Home KRYESORE “Pastor, është mërgimi!”

“Pastor, është mërgimi!”

Nga Pastor Akil Pano

Në lagjen time jeton një piktor. Tironas i vjetër, ekzemplar i çmuar e i rrallë në zotërimin e këtij arti, të cilin shumë syresh prej vendalive nuk shquhen për zotërues të këtij zhanri, e as eksploratorë të kësaj bote ngjyrash e shijesh që derdhen në telajo.

E këtu bëj pjesë dhe unë. Pasioni dhe ëndrra e tij kanë shndërruar katin përdhes të shtëpisë së vjetër ku jeton, në një ekspozitë të gjallë tablosh e pikturash ku janë derdhur kontrastet e botëve. Ajo e mendimit dhe e ëndrrës, e cila përkëdhel herë butë e herë ashpër realitetin e prekshëm të jetës. Realja dhe surealja, abstraktja dhe prezantimi modern i hinteve të marra nga tradita, grishin sytë e të apasionuarit të këtij arti, të hyjë brenda çdo forme, figure, ngjyre dhe dritëhije.

Pasi më mbetën sytë në njërën prej tablove, e pyes mikun tim se çfarë domethënie kishin ato figura krahëhapur deri diku mitike të cilat më shëmbëllenin me shpendë gjigandë që dukej se kërkonin të flisnin. Magjia e kësaj pamje e veshur me ngjyra të trishta, jehonte tinguj ndërgjegjesh që prej pafuqie a ndonjë gjëje tjetër s’bzanin.

Kjo, besoj për arsyen e thjeshtë, njihnin fatin e tyre të trishtë, e kësisoj kishin vendosur të kërcenin jashtë tablosë së mjerimit të fateve të tyre.Disa sekonda duke vështruar ngultas brenda tablosë dhe pa e kuptuar kisha kërcyer në brendësi të një oqeani të thellë mendimesh. Mendime të trishta pafuqie të një populli që parreshtur mërgon.

Përpjekje dëshperuese deri në sfilitje të prindërve që s’duan të këmbejnë ëndrrën me dorëzimin, vetëm për të mos tradhëtuar për asnjë sekondë vështrimesh të kryqëzuara pafajësie, zemrat e të vegjëlve të tyre. Vetëm pak çaste dhe kuptova përjetimin e dikujt që do të thërrasë, por s’ka forcë, e kështu ka vendosur më mirë të mos i japë kënaqësinë atij që e sundon, t’i dëgjojë tingullin e mekur të asaj pjese të çmuar që qëndron lidhur me shpirtin. Heshtja sundon brenda kësaj tabloje, por për çudi, është një heshtje që flet më shumë se çdo fjalë. Një heshtje që kërkon të grisë kanavacën e mendimit shoqëror, e cila çdo ditë po jetëson një kërcim jashtë kësaj kornize.

Krejt i zhytur brenda kësaj tabloje, në mes të krahëve të hapura që gati po nisja t’i ndjeja të më preknin fytyrën, se shpirtin tanimë ma kishin copëtuar, nis e vështroj sytë e piktorit i cili përgjatë këtyre sekondave që mbartnin mes tyre peshën e jetës, më vështronte i heshtur.

“Nuk besoj se kam nevoje të të pyes për temën e kësaj tabloje,” i them me një zë që nuk e di se pse më doli ashtu, i mekur e i trishtë.”Nuk besoj, pastor! Mendoj që përgjatë këtyre sekondave, t’i nise rrugëtimin me ta. Sytë e t’u folën! Zemra jote… u nis bashkë me këta mijëra njerëz që çdo vit largohen. Pastor, nuk kërkove shumë brenda tablosë. Është mërgimi.”

Share: