Rritja 2.0! “Statuskuo” është përkthimi në latinisht i “na ka zënë rrota bishtin”, Ronald Reagan
Nga Dritan Shano
Zhvillimi ekonomik kalon në disa stacione. Nga bujqësia për mbijetesë drejt industrisë së lehtë derisa pasi ka mbërritur tek shërbimet e teknologjisë së lartë, po troket sot në derën e revolucionit të katërt industrial, atij dixhital ku prodhimi vjen nga fuzioni në një i fizikës, dixhitales dhe biologjisë. Çfarë ka ndodhur këtu tek ne?
Vizioni i politikave ekonomike të ndjekura deri tani kur jemi dekadën e tretë të tranzicionit nga feudo-komunizimi drejt ekonomisë së tregut, ka qenë i dominuar nga modeli i zhvillimit që sheh rritjen e konsumit të brendshëm si bazë për rritje ekonomike – konsumi sot përbën 90% të PBB-së. Ekonomia shqiptare iu përgjigj reformave strukturore të dekadës së parë, që synonin kryesisht rritjen e konsumit. U krye rishpërndarja e burimeve nga bujqësia për mbijetesë ku gjallonte 70% e popullsisë, drejt sektorëve të tregtisë dhe shërbimeve. Ky ishte kufiri i ri, struktura e re e ekonomisë shqiptare, që siguroi rritje pasi kishte fitim të menjëhershëm dhe produktivitet më të lartë, pasi nuk kishte nevojë as për shumë krah pune, as për punë të kualifikuar dhe as për shumë kapital financiar dhe investim teknologjik të avancuar. Këtu kemi ngecur. Midis stacionit të parë dhe atij të dytë.
***
E thënë ndryshe, për t’u ushqyer ne kemi marrë nga pema të gjitha frutat që mund t’i kapnim me dorë pa mundim, pa e vrarë shumë mëndjen. Nga sot na duhet të zgjatemi në majë të gishtave, të sforcohemi, të mundohemi për të arritur të kapim frutat që janë më lart, dhe pse jo do na duhet të gjejmë edhe shkallë për t’i arritur. Në këto 25 vjet, devijimet nga ky model, që e kanë çuar vëmendjen dhe investimin tek përmirësimi i kapitalit human dhe fizik e atij teknologjik, pra dhe tek rritja e produktivitetit të kapitalit dhe të punës, siç dhe po e shohim në 5 vitet e fundit, nuk janë finalizuar dhe kanë qenë të pamjaftueshme për të garantuar rritje të qëndrueshme. Ajo së fundmi qëndron kokëforte në statuskuonë e një rritje pa punësim, një rritje prej 1-2%. Kjo rritje nuk mjafton që të transformojmë ekonominë. Në fakt kjo nuk është rritje ekonomike por një zvarritje arithmetike. Mbijetesë!
Pengesat. “Rrotat që na kanë zënë bishtin”
Pse ngecim? Çfarë e pengon këtë rritje ekonomike që kemi, të kthehet në zhvillim ekonomik? Çfarë e pengon atë të jetë rritje cilësore dhe jo vetëm statistikore? Pengesa për rritjen e ekonomisë sonë janë institucionet e saj të dobëta, jo përfshirëse pa cilësi, të vonuara apo pambaruara dhe zbatimi problematik i ligjit; pengesë thelbësore është paqartësia dhe pasiguria e pronës private që nuk lejon konvertibilitetin e saj në kapital të përdorshëm lirisht; pengesa janë ndryshimet e shpeshta ligjore, dobësia kronike e administratës publike dhe gjykatave; pengese mbetet korrupsioni endemik dhe informaliteti i lartë; pengesë është mungesa e mbikqyrjes dhe rregullimit që garanton konkurrencën e lirë dhe të ndershme. Pengese për rritjen ekonomike është mungesa e investimit dhe përkeqësimi i cilësisë së arsimit; moskonsolidimi i infrastrukturës së transportit, të energjisë, të IT; pengesë për rritjen është dhe kaosi i ngurtësuar i zhvillimit tonë urban të këtyre 25 vjetëve ku mungon koncepti i zhvillimit hapësinor.
Këto pengesa institucionale dhe fizike janë kufizime të lirisë ekonomike për individin dhe sipërmarrjen. Tek këto pengesa çimentohet fuqia irracionale e “politikës” mbi individin dhe zhvillimin ekonomik. Këto çojnë tek ulja e besimit tek ky mjedis i paqëndrueshëm dhe i pasigurtë ekonomik, ku jo rrallë dominojnë të favorizuarit e qeverisë dhe qylaxhinjtë (free-riders), fenomen që është në vetvete një pengesë për rritjen ekonomike.
***
Një pengesë gjithkaq serioze për rritjen ekonomike është madhësia e firmës. Struktura e sotme e sipërmarrjes shqiptare pasqyron rezultatet e reformave të dekadës së parë dhe politikat e ndjekura në këto 25 vjet, ku jo rrallë është inkurajuar me lehtësira fiskale të qënit mikro-biznes. Vetëm 4% e ndërmarrjeve kanë mbi 50 të punësuar. A mjaftojnë ato për të udhëhequr rritjen ekonomike, punësimin, mirëqenien? Shumica e tyre biznesin kryesor kanë tenderat e qeverisë me fonde publike. Ndërkaq, prej shume vitesh numri i ndërmarrjeve me 1-4 të punësuar përbën gati 89% të numrit total të ndërmarrjeve, shumica dërrmuese e të cilave operojnë në sektorin e shërbimeve por kanë vetëm 8% të shitjeve. Këto vetëm mbijetojnë. Kjo strukturë ekstremisht e fragmentuar e ekonomisë shqiptare tregon më së miri se mundësitë praktike për investime të qënësishme në teknologji të reja, që rrisin produktivitetin e punës dhe kapitalit, për rritje të punësimit, për modernizim, innovacion, për njohje të tregut, rritje të konkurrueshmërisë me rajonin mbeten të kufizuara.
***
Është fakt se në këto vite janë bërë shumë përpjekje dhe harxhuar shumë energji, por duket se ekonominë që kemi sot, e kemi ndërtuar drejt mbi tokë, pa hapur themelet më parë. Pengesat e mësipërme kanë qenë bashkëshoqëruese të këtyre 25 vjetëve. Ato kanë krijuar një zinxhir të përhershëm efektesh negative mbi aktivitetin dhe vendimarrjen ekonomike të qytetarëve dhe sipërmarrjes. Këto ndikime i sfumojnë përpjekjet dhe reformat strukurore dhe rregullatore të ndërmarra deri tani, nuk lejojnë çlirimin e potencialit ekonomik të Shqipërisë duke eliminuar incentivat që qytetarët dhe sipërmarrja të investojë në teknologji dhe inovacion, të zgjerojë aktivitetin për më shumë punësim dhe prosperitet. Mbi të gjitha e tashmja dhe e ardhmja ekonomike e qytetarit dhe sipërmarrjes shqiptare mbetet vazhdimisht e varur nga prezenca ose jo e investimeve publike, manaxhimit të financave publike dhe ndryshueshmërisë së politikave qeveritare, sidomos atyre fiskale.
***
Tri vitet e fundit 2013 – 2016, janë shumë ilustruese për ta kuptuar këtë statuskuo, këtë varësi, jo të re, të ekonomisë shqiptare ndaj vullnetit politik dhe nivelit profesional të ekipeve qeverisëse. Modeli i zhvillimit i mazhorancës socialiste që do sillte mirëqenien dhe punësimin për gjithë shqiptarët u bazua tek rritja e eksporteve dhe investimeve. Në fakt eksportet dhe investimet u ulën. Pikërisht çfarë ishte në themel të modelit të zhvillimit të kësaj qeverie. Kjo qeveri nuk bëri asgjë për të fuqizuar individin dhe sipërmarrjen. Përkundrazi shtoi peshën represive dhe grabitqare të shtetit jo aq sipas modelit të deklaruar të zhvillimit, por në përputhje të plotë me ideologjinë e vet politike autoritariste. Vazhdojnë të rriten taksat dhe kostot e transaksioneve të biznesit duke kufizuar kështu lirinë ekonomike. Performanca e të ardhurave buxhetore dhe investimeve publike demonstroi paaftësinë e qëllimtë ose jo të qeverisë për të nxitur konsumin dhe rritjen ekonomike. Politika monetare e ka ezauruar thuajse krejtësisht hapësirën e vet për të nxitur ekonominë. Rezultati, rritja ekonomike nuk prodhon mirëqenie për shqiptarët, që u larguan me qindra mijëra nga vendi në 2014 – 2015; konkurrueshmëria e ekonomise, dhe mjedisit të biznesit u përkeqësuan ndjeshëm; ekonomia mbetet në stanjacion ndërsa është rikthyer shumë fort nevoja e stabilizmit makroekonomik. Dëshmi dhe përgjegjësi e këtij dështimi është dhe mungesa e debatit mes atyre që thonë se kuptojnë nga ekonomia.
Të çlirojmë bishtin
Është e qartë se duhet ndërtuar një themel i ri për prosperitetin e shqiptarëve. Partia Demokratike është e ndërgjegjshme se Shqipërisë, sot i duhet një vizion tjetër zhvillimi që të dilet nga statuskuoja aktuale. Një model zhvillimi i thjeshtë, i qartë, i sinqertë, i realizueshëm, që i shërben ekonomisë dhe nxit zhvillimin, që krijon punësim dhe mirëqenie. Një model zhvillimi që çliron gjithë potencialin ekonomik, të punës dhe burimeve natyrore dhe garanton rritje ekonomike të qëndrueshme, cilësore të bazuar gjithnjë e më pak tek konsumi, e gjithnjë e më shumë tek rritja e produktivitetit të kapitalit njerëzor dhe fizik. Një model zhvillimi që çon ekonominë në kufirin tjetër të rritjes, atë të rialokimit të burimeve nga sektore me përfitime afatshkurtra në ato të industrisë, agrobiznesit, manifakturës dhe integrimit të tyre në clusterat ekonomikë si bazament më i qëndrueshem i rritjes ekonomike.
***
Modeli i zhvillimit që garanton këtë transformim ekonomik është ai që bazohet tek eliminimi i pengesave të rritjes. Ky model zhvillimi ka në qendër të vet pikërisht realizimin e plotë të lirisë ekonomike të individit dhe sipërmarrjes. Bazohet tek çlirimi i ekonomisë nga pengesat që ka krijuar, apo ato që nuk ka arritur të kapërcejë qeverisja e këtyre 25 viteve. Ka si objektiv të vetin kthimin tek ritmet e rritjes mbi 5% në vit, që garantojnë zhvillimin dhe konkurreshmërinë e ekonomisë shqiptare, që garantojnë punësim dhe mirëqenie. Ndërsa axhenda e integrimit europian shërben si shtrati ku mbështetet aksioni qeverisës, ky model zhvillimi synon reforma strukturore dhe institucionale për të eliminuar pengesat në katër shtylla kryesore të zhvillimit: i) Mirëqeverisje dhe sundim të ligjit, pra institucione të forta të ekonomisë së tregut për të gjithë që mbrojnë pronën private përpara çdo gjëje tjetër, ii) konsolidimin dhe finalizimin e infrastrukturës përmes investimeve publike, iii) fuqizimi i kapitalit njerëzor përmes mbështetjes së arsimit, dhe rritjes së fleksibilitetit të tregut dhe shtimit të vëndeve të punës, iv) rritja e konkurrueshmërisë së sektorit privat përmes mbështetjes direkte dhe një sistemi fiskal nxitës.
***
Eliminimi i pengesave në këto katër shtylla kryesore, do mundësojë avancimin në zinxhirin ekonomik të rajonit dhe atë global të sipërmarrjeve shqiptare që është çelësi i rritjes ekonomike të Shqipërisë. Synimi është që të rrisim vlerën dhe konkurreshmërinë e çdo produkti dhe shërbimi që krijohet në Shqipëri. Reformat në të katër fushat e zhvillimit janë të lidhura me njëra tjetrën dhe nuk mund të zbatohen veçmas. Ligje dhe rregulla të thjeshta dhe transparente, së bashku me infrastrukturë moderne dhe burime njerëzore të kualifikuara janë parakushte të investimit privat. Rritja e investimeve, qofshin këto private, të brendshme dhe të huaja, apo dhe investime publike, krijojnë punësim. Rritja e mundësive të punësimit është mënyra më e mirë e eliminimit të varfërisë. Zhvillimi i sektorit privat dhe rritja e pjesëmarrjes në një treg më të zhvilluar pune sjell më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, të ardhura që shkojnë për investime publike dhe uljen e borxhit publik.
***
Partia Demokratike materializoi lirinë politike, i ktheu dinjitetin qytetarëve shqiptarë duke sjellë lirinë e lëvizjes. Ajo është e gatshme të vazhdojë përballjen me sfidën e ardhshme qeverisëse që është konsolidimi i lirisë ekonomike, kompletimi dhe garantimi i së cilës konkretizohet vetëm përmes institucioneve të ekonomisë së tregut. Ta bëjë këtë duke eliminuar pengesat e rritjes ekonomike. Që ekonomia shqiptare të udhëtojë me një shpejtësi dhe një cilësi tjetër. Që ajo të mos jetë një ekonomi që pluskon në varfëri. Që shqiptarët të punojnë dhe pasurohen në Shqipëri dhe mos kërkojnë lirinë e munguar ekonomike rrugëve të botës, tek shndërrohen në breza emigrantësh profesionistë. Ta zbatojë këtë model zhvillimi jo vetëm për të garantuar rritjen ekonomike, por edhe si përballje, paksa e vonuar, me trashëgiminë paternaliste dhe imoralitetin që politikat populiste dhe “pragmatiste” në vend që t’i pranojë si paaftësi i shet për “urtësi” në qeverisje.