Home KRYESORE Ndalim politikanët “zanatçtinj”

Ndalim politikanët “zanatçtinj”

Nga Iro Zanaj*

Si shumë fjalë të tjera, edhe fjala politikë në gjuhën shqipe ka marrë një konotacion negativ duke humbur kuptimin e vërtetë të sajën. Për Aristotelin, politika lidhet më fjalën “polis” ose komuniteti i qytetarëve. Pra politikë do të thotë administrim i “polis” për të mirën e të gjithëve, përcaktimi i një hapësire publike ku marrin pjesë të gjithë qytetarët.

Kultura baritore shqiptare nuk u zëvendësua kurrë me një kulturë demokratike ku qytetarët vendosin vetë fatet e komunitetit pa i deleguar gjithçka “barinjve të tij” si kemi bërë këto 100 vite shtet.

Në një kulturë baritore, e vërteta i lë vendin retorikave boshe që përsëriten në kor nga të gjithë se gjasme: “shqiptarët merren shumë me politikë”. Por në fakt ky është veçse një sllogan ogurzi sepse në fakt shqiptarët vetëm flasin për politikë sepse pushteti nuk i lejoi kurrë të merren me politikë aktive. Qeveritarët e këtij shekulli, nuk i kanë konsideruar kurrë shqiptarët si qytetarë sovranë por vetëm si masa që përdoren për qëllimet e pushtetit. Këtu sqarojmë se të merresh me politikë nuk do të thotë domosdoshëmrisht të merresh me parti politike. Format e pjesëmarrjes politike të një populli janë pa fund, duke filluar nga peticionet, referendumet, nisma popullore ligjvënëse, pjesëmarrja në sindakata, shoqata e lëvizje të ndryshme që shërbejnë për të forcuar kërkesat e qytetarëve përballë strukturave të fuqishme shtetërore, ashtu si shohim të bëjën popujt evropianë.

Gjithashtu nga ana tjetër është po aq dramatike kur dëgjon njerëzit që thonë me krenari se: “unë nuk merrem me politikë”. Përgjigjja e parë që mund të jepet është se – “nëse ti nuk merresh me politikë, nuk ndalon dot që politika të merret me ty”. Nëse ti dizinteresohesh nga politika, do jetë dikush tjetër që do vendosë për jetën tënde, për punën tënde, për rrugën tënde, për cilësinë e ushqimeve që ha, ujin që pi, shkollën ku çon fëmijët, pensionin tënd e kështu me radhë. Dhe pa interesimin tënd këto vendime nuk do të merren në të mirën tënde.

Në fund të fundit, është pikërisht kjo çfarë kërkon pushteti, njerëz apatikë që nuk interesohen dhe nuk përfshihen në jetën politike duke i lënë duart e lira një kaste të bëjë çfarë të dojë me jetët tona. Dhe është pikërisht kjo që ka ndodhur dhe ndodh përditë në realitetin shqiptar.

Po përse ka ndodhur e gjithë kjo? Kush ka ndotur përmbajtjen e politikës? Kush ka izoluar qytetarët të përfshihen në rregullimin e jetës së komunitetit të tyre? Pse pushteti kërkon që qytetarët ti rrinë larg pallatit të politikës?

Këto pyetje, janë ftesë për reflektim sepse asgjë nuk ndodh rastësisht. Dorëzimi i shqiptarëve para politikës është vepër e një kaste që nuk do të qeverisë demokratikisht, por të sundojë e qetë.

Politika në një shtet të kapur, mishërohet me lojrat e pushtetit që luhen brenda pallatit që prodhon privilegje vetëm për një pakicë dhe varfëri për shumicën. Diskutimet mbi qindra probleme reale që ka Shqipëria, janë zëvendësuar me diskutime mbi emrat dhe fytyrat e njerëzve me pushtet.

Ajo hapësirë e përbashkët që fliste Aristoteli dhe iluministët e demokracisë moderne, sot është e uzurpuar nga këta njerëz e grupime që shtojnë radhët mes tyre si një kancer që punon kundër shoqërisë.

Përvetësimi i kësaj hapësire prej qytetarëve shqiptarë dhe dalja nga kurthi degradues nuk mund të bëhet me kulturë baritore, ose përdorimit të slloganeve.

Jo!

Të gjithë popujt e tjerë e gjetën shpëtimin, vetëm me ngritjen e institucioneve të duhura. Çfarë do të thotë kjo? Asgjë më shumë se futja e atyre mekanizmave që pamundësojnë abuzimin e njeriut me pushtetin. Kështu, që heqim dorë nga slloganet baritore se: kush do na shpëtojë, kushdo që do vijë do vjedhë, askush nuk është engjëll, etj.

Nëse korruptimi i politikanëve vjen nga një qëndrim i gjatë në politikë, psh, një insitucion i rëndësishëm do të ishte ai i kufizimit të mandateve në vetëm dy të tilla. Sigurisht, nuk është magjik sepse po flasim për politikë, por kjo redukton mundësinë për tu korruptuar të politikanit. Qëndrimi për një kohë të gjatë në politikë, pranë grupeve të interesit, lumenjve të parave që qarkullojnë, e bëjnë politikanin mos të shqetësohet më për hallet e komunitetit por të jetë pjesë e grupimeve të mbyllura që i sigurojnë vazhdimin e pushtetit dhe shpërndarjen e privilegjeve.

Parlamenti dhe politika shqiptare janë mbushur plot me këta “politikanë zanatçinj” që nuk kanë bërë kurrë ndonjë punë në jetën e tyre veçse të merren me punët tona. Ky është kancer për një shoqëri që do të ngrihet mbi tempullin e demokracisë, e qarkullimit të elitave dhe ideve të reja.

Sigurisht, deri sa këta politikanë zanatçinj të mbeten në politikë, futja e të rinjve është pa vlerë sepse ato përzgjidhen dhe klonohen nga kasta si trapiante të një sistemi që nuk ndryshon thelbin. Po ashtu dhe futja e grave në politikë ka vetëm ngjyra dekorative, si kuklla të përzgjedhura nga shefi për ti shërbyer atij dhe kastës që ka krijuar.

Nisja e një rrugëtimi të ri për Shqipërinë, është pra e lidhur fatalisht me largimin e këtyre “politikanëve zanatçinj” dhe kufizimin e mandateve, që të tillë personazhe mos të krijohen dot.

Mbetet utopi dhe iluzion që këto ndryshime, do ti bëjë vetë kasta, prandaj i kthehemi idesë së mësipërme, për të lënë mënjanë slloganet dhe të përfshihemi në jetën politike akitve të vendit nëse duam të ndërtojmë të ardhmen tonë dhe të fëmijëve në këtë vend që quhet Shqipëri.

*Autori eshte aktivist i Levizjes ShqipOn

Share: