Home KRYESORE Fantazma e terrorizmit në shekullin e 21-të

Fantazma e terrorizmit në shekullin e 21-të

Nga Azem Parllaku

I konsideruar tashmë si një makth, terrorizmi nuk bën gjë tjetër veçse mishëron gjendjen e anarkisë në shoqeritë e sotme. Kjo prognozë vjen prej faktit se shumë prej shkaqeve që, nxitin terroristët, janë armiqësitë ideologjike, politike, e kombëtare, të cilat mbeten të pazgjidhura, që nga kohët e ekstremistëve fetarë çifutë të njohur si zelotët sikari, në luftë me romakët, e pak më vonë në misionet martirizuese të vrasësve hashashinë, të cilët shënjestruan kryqtarët në Lindjen e Mesme.

Historia e përgjakshme e dhunës së terrorit, dëshmon se ekzistojnë një sërë arsyesh, se përse terrorizmi ka qenë dhe do të mbetet përherë kërcënues. Që kur është shfaqur e deri në ditët e sotme, përvoja ka treguar se terrorizmi, ka qenë tërheqës dhe vazhdueshmërisht efikas.

Kur nisi shekulli i 16-të e deri në fillim të shekullit të 19-të, disa nga shtetet europiane, që lageshin nga detrat, përdorën kusarët të njohur ndryshe si piratë, të cilët terrorizonin lundërtarët në dobi të arritjes së objektivave të politikës shtetërore e asaj ndërkombëtare.

Gjatë Revolucionit Francez 1793-1794 terrorizmi qoftë ai nga “lart”, ashtu dhe nga “poshtë” është evidentuar si diçka e zakonshme. Grupe idhtarësh të ushqyera me teori politike ekstremiste dhe me nacionalizëm militantist, përdorën mbretvrasjen dhe veprimtari të tjera terrori, për përmbushjen e disa sukseseve taktike. Një numër jo i vogël sundimtarësh europianë përfshirë dhe carin Aleksandër II u bënë pre e terroristëve. Disa studiues të cilët e analizojnë këtë tipar, mbrojnë tezën se: vrasja e arkidukës austriak në Sarajevë, ishte një akt terrorist, që pasoi Luftën e Parë Botërore.

Mbas vitit 1960, terrorizmi ka injektuar një shkallë të re dhune, qoftë përsa i përket kërcënimeve, ashtu dhe përgjigjeve ndaj tyre, ç’ka na e bën të qartë se tashmë nuk jemi nën “sqetullën” e sigurtë.

foto isisRreziqet më të mëdha që burojnë nga terrorizmi i sotëm lidhen me sigurinë, mirëqenien dhe të drejtat e njerëzve, me stabilitetin e sistemeve shtetërore, mbarëvajtjen dhe zhvillimin ekonomik, me zhvillimin e demokracisë, “ndoshta” edhe me mbijetesën e vetë qytetërimit.

Konfliktet që kanë lindur nga kundërshtitë ideologjike, fetare e kombëtare e kanë bërë terrorizmin një problem global të këtij shekulli. Grupet terroriste bashkëkohore po përdorin shumëllojshmëri metodash dhe taktikash për të arritur qëllimet e tyre.

Në vitet e fundit, grupet terroriste kanë pasur shumë sukses në tërheqjen e vëmendjes publike, në prishjen e veprimtarive të qeverive e bizneseve dhe në shkaktimin e një numri të konsiderueshëm viktimash njerëzore dhe dëmesh materiale.

Në ditët e sotme armët, lëndët shpërthyese, furnizimet, financimet dhe komunikimet e fshehta, disponohen me lehtësi prej terroristëve. Ajo ç’ka është më shqetësuese dhe e frikshme, ka të bëjë me ekzistencën e një rrjeti ndërkombëtar që mbështet grupet terroriste, duke u lehtësuar atyre ndërmarrjen e veprimtarisë së tyre.

Përparimet në shkencë dhe teknologji i mundësojnë një grupi terroristësh të dëshpëruar dhe të motivuar, që me pak burime financiare t’u hynte rreziqeve të shumta për të shtënë në dorë armë të shkatërrimit në masë (biologjike, kimike, ose bërthamore). Për shembull, megjithëse mundësia e terrorizmit bërthamor “është” shumë e vogël, pasojat e shkatërrimit në masë mund të jenë të pallogaritshme. Nëse një bombë me fuqi një kiloton, sa një e njëzeta e fuqisë së bombës që u hodh mbi Hiroshimë, vidhet, ose ndërtohet nga një grup me burime e aftësi të mjaftueshme dhe shpërthen mbi një qytet të madh, do të shkaktonte dhjetra mijë viktima, teksa dëmet materiale do të shkonin në miliarda dollarë.

Terroristët e shohin përplasjen si një luftë “ose gjithçka, ose asgjë” dhe në rast disfate ata të përgatitur t’i gjunjëzojnë viktimat e tyre me anë të kërcënimit, një përvojë e tyre kjo që, shoqërohet me vrasje, rrënime e shkatërrime, përfshirë edhe jetën e vetë atyre.

Nëse sot do të ndodhte që, një grup terroristësh shpalos aftësi të larta teknologjike dhe vullnet të hekurt për të përvetësuar armë të shkatërrimit në masë, rreziku do të jetë shumë i madh, mbasi tundimi i grupeve të tjera terroriste për të përdorur armë të tilla, ose për të kërcënuar se do t’i përdorin, mund të bëhet i papërballueshëm.

Mbi bazën e këtyre konsideratave, arsenali i terrorizmit të nesërm mund të përfshijë instrumente biologjike, kimike e bërthamore me potenciale të shkatërrimit në masë, armë të cilat janë të afta të shkaktojnë, vetëm me një goditje nga disa mijëra deri në disa miliona viktima dhe të krijojnë jo vetëm çrregullime të përmasave tejet të mëdha, por dhe një panik jashtëzakonisht të përhapur në shkallë botërore.

Fantazma e terrorizmit bërthamor, si fjala vjen, shpërthimi i një bombe atomike, përdorimi i materialeve të zbërthyeshme si helmi radioaktiv, apo pushtimi dhe sabotimi i mjediseve bërthamore, nga shumë ekspertë shihet si krejt e mundshme e nga disa të tjerë si e pashmangshme. Sot për sot, qoftë një kërcënim i besueshëm, apo qoftë një lojë për përdoriminj e një mjeti bërthamor nga një grup që mban peng për arsye politike ose ekonomike, një reaktor ose një mjedis tjetër bërthamor, ose një ngarkesë me karburant apo mbetje bërthamore, ose ka në dorë hedhjen në erë me autobomkbë të një reaktori bërthamor, mund të përbëjnë format më të mundshme të terrorizmit bërthamor.

anti terrorizmiOpinionet e disa agjensive të zbulimit dhe të mendimtarëve strategjikë, marrin në konsideratë gjithashtu edhe kërcënimin me anën e terrorizmit të kompjuterizuar, siç njihet ndryshe kiberterrorizmi. Sot jo vetëm “manipuluesit” dhe “piratët” e informatikës, por edhe terroristët kanë gjasa të intensifikojnë përdorimin e kësaj arme të re “kompensuese” si një formë të luftës elektronike. Ekspertët vlerësojnë se, autorët kriminelë të rreziëeve të ulta, që ndërmarrin një sulm të bashkërenduar mirë, duke angazhuar jo më shumë se tridhjetë ekspertë kompjuterash, të vendosur në mënyrë strategjike në të gjithë botën, mund të gjunjëzojnë me një buxhet prej afro dhjetë milion dollarësh, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të vetmen superfuqi të sotme.

Skenarë të tjerë shkatrrimtarë vlerësohen edhe ato që përfshijnë, ndryshimin e formulave në ilaçe ose bimë mjekësore, sistemet telefonike “shpërthyese”, ngatërrimi i intenerareve të trenave të pasagjerëve, ndryshimi i trysnive të tubacioneve të gazit për të shkaktuar dëmtime të valvulave, prishja e regjimit të aparaturave të kontrollit të trafikut ajror, shpërthimi apo djegja e rafinerive të naftës, prishja e programeve kompjuterike (softuerëve) që përdorin shërbimet e emergjencës, ndërprerja e energjisë elektrike dhe shpërthimi i njëkohshëm i qindra bombave të kompjuterizuara në mbarë botën.

Metodat e reja të komunikimit, komandimit, kontrollit, të përforcuara nga sulmet e tastierës, që kanë një fuqi paralizuese dhe shkatërruese të pallogaritshme, kundër pikave nevralgjike të infrastrukturës civile dhe ushtarake na detyrojnë të mendojmë me shqetësim të madh për të “pamendueshmen”.

Rrjeti ndërkombëtar i grupeve terroriste të ideologjive apo besimeve të ndryshme, u kundërvihet të gjitha vendeve dhe instutucioneve që nuk qeverisen në përputhje me interpretimet e tyre ekstremiste. Sesa efikas ka qenë komandimi dhe kontrolli i grupeve të terrorit, mjafton të kujtojmë 11 Shtatorin e vitit 2001, më afër vetëm dy muajt e fundit, sulmet në dy kryeqendrat e dy shteteve anëtare të NATO-s, Paris dhe Ankara.

Fantazma e terrorizmit, si përdorim i mirëllogaritur i dhunës ose i kanosjes për përdorim të saj, nga individë, grupe e segmente të një vendi, ose veprimtarëve shtetërorë për arritjen e objektivave të tyre politikë, shoqërorë e ekonomik në kundërshtim me ligjin, kanë krijuar frikë massive në zona të caktuara të vëna në shënjestër, por dhe më gjërë. A nuk po ndodh kështu kur konflikti i armatosur në Siri dhe terrori i ISIS (Shteti Islamik i Sirisë dhe Irakut), jo vetëm e kanë bërë të papaqtë Lindjen e Mesme, por dhe kanë prodhuar një krizë të re për Europën, atë të menaxhimit të të shpërngulurive dhe refugjatëve që, vijnë nga zonat e nxehta të luftës dhe terrorit.

Sfidat konvencionale e jokonvencionale kundër stabilitetit në mbarë botën kanë fituar terren dhe kanë vënë në plan të parë përpjekje të efektshme kombëtare, rajonale e globale për të përballuar të gjitha format e terrorizmit. Në pothuaj të gjitha vendet e zhvilluara janë rivlerësuar strategjitë e përgjigjeve kundër terrorizmit që përmbajnë këndvështrime kombëtare e ndërkombëtare, qeveritare e ndërqeveritare.

shteti islamik me tojotaAktualisht terrorizmi fetar është shndërruar në një makth të vërtetë, e nuk dihet deri kur do të vazhdojë. Ndryshe nga terroristët tradicionalë jofetarë, terroristëve fanatikë fetarë u mungon llogaritja racionale politike për aktet e tyre. Ata predikojnë urrejtjen, i trajtojnë viktimat e tyre çnjerëzisht dhe janë të gatshëm të vrasin shumë njerëz. Në dallim prej tyre terroristët tradicionalë jofetarë kanë platforma politike më të llogaritura. Ata janë zakonisht më të interesuar të tërheqin vëmendjen te kauza e tyre sesa të vrasin për motive urrejtje, hakmarrje ose qëllime fetare mesianike.

Ndërgjegjësimi për një kërcënim të ri terrorist me armë të shkatërrimit në masë, apo kiberterrorizmi ka marrë një peshë të madhe nga studimet dhe komisionet e ekspertëve që e quajnë “thembra e Akilit” e strategjive të mbrojtjeve kombëtare dhe kooperimit e bashkëveprimit ndërnacional.

Share: