Home KRYESORE A e gëzon Edi Ramën fakti që Kerry nuk takon Metën?

A e gëzon Edi Ramën fakti që Kerry nuk takon Metën?

Për herë të parë, njësia e inteligjencës tek “The Economist” e thotë troç: Integrimin e vendit e rrezikojnë edhe marrëdhëniet brenda koalicionit në pushtet.

Por ndërsa publikisht Meta e Rama nuk e kanë pranuar kurrë se kanë probleme mes tyre, duket se edhe vizita e Sekretarit të Shtetit do shërbejë për tension mes aleatëve.

Pasi mungoi në vizitën e kancelares gjermane, Angela Merkel, Ilir Meta nuk do jetë as në takim me sekretarin John Kerry.

Qeveria nga ana e saj po përpiqet që ta shesë shtrenjtë këtë vizitë në favorin e saj.

Sipas lajmeve të shpërndara në media, edhe presidenti Bujar Nishani nuk ka pjesë në këto takime, por ka ndërhyrë në protokoll duke siguruar një takim të shpejtë me sekretarin Kerry në aeroport.

Sipas Top Channel, vetëm ai shtrëngim duarsh do të cilësohet si takim i Nishanit me zyrtarin e lartë amerikan.

Por ndërsa qeveria po nxiton ta cilësojë si një vizitë të ngjashme me atë të presidentit George Bush në vitin 2007, Ilir Meta thotë se kjo nuk është një vizitë e jashtëzakonshme.

“Do të thosha se është vizitë shumë pozitive që ishte parashikuar të ndodhte edhe më parë, është shumë pozitive që Sekretari i Shtetit do të vijë, por nuk është më e jashtëzakonshme, nuk është sikundër kur erdhi James Baker ose Madeleine Albright në 2000, ose ardhja e presidentit George Bush ku ai shpalli nga Tirana edhe pavarësinë e Kosovës e kështu me radhë,” tha Meta për Ora News./Mapo.Al

Share: