Home KRYESORE Pa strategji kulturore, arsimore dhe identitare

Pa strategji kulturore, arsimore dhe identitare

Nga Artan Fuga

Për të folur për rrënjët e identitetit tonë janë prioritare, veç tjerash :

Historia e Kishës apo e shkruajtur nga autorë të mëdhenj si Sokrati ose Platoni, Herodoti, Tukiditi, Ciceroni, etj, pra se çfarë thonê ata për ilirët, jo në përgjithësi, por ata të trevave tona nga e cila ka rrjedhur edhe shqipja.

Gjuha që tregon qartë ndikime të fuqishme dhe marrëdhënie me helençen dhe gjuhën romane latine qysh në atë kohë (mjaft fjalë psh kanë mbetur në atë rrënjë ndërkohë që kombe të tjerë latinë i kanë ndryshuar, ose transformuar në forma të tjera.

Hajde edhe arkeologjia.

Eshtë dëm i madh që injorohen shkrimet e vjetra për të gjetur gjurmët ilire. Pa kryqëzuar letërsinë, historinë dhe arkeologjinë në një pikë të përbashkët asnjëherë nuk do të arrijmë atë që duhet.

Ne edhe kur bëjmë muzera shpesh, jo pak, duam të tregojmë për ilirët, por në fakt tregiojmë gjëra helenike. Të vjen të plasësh.

Edhe debatin për identitetin e rrotullojmë rreth perandorisë osmane dhe Skënderbeut, para gjatë ose si dalje nga ajo. A thua se ajo është pika kyç e historisë sonë!

Rilindja kishte arsye ta konsideronte si pikë referimi.

Arkeologjia e fjalës të shkruar, tekstet, janë lënë në harresë prej njëqind vitesh se nuk u ka interesuar t’a nxjerrin të vërtetën që është atje.

Këto janë tre plagët e albanologjisë. Ne nuk i shohim se jemi afër, të huajt nuk i duan se nuk i ndjenë.

Ne ideologjikisht, para, gjatë dhe pas komunizmit, për shkak të formimit të autorëve tanë, për shkaqe politike ose ideologjike, nga ndikime greke, gjermane, ruse, kineze, a çfarë të duash, kemi lënë pas ndikimet helenike dhe latino – romane te ilirët, të trashëguara deri tani.

Ne jemi fqinjët autoktonë e qytetërimeve të mëdha heleno romane që themeluan bazat e Europës. Ne jemi në këto baza me qenien tonë në mos me kulturën tonë. Jemi aty para gjermanëve, hungarezëve, sllavëve, jemi monoteistë përpara gati të gjithë kombeve të tjera perëndimore, etj.

Ky duhet të jetë slogani ynë proeuropian. Baza e aksionit tonë për të afirmuar veten tonë në botën e sotme. Pikërisht kjo është injoruar dhe injorohet për të na bërë të humbim rrugën europiane.

Nuk kemi asnjë sitë historike apo qendër muzeale, veç Apolonisë, të denjë për t’u vizituar me standarde europiane, për turistët.

Gjeni një, po vetëm një o një objekt muzeal të vërtetë në Tiranë. Tmerr o tmerr.

Veç në quajmë autobuzët urbanë si objekte arkeologjike. Ose stacionet e autobuzit.

Këta duan të tërheqin turistë me diell e ujë të kripur që ka kudo.

Sepse ne vazhdojmê të mos kemi një strategji të fuqishme kulturore, arsimore dhe identitare.

Dhe thonë se përse ikin djemtë dhe gocat shqiptare nga sytë këmbët nëpër botë. Jo nga varfPeria, jo. Por, sepse nuk u kemi dhënë argumentin e duhur për identitetin e tyre prej thesari.

Por, këtu duhet folur në mënyrë shkencore. Hipotezat që nxjerrin të gjitha gjuhët nga tradita e asaj gjuhe ku shqipja paska qenë zanafilla kurrë s’më kanë bindur. Madje disa janë qesharake fare. Kap një fjalë, ndaje në rrokje, bashkoje me rrokje të tjera të imagjinuara, lidhi me fjalë shqip të tanishme, dhe nxirr lloj – lloj hipotezash, ideologjike-utopike.

Më duket pak çudi që në fillim ishte majmuni, pazstaj doli “shqiptari” i parë dhe pas tij erdhën kombet e mëdhenj të kohës.

Nuk është kjo gjigomandomani e kombeve të vegjël që duhet të na marri me vete. Fakte, fakte, dhe analiza të kryqëzuara. Këtë e kërkon logjika, kurse ideologjia është veç të tjerash edhe një formë cmendurie.

Share: