Nga Artan Fuga
Ku është problemi me parkun e Shën Prokopit?
Sepse Bashkia, për mungesë durimi, që vjen për arsye që merren lehtë me mend, e ka bërë rradhën e gjërave mbrapsht.
Nuk janë një grusht “vandalësh” që protestojnë, por duhet shtuar edhe një pakënaqësi, mosbesim dhe rrezistencë prej dhjetra mijë vetësh në rrjetet sociale që nuk mund të mos konsiderohen, sidomos nga pushtetarë që e kanë qef komunikimin në këto rrjete.
Na del tani edhe një arkitekt gjerman, a thua se nuk ka arkitektë shqiptarë sa të duash, që u merrrka me këtë parkun, dhe që na thotë se qenka habitur nga protestat sepse lodrat do të jenë të bukura dhe parku do të zmadhohet dyfish.
Habitu o gjermano habitu !
Edhe ty si i jashtëm të bënë megafon o i shkretë! Të kuptoj të kuptoj!
Ky gjermani, meqë qenka arkitekt, harron se problemi nuk ështe arkitekturor, por politik dhe ka të bëjë me marrëdhëniet e pushtetit lokal me banorët e Tiranës.
Unë nuk kam dyshim që lodrat do të jenë jo vetëm për fëmijët. Që këtu nis mbrapsht historia. Parqet e sotme moderne të lojrave janë njëkohësisht edhe për fëmijë edhe për të rritur. Duhet të tërheqësh të rriturit në parqet e atraksionit (jo të lojrave) që ata të sjelin aty fëmijët.
Nuk ka parqe lojrash por ka parqe atraksioni. Ky është moderniteti i një parku??? Por, nejse. Parku do të zmadhohet dyfishin. Rrofsh o gjermano, se po e the ti si i jashtëm na e mbushe mendjen! Pikërisht këtu është problemi që ka krijuar krizën e mosbesimit mes popullit të Tiranës dhe pushtetit lokal.
Rradha e gjërave.
Në fillim zmadhojeni parkun dy herë a pesë herë, rregulloni barin, lëndinat, sillni vaditjen në park, shtoni pemët, rregulloni mocalin uturak urban, që nuk bëhet më i mirë kur atje fotografohet ndonjë varkë me lopata që vozit shtrembtazi, e drejtuar nga Uliksi, me udhëtarë ndonjë çift meshkujsh, krijoni diçka të re botanike, biologjike, ambjentaliste, në atë park që është lënë në ditë të hallit, dhe pastaj, pasi të fitohet besimi popullor, fillo edhe ndërtimin e parkut të atraksionit (dhe jo të lojrave).
Të gjithë duke pasur besim do ta mbështesin projektin. Ky është keqmenaxhimi i projektit që sjell kriza, tensione, e dhunë në qytet. Nuk fillohet një projekt me premtime që kërkojnë besim në ajër. Ky popull ka dëgjuar boll përralla dhe nuk beson më. Duhet fituar besimi dhe pastaj bërë projekti gradualisht, dhe jo e kundërta.
Përndryshe parku i lojrave për fëmijë nis me lodra që u bëhen të rriturve, nis me një lojë me shkopinj, hunj, dhe ofendime mes pushtetit dhe qytetarëve, me arbitra policët e shkretë, bëhet si histori me gjerman, o gjermanooooo !
A kupton shqip apo jo!
Po padurimin për ta nis me betonim dhe jo me gjelbërim, e kupton i madh i vogël përse ndodh, përse gjërat bëhen mbrapsht, o gjermano, sepse është më lehtë ta shkatërrosh një park sesa ta ndërtosh.