Home KRYESORE Fustanin tënd

Fustanin tënd

Nga Lis Bukuroca

Fustanin tënd nuk e ngrita unë
atë e turfulloi era
pullat tua nuk i këputa unë
ato i shkëputi vrulli
buzët tua nuk i skuqa unë
atë e bëri afshi
teshat nuk t’ i hoqa unë
sytë e mi e bënë
ti nuk ishe ajo
ti nuk ishe më ti
isha unë ai që tolloviste imazhin
ti mbete vegim i pakapshëm
me fustanin e mëndafshtë mbi qilim
hedhur mbi këpucët takelarta

2

Mbrëmë nuk mbylla sy
u shfaqe përsëri lozonjare
çapkëne e lazdruar
krejt e shkopsitur
dhe fytyrëskuqur
si pas puthjeve parathënëse
të papërmbajtura

të ngarenda pas
por ti përhiheshe dhe treteshe në humbëtirë
si njëpasnjëshmëri figurash
si hija e dashurisë
dhe mbete frymë e puhizë
dhe fanar
deri në ag

3
të pata dëshiruar kur ishe një lule e çelur
të dashurova kur u shtrive nën shelgun lotues
e djersitur si trëndafili në vesë
ika nga mëkati yt i madh
dhe me fajin tënd
të duam më shumë se veten më tha
4

mos dënes pëshpërita
tjetri do të jetë më zemërgjerë se unë
mos u zhgënje nga pikturat
shiko para
mos nxito të thash
ti përqafove të parin që të tha të dua më shumë se veten
dhe bëtë dashuri nën shelgun tonë lotues

Share: