Home KRYESORE Dom Gjergj Meta: Takimi Papa-Kiril do japë frytet e veta

Dom Gjergj Meta: Takimi Papa-Kiril do japë frytet e veta

CUBA POPE PATRIARCH KIRILL

Për të folur më shumë në lidhje me rëndësinë e takimit të parë pas 1.000 vjetësh mes drejtuesve të Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse i ftuar në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë i ftuar Dom Gjergj Meta, nga Kisha Katolike Shqiptare.

Top Channel: Dom Meta, ku qëndron rëndësia e këtij dokumenti? Çfarë do të thotë kjo për botën e krishterë?

Dom Gjergj Meta: I rëndësishëm është në vetëvete takimi i dy liderëve dhe pastaj fryti i tij, që është dokumenti. Papa Françesku është takuar me krerët e Kishës Ortodokse në gjithë botën, i vetmi me të cilin nuk ishte takuar ishte patriarku i Moskës. Dokumenti që doli nga ky takim është i rëndësishëm pasi është gjithëpërfshirës. Ai përfshin 3 pika: marrëdhëniet mes dy kishave, bashkëpunimin në disa fusha të shoqërisë; problemet e besimtarëve të dy kishave, si përndjekja e të krishterëve në Lindjen e Mesme, por dhe problemet e të krishterëve në Ukrainë; dhe së treti prespektiva e zhvillimit të shoqërisë, në veçanti preket çështja e terrorizmit, dialogut ndërfetar dhe ajo e ekologjisë. Dokumenti i nxit palët të bashkëpunojnë në këtë drejtim.

Top Channel: Feja dhe politika shpesh kanë shkuar bashkë. Duket sikur edhe kësaj radhe feja e krishterë po vendos ura mes Lindjes dhe Perëndimit në një moment të vështirë të raporteve mes Rusisë dhe Perëndimit…

Dom Gjergj Meta: Fjala “urë” po kthehet në fjalë kyçe në pontifikatin e Papës, që para pak ditësh tha se ‘do ndërtojmë ura e jo mure’. Gjithësesi, politika duhet të jetë laike e afetare dhe feja apolitike. Por të dyja mund të jenë partnere në zhvillimin e shoqërisë ndaj dhe kontributin e kishës, fesë në përgjithësi dhe politikës unë e shoh shumë të rëndësishëm. Por secila duke ruajtur kufijtë e vetë. Sikurse në Luftën e Ftohtë edhe këto kohë, që ka një krisje mes Perëndimit dhe Rusisë për shumë çështje, mendoj se ky takim pak më vonë do sjellë frytet e veta, atë të synimeve të përbashkëta si për luftën kundër terrorizmit, varfërisë e atyre që pikëllojnë jetën njerëzore.

Top Channel: Çfarë impakti do të ketë ky dokument në raportet mes Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse në Shqipëri, e cila në fakt nuk ka raporte direkte me Moskën por me Patriarkanën e Stambollit?

gjergj pashk metaDom Gjergj Meta: Kishat ortodokse, ajo shqiptare, apo Patriarkane dhe ajo Patriarkane e Rusisë janë simotra dhe sigurisht që impakti ndoshta nuk është direkt, por i tërthortë, sepse kudo ku ka ura bashkëpunimi ka një ndikim edhe në jetën e kishave të popujve më të vegjël si ne. Por në Shqipëri mes kishave ka bashkëpunim të mirë në shumë fusha, jo vetëm në bazë por dhe mes krerëve, sikurse mes liderëve fetarë dhe për Shqipërinë ky takim mund të ndikojë për ta zhvilluar këtë bashkëpunim.

/ Top Channel

Share: