Nga Emin Azemi
MARRËVESHJA E OHRIT NUK ËSHTË MODEL:
Lehtësia për të promovuar Maqedoninë si model të një shteti multietnik burimin e ka tek pamundësia për ta dëshmuar të kundërtën e këtij argumenti, se, megjithatë, ka një model tjetër – Kosova, që me Pakon e Ahtisarit, i thyen të gjitha parametrat e mundshëm të analogjisë. Nëse Marrëveshja e Ohrit mund të konsiderohet si një dokument që arriti të neutralizoj plasaritjet e mëtejme ndëretnike, pas një konflikti dramatik në v. 2001, ky nuk është kurrfarë argumenti për të shpikur një fjalor të posaçëm politik i cili do të shpjegonte ekskluzivitetin e këtij dokumenti gjoja të pakrahasueshëm në arealin e konfigurimeve shumetnike.
Nëse i bëhet një krahasim sipërfaqësor të dy dokumenteve – Marrëveshjes së Ohrit dhe Pakos së Ahtisarit, do të mund të vërejmë një dallim kuantitativ e kualitativ të dimensioneve që rregullojnë raportin në mes të shumicës dhe pakicës, që rregullojnë çështjen e statusit të gjuhëve, statusit të bashkësive fetare, lidhjeve me shtetet amë, financimin dhe autonominë e komunave, funksionalitetin e institucioneve shtetërore në tërë territorin, karakterin unitar të shtetit etj.
AHTISARI MUND T’I PËRSHTATEJ MË TEPËR MAQEDONISË: Realiteti institucional në Kosovë, përmes Pakos së Ahtisarit, nuk e shpreh realitetin faktik në terren, sepse Kosova promovohet si shtet multietnik me një pakicë të papërfillshme serbe që në asnjë konventë ndërkombëtare nuk ka bazë argumentuese dhe analogjike. Ajo që në Pakon e Ahtisarit evidentohet si obligim për shumicën për ta lejuar përdorimin e gjuhës së pakicës, sepse gjuha serbe ka shtrirje territoriale në tërë Kosovën, ndoshta do të mund të gjente aplikim në Maqedoni, ku shqiptarët numerikisht dhe territorilialisht kanë një prezencë dhe shtrirje më të madhe se sërbet në Kosovë. Këtu, zaten bie edhe parimi i ekskluzivitetit dhe pakrahasueshmërisë së Marrëveshjes së Ohrit, si gjoja extra-model i vetëm që e ka rregulluar statusin e përdorimit të gjuhës shqipe.
Në Kosovë kishat dhe manastiret kanë status ambasade. Ekstraterritorialiteti i tyre promovon një model të paparë, që cenon jo vetëm kompaktësinë territoriale dhe karakterin unitar të Kosovës, por krijon parakushte të tmerrshme të segregimit të komuniteteve fetare, si një hap që më tepër e shkërmoq mozaikun ndëretnik se sa që e afron dhe e integron në një filozofi unike politike e institucionale.
Në Marrëveshjen e Ohrit vetëm Kisha Ortodokse Maqedonase njihet si bashkësi fetare zyrtare dhe me këtë formulim, sërish kjo marrëveshje nuk paraqet kurrfarë modeli për botën tjetër jashtë Maqedonisë.
KU NDESHEN BADENTERI DHE AHTISARI: Ushtria dhe policia e Maqedonisë kontrollon çdo cep të territorit, gjë që kjo nuk ndodhë në Kosovë. Jofunksionaliteti institucional i shtetit të Kosovës në tërë territorin nuk po ndodhë për shkak të mangësive që prodhon modeli shumetnik i Pakos së Ahtisarit. Përkundrazi, ky model në parim ka lënduar rëndë karakterin unitar të Kosovës, duke i dhënë kompetenca ekstraterrritoriale fare të pamerituara pakicës serbe, e cila në çfarëdo situate dhe konfigurimi demografik i ka të garantuara ulëset në parlament.
Në Maqedoni, funksionon një mekanizëm tjetër – Badenteri, që parandalon majorizimin e pakicës nga shumica, por në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, shqiptarët nuk e kanë keqpërdorur këtë mekanizëm dhe nuk e kanë kuptuar si dhuratë, por, përkundrazi si produkt i një lufte të gjatë për demokraci e barazi.Përkundrazi, po ndodhë që pikërisht ky mekanizëm antimjarozues, I paraparë për shqiptarët, të përdoret nga maqedonasit locale në komunat shqiptare, të cilët po bllokojnë çfarëdo nisme e ideje të këshilltarëve shqiptarë.
Jofunksionalitet në Kosovë erdhi edhe për shkak të standardeve të dyfishta që përdori bashkësia ndërkombëtare , e cila ndryshe e trajtonte Kosovën me shqiptarë, e ndryshe Kosovën ku shqiptarët nuk guxonin të shkelnin me këmbë (veriu i Mitrovicës). Kjo qasje ndërkombëtare ( sidomos disa segmente të EULEX – it dhe më herët të UNMIK-ut) bëri që roli i Serbisë në Kosovë të fuqizohet dhe të merr atributet e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare në administrimin e Kosovës (rasti I ish-strukturave paralele në veri të Mitrovicës) dhe tash së fundi edhe me paralajmërimin e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ku Beogradi sërish doli pale negocuese në Bruksel, në vend se kjo të bëhej me serbët local. Ideja për të projektuar të drejta ekskluzive në Kosovë përtej pakos së Ahtisarit, mund ta shndërrojë atë në një model tepër të dëmshëm të funksionimit të shtetit, sovraniteti I të cilit ka attribute të dyfishta, me mundësi që pakica të delegjitimoj aspiratën shekullore të shumicës për shtet me pavarësi të plotë.
SERBIA, PJESË E LOJËS: Marrëveshja e Ohrit dhe Pakoja e Ahtisarit kanë prejardhje të ndryshme sa i përket shkak-pasojave që prodhuan finalizimin e këtyre dokumenteve. Marrëveshja e Ohrit erdhi si epilog i një lufte që bënë shqiptarët për të siguruar status të barabartë në Maqedoni. Pakoja e Ahtisarit erdhi si rezultat i kompromisit që bëri bashkësia ndërkombëtare për të kompensuar “fajin” që tregoi me rastin e pavarësimit të Kosovës. Derisa në Maqedoni kompromisi (Marrëveshja e Ohrit) ishte i brendshëm, në rastin e Kosovës kompromisi (Pakoja e Ahtisarit) ishte me Serbinë për të neutralizuar ambiciet e saja kundër shtetësisë së Kosovës, por jo edhe për të garantuar mosndërhyrjen në Kosovës.
Sipas kushtetutës serbe, Kosova është ende pjesë e Serbisë dhe këtë agresion kushtetues nuk ka mundur ta parandalojë Pakoja e Ahtisarit, ashtu siç ka bërë Marrëveshja e Ohrit e cila shqiptarët i trajton (në preambulë) si pjesë e popullit shqiptar, që me automatizëm përjashton karakterin e autoktonisë së shqiptarëve në Maqedoni, e me këtë edhe çfarëdo lloj ambicie integraliste të shqiptarëve në Ballkan.
Për t’u konsideruar model një dokument a një marrëveshje, kërkohet të studiohen të gjitha rrethanat dhe kontekstet që mund ta bëjnë të veçantë atë model. Pastaj, po të ishte vërtetë model Marrëveshja e Ohrit, siç pretendojnë disa zyrtarë në Shkup, ai do të implementohej në tërësi dhe nuk do të përjetohej si “fatkeqësi elementare” për një pjesë bukur të madhe të popullatës joshqiptare. Tendencat e fundit për çmontimin e Maqedonisë së Ohrit, në fakt është shembulli më i keq i mosimplementimit të një marrëveshjeje, e kurrsesi model për të tjerët./FaktNews