjda mendore e udheheqësisë që ka prodhuar irracionalitetin e tepruar, përuljen e oponencës së brendshme dhe kthimin e ministrave të ekzekutorë të thjeshtë terminalë të urdhërave të dy liderëve, arbitraritetin dhe dhunen dhe eliminimin e konkurrences se ndershme.

A jemi në një sistem të çmendur plotësisht, aspak të ngjashëm me demokracitë e prodhuara nga Europa Lindore postkomuniste?

A është e nevojshme që analiza e qeverisë shqiptare të nisë nga Ata të Dy, si produkte bio-politike të veçanta, të krijuara në një terren shqiptar mjaft kompleks?

A duhet të nisim nga këtu për të kuptuar urrejtjen e tyre të pafshehur ndaj popullit të tyre?

A duhen të nisim nga këtu për të kuptuar se si bashkëjeton dhe mbarset, inteligjenca me cinizmin, egon e sëmurë, pozivitetin i përkohshëm, kontrollin e medias dhe së fundi kërcënimin ndaj fjalës së lirë?

A përbën urrejtja konstante, cinizmi komunikativ, një patologji, një devijim, një anormalitet dhe një paqendrueshmëri, që shtrohet për t’u analizuar me përparësi nga institucionet që mbrojnë Shtetin dhe funksionimin normal të tij përmes subjekteve të arsyeshme?

Share: