Home KRYESORE Strategjia si përqasje kombëtare e integruar

Strategjia si përqasje kombëtare e integruar

Nga Azem Parllaku

Në mënyrë të padiskutueshme, siguria dhe mirëqenia përbëjnë elementët thelbësore për një shoqëri të zhvilluar, ndërkohë përfaqësojnë dhe themelet, mbi të cilat mbështetet zhvillimi dhe progresi i cdo kombi.

Kombi shqiptar trashëgon një kulturë të pasur po kështu dhe një histori komplekse, ku shquajnë sfidat e shumta, të cilat kanë përcaktuar zhvillimin dhe kanë formësuar karakterin e tij.

Historia jonë dëshmon se, rreziqet ndaj sigurisë kombëtare nuk kanë qenë dhe nuk janë të izoluara nga njëra-tjetra, por të lidhura dhe të ndërvarura. Siguria jonë ndikohet nga një ndërthurje e rreziqeve tradicionale dhe jo tradicionale, që burojnë nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.

Strategjia është përqasje kombëtare e integruar, me qëllim parashikimin dhe përgatitjen e përgjigjes më të përshtatshme ndaj këtyre rreziqeve, duke njohur dhe shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ofron mjedisi strategjik.

Sa i rëndësishëm është studimi dhe kërkimi në fushën e strategjisë, e ku debatohet në lidhje me të, e cfarë mësimesh nxirren, po i referohemi një zhvillimi shumë të rëndësishëm për kombin tonë

Gjatë orëve të paradites së 12 qershorit të vitit 1999, ushtarët britanikë dhe amerikanë të kompletuar më së miri me teknikën dhe pajisjet e tjera luftarake, nisen drejt Hanit të Elezit, ndërsa ushtarët gjermanë drejt Morinës. Gjatë rrugës ato mbulohen me lule dhe brohoritje nga shqiptarët e Kosovës, të shpërngulur forcërisht nga shtëpitë e tyre afërsisht tre muaj më parë. Vetëm disa orë më parë, mes Aleancës Veriatlantike (NATO-s) dhe eprorëve të ushtrisë dhe policisë serbe, ishte nënshkruar dokumenti historik i Kumanovës, i shkurtër në vetëm gjashtë faqe, duke vulosur kështu fundin e sundimit serb në Kosovë. Një sukses ky, që nuk e turbulloi aspak mbërritja e disa ushtarëve rusë në Prishtinë dhe në aeroportin e Sllatinës.

Ato ditë qershori, u shndërruan në ngjarjen mbarëshqiptre, kur për të përshkruar magjistralen nga Tirana në Prishtinë, duheshin ditë udhëtimi shoqëruar me atë lodhjen e cila, u përjetua njëherësh si festë dhe, si mort.

Sapo, kishte mbaruar një luftë e zhvilluar në rrethana shumë të veçanta, e së shpejti, u bë temë diskutimi nga katedrat universitare, jo vetëm në Europë, por dhe gjetkë në kontinentet tjera. Për këtë luftë u shkrua në mijëra faqe të gazetave, si dhe janë botuar me dhjetëra libra. Ndërsa, akademikët dhe këshilluesit e strategjisë të botës bashkëkohore, e debatuan dhe e debatojnë ndjeshëm atë realitet, qasja që “dinosaurët” shqiptarë kanë këshilluar e “këshillojnë” për këtë temë, i përngjan një petulle me vrimë në mes.

Kauzat dhe luftërat e mëdha, për të cilat ndeshen dhe luftojnë popujt, shkaktojnë ndryshime gjeopolitike dhe ndikojnë në rrjedhën e zhvillimeve rajonale dhe më gjerë. Në këtë kontekst dhe konflikti ushtarak në Kosovë, u kthye në nxitje për shkrime dëshmuese, interpretuese dhe polemizuese, të cilat sigurisht kanë vlerën e madhe për historinë tonë si popull.

Në shumatoren, e shkrimeve dhe analizave rreth këtij konflikti, vlerësimi që, bëjnë studiuesit dhe autorët e huaj, është në kontrast të dukshëm me opinionet e studiuesve dhe autorëve vendas.

Gjithëkush, që ka patur luksin të njihet me ato cfarë kanë interpretuar rreth kësaj ceshtje, burrështetasit, diplomatët, akademikët, gjeneralët, e gazetarët e huaj, ka kuptuar se; Ata kanë një eksperiencë të madhe në fushën e strategjisë dhe, i drejtohen një audience profesioniste njëherësh, dhe popullore.

Sigurisht, që studiuesit dhe opinionistët vendas janë pajtuar dhe ndihen komod me përqasjet që shkruhen në gjuhën e huaj, teksa nuk kanë mundur, të unifikojnë një qasje të shëndetshme nacionale, edhe pse ishin e janë dëshmitarët e fenomeneve të tilla me ndikim në zhvillimin e studimeve të strategjisë.

Natyrshëm lind pyetja; Përse ka ndodhur dhe “ndodh” kështu?

Për të qenë korrekt, nuk kanë përse anatemohen diskutimet publike nga individë dhe grupe individësh të zakonshëm. Shpesh këto debate, vijnë nëpërmjet medias në trajtën e rrëfimit dhe njohjes përgjithësisht, ndërsa karikohen herë pas here, për qëllime të caktuara.

Nëse intrigohesh dhe zhytesh për të kërkuar më tepër, ke mbërritur tek shënimet e autorëve dhe në arkivën e departamenteve mbushur përplot me “frymëfermentuar”, ku ka dhe një modul për studime të tilla.

Duke ndaluar këtu vëren se; Forca intuitive dhe shumë primitive e arsyetimit, nuk rezulton të jetë aq e përshtatshme për epokën e re. Një realitet ky, trishtues kur mendon që, Shqipëria prej disa vitesh është anëtare e NATO-s.

Referencat tek autorë të tillë si: Clausewitz, Moltke, Hart, Foster, Schelling, Kissinger, etj, shërbejnë vetëm për të ilustruar pasqyrën shabllone të leksioneve “copy-paste” të këtij moduli.

Ky, vakum i krijuar rezulton të jetë nxitur tek përqëndrimi dhe trajtesat folklorike për strategjinë dhe artin ushtarak të kohës së Skënderbeut, të Luftës Antifashiste Çlirimtare, dhe “paqes” përgjatë Luftës së Ftohtë, ndërkohë që, nuk mungojnë dispencat voluminoze me qindra paragrafë nxirë me plagjiaturë dhe togfjalësh shabllon.

Në ditët e sotme strategjia personifikon shumë më tepër sesa studimin e luftrave dhe fushatave ushtarake. Akoma më i gjerë është koncepti i strategjisë madhore që, përfshin koordinimin dhe drejtimin e të gjitha burimeve të një kombi, apo një grupi kombesh për arritjen e objektivave të paracaktuara.

Strategjia është pikërisht ura lidhëse midis politikës dhe resurseve ushtarake. E konsideruar si e tillë, domosdoshmërisht njohësit dhe studiuesit e kësaj disipline duhet të kenë dijet e thelluara dhe të nevojshme, edhe për politikat, edhe për operacionet civilo-ushtarake. Kështu, kjo disiplinë e cila merret me problemet e vështira të politikës kombëtare, me fushat ku faktorët politikë, ekonomikë psikologjikë dhe ushtarakë ndërthuren dhe bashkëveprojnë, duhet vlerësuar, gjithësesi. Si qasje ndërdisiplinore, me informacionet e nevojshme të cituara, por dhe të tjera ku përfshihen njohuritë për gjeografinë, teknologjinë, etj, strategjia është një teori veprimi, një udhëzues sesi të arrihen objektivat dhe si të realizohen ato në mënyrë efektive.

Si arti i shpërndarjes dhe i përdorimit të resurseve civilo-ushtarake, ajo ka të bëjë me ushtrimin efektiv të fuqisë, ndërkohë si proces adaptohet në mënyrë konstante ndaj kushteve dhe rrethanave në ndryshim, në një botë ku sundon pasiguria.

Në pikënisje të kësaj pasqyre u përshkrua fundi i Luftës në Kosovë, kjo për faktin se kjo luftë ka ofruar koordinimin dhe ndërveprimin e aktorëve ndërkombëtarë dhe atyre kombëtarë për të arritur fundin e sundimit serb në Kosovë. E shikuar sipas koncepteve të strategjisë, kjo luftë është ndezur nga një rrejt i komplikuar i shkaqeve politike, ekonomike, sociale, etnike dhe religjioze.

Në vitrinat e botimeve në Tiranë e më së shumëti në Prishtinë, shumë autorë vendas kanë përmbledhur idetë e tyre në lidhje me atë luftë.

Nga një vështrim i kujdesshëm mbi këtë punë, konstatohet se shumë pak është artikuluar në termat strategjikë, c’ka është shumë e nevojshme për një sipërmarrje, të tillë serioze dhe të besueshme. Autorët vendas kanë shkruar kapituj të tërë për luftën qindravjeçare mes shqiptarëve dhe serbëve për atë se: “kush ka lindur i pari” në Kosovë, pak absurde, kur mendon se mosmarrëveshjet aktuale duhet të zgjidhen me standarde të kohës moderne, dhe jo me kacafytje mesjetare.

Miti i zanafillës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është pjesa tjetër e kapitujve të shkruar, ku autorët, shfaqin pikëpamje të ndryshme. Operacionet dhe taktika ushtarake, si pjesë e strategjisë preken shumë pak, për fushatën e bombardimeve të NATO-s, fusnotat janë të panumërta, ndërsa për taktikën e zbatuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ka një vlerësim të mirëfilltë e profesional. Sipas aksiomës së njohur të Clausewitz-it, Milosheviqi bëri luftën si vazhdim i politikës me mjete të tjera, duke e justifikuar kështu përdorimin dhunës si instrument të fundit politikës.

Përballë kësaj situate, për t’i shpëtuar asgjesimit popullata shqiptare në mënyrë aktive dhe të ndërgjegjshme, zhvilloi të gjithë mekanizmat etnikë, politikë, historikë, gjuhësorë, demografikë, fetarë, etj, që krijuan vetëdije dhe kompaktësinë e duhur.

Përtej trajtave, parimeve dhe rregullave të doktrinës ushtarake, të cilat u provuan, lufta për clirimin e Kosovës mbetet një “leh” shumë i pasur, sa i përket rrafshit të trajtesës dhe studimeve në fushën e strategjisë.

Studimet në këtë rrafsh duhet të bazohen mbi një analizë të plotë, të të gjithë elementeve të sigurisë kombëtare, rezultat i një procesi ndërinstitucional, me përfshirjen edhe të shoqërisë civile, e padyshim në sinton me aktorët dhe përvojën ndërkombëtare.

Share: