I nderuar Z. Kryetar,
Për dijeni Avokatit të Popullit,
Prej disa kohësh Unioni Shqiptar i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve Urban ju ka kërkuar që në cilësine e Kryetarit të Bashkisë, të ndaloni mësymjen që po i ndodh parkut të liqenit nga të gjitha anët. (Deklarata te Unionit: Prot.02/’15 datë 8.06.2015, Prot.03/’15 datë 9.06.2015, Prot.06/’15 datë 26.08.2015, Prot.01/’16 datë 22.01.2016, Prot.02/’16 datë 15.02.2016, Prot.03/’16 datë 21.02.2016).
Pikërisht këto ditë kur debati për ruajtjen e parkut është në zhvilim e sipër, në hyrjen nga rruga e Elbasanit është vendosur tabela për fillimin e punimeve për kompleks banimi shumëkatësh. Ju kujtojmë se kjo zonë ka qenë park, gradualisht indiferenca e bashkisë (prej vitesh) e la të transformohej në parkim, duke i prerë pemët një nga një, e së fundmi kjo zonë do të shndërrohet në zonë banimi shumëkatëshe.
Shkatërrimi i parkut ka qenë një proces që ka patur të pakten tre valë mësymjesh:
1990-2005, kur kanë ndodhur ndryshime dhe zvogëlimi i kufirit të parkut, por në menyrë të fragmentuar dhe kaotike si pjesë e rremujës politike dhe tranzicionit të kohës. Vala e dytë, kur shkatërrimi dhe zvogëlimi i mëtejshëm ndodhi duke abuzuar në menyrë djallëzore me përdorimin e mjeteve ligjore. Përgjegjëse për këtë është krejtësisht politika ku çuditerisht e majta dhe e djathta në marrëveshje me njëra-tjetrën (si për asgje tjetër) dhe me mediat-biznes hëngrën parkun gradualisht. Vala e tretë, është mësymja aktuale, kur me instrumenta hileqare të tipit projekt për hyrje parku, projekt për lodra fëmijësh, parkime, dhe mbi të gjitha me përdorimin e arkitektëve të huaj si alibi për masakra urbane. Arkitektët e huaj dhe arkitektët vendas klientelistë janë pjesë e problemit dhe për këtë do të mbajnë përgjegjësi.
Për të gjitha këto, politika nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë. Politika së bashku me profesionistët klientelistë janë përgjegjës dhe jo qytetarët!
Ju kujtojmë përsëri (sikurse në të gjitha deklaratat tona të mëparshme) se tashmë parkimet kanë hyrë thellë në zonën e parkut. Ju lutem vendosni rregulla për të nxjerre jashtë parkut dhe zonave që janë ende të pyllëzuara (që me sa duket nuk ju intereson t’i quani park) të gjitha parkimet dhe lavazhet.
Ju kujtojmë gjithashtu se këto ditë ju po mbroni ndërtimin e parkimeve mbi parqe të tjera të Tiranes (në një kohë që këtë parkim, edhe pse i paligjshem, e prishët). Shpresojmë që edhe në parqet që po propozoni për t’u bërë parkime një ditë nuk do të shohim leje ndërtimi për pallate. Për këtë çeshtje ju kemi dërguar deklarata të tjera që janë injoruar nga ana juaj.
Ju kujtojmë se Plani Rregullues i vitit 2012 të cilin ju e kundërshtuat (dhe po ashtu edhe Unioni i Arkitektëve dhe Planifikuesve Urbanë e ka kritikuar përmes deklaratës, Prot. 06/’12, date 19 Qershor 2012) si një nga pikat e tij më problematike kishte pikërisht zvogëlimin e parkut. Atëhere si shoqatë profesioniste e Arkitektëve dhe Planifikuesve Urbanë ngremë pyetjen: përse duhet të shpenzoni fonde të tjera nga taksapaguesit Shqiptarë për të bërë një plan tjeter për Tiranën? Mos vallë me ‘parqe vertikale prej betoni dhe gjelbërimi’ që është parrulla juaj e re e Planit Rregullues keni parasysh pikërisht zhdukjen përfundimtare të çdo gjelbërimi në Tiranë?
Në përfundim ju kerkojmë:
– Të pezulloni fillimin e ndërtimeve në hyrjen e parkut nga rruga e Elbasanit;
– Plani i ri rregullues të korrigjojë kufijtë e parkut dhe t’i rivendosë aty ku kanë qenë;
– Të ndërhyni urgjentisht me zonat e tjera të parkut që janë vënë nën presion dhe ku parkimet e lavazhet kanë mësyrë tashmë në thellësi (në të kundërt na lind e drejta të besojmë që edhe këto zona do t’i jepni leje ndërtimi);
– Të shënoni fizikisht kufijtë e parkut (si në praktikat e New York-ut, Vienës, Parisit, etj.) për të markuar kufirin dhe për t’i dhënë fund mësymjes dinake. Brenda kufirit të parkut të bëhet vetëm mirëmbajtja e infrastrukturës ekzistuese dhe jo ndërhyrje të tjera;
– Të nxirren jashtë parkut të gjitha objektet që nuk kanë lidhje me parkun;
Mbetemi me shpresë se jo vetëm funksioni juaj si Kryetar Bashkie, por edhe ndjenja e qytetarisë që mund t’ju ketë mbetur, këtë herë t’ju bëjë të veproni në dobi të interesave publike!
Me respekt,
Kryetari i AUA: Ledian Bregasi
Sekretari i AUA: Sotir Dhamo