Home KRYESORE Qytetarët mbjellin pemë në protestë ndaj Bashkisë së Tiranës

Qytetarët mbjellin pemë në protestë ndaj Bashkisë së Tiranës

Nga Gjergj Erabara

Nën sloganin “Këndet Lagjeve, pemët parkut!” disa dhjetëra qytetarë të Tiranës dolën sot në një protestë të pazakontë ku aktiviteti kryesor qe mbjellja e fidanëve të rinj në një hapësirë të gjelbërt ku Bashkia e Tiranës ka planifikuar të ndërtojë një hapësirë prej 4 mijë metrash katrorë si kënd lojërash për fëmijët.

Aktivistët e organizuar nga një numër grupimesh si “Qytetarët për Parkun”, “Organizata Politike”, Nisma “Mbill Pemën Tënde” dhe “Ne Shqipëria”, kundërshtojnë prej dy javësh planin e Bashkisë së Tiranës për të investuar rreth gjysmë milioni euro për ndërtimin e një parku për fëmijët.

“Kërkojmë të rishikohet projekti të mos shkelin ligjin, të mos fusin beton brenda parkut e të bëhen më transparent”, deklaroi Elian Tanini, një aktivist i njohur në veçanti për Nismën Mbill Pemën Tënde, përmes të cilës, qytetarët kontribuan përgjatë dy viteve të fundit me para dhe punë vullnetare për të mbjellë disa mijëra pemë.

“Kjo protestë nuk është vetëm për parkun, por dhe për të dënuar arrogancën institucionale, për t’i thënë kësaj politike të ndyrë se ka plot qytetarë të cilët i njohin të drejtat e tyre e nuk nëpërkëmben,” deklaroi Alida Karakushi, një nga organizatorët e protestës.

Bashkia e Tiranës rrethoi tri javë më parë një hapësirë në parkun e vetëm të mbetur të kryeqytetit pa dhënë ndonjë shpjegim për arsyet dhe pa kryer konsultime, siç kërkohet me ligj. Më vonë u mësua se një projekt me vlerë rreth gjysmë milioni euro, synonte të kthente një hapësirë të gjelbërt në një kënd lojërash për fëmijët.

Protesta-per-parkun1Një grup aktivistësh, të alarmuar nga përpjekjet e vazhdueshme të biznesmenëve të ndryshëm për të ndërtuar në kufijtë e parkut apo për të marrë copa toke prej tij për ndërtim pallatesh, e shembën rrethimin më 21 shkurt, pas një përplasjeje me policinë, e cila përfundoi me dymbëdhjetë aktivistë të shoqëruar në komisariat dhe një polic të pezulluar nga detyra për përdorim të tepruar të dhunës ndaj protestuesve.

Bashkia e Tiranës i hodhi poshtë kritikat me një varietet argumentesh, përfshirë spekulimin se protestuesit ishin nxitur nga opozita politike, se ishin njerëz pa fëmijë apo se e kishin keqkuptuar qëllimin e bashkisë.

Në ditët që pasuan, Bashkia u përpoq të ringrinte gardhin rrethues ndërsa militantë të Partisë Demokratike ndërhynë me dhunë duke e shembur sërish si dhe goditën me vezë dhe domate ndërtesën e Bashkisë.

Duke iu përgjigjur akuzave për vandalizëm, të hedhura nga kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, aktivistët u paraqitën në protestë me kitarra.

“Ne nuk jemi vandale, por dashamirës të natyrës dhe të mirës publike,” tha Tanini.

Aktualisht punimet për ndërtimin e këndit të lojërave janë ndërprerë ndërsa qeveria duket se po përpiqet që të mos përdorë më policinë për përballje me qytetarët.

Protesta-per-parkun2Që nga ajo kohë, grupi i aktivistëve, të cilët më herët kanë protestuar kundër lejeve të ndërtimit për pallate shumëkatëshe të dhëna nga bashkia e Tiranës, e drejtuar në atë kohë nga Lulzim Basha, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, janë përpjekur të luftojnë kundër keqpërdorimit të protestës së tyre nga militantët demokratë. Këta të fundit, janë përpjekur në shumë raste të përvetësojnë apo përdorin kauzat e shoqërisë civile, fillimisht duke duplikuar Lëvizjen për Universitetin dhe më pas duke u përpjekur të shtiren si organizatorë të protestave të organizuara nga grupet e aktivistëve.

Botimi origjinal ne Reporter.Al

Share: