Home KRYESORE Zgjohu Prishtinë, arsyeto Kosovë!

Zgjohu Prishtinë, arsyeto Kosovë!

Nga Suzana Tahiri

Kosova përjetoi në seancën e fundit në parlament ngjarjen më të shëmtuar, më vetëdiskretituese, më shpartalluese, e cila u fiksua në mediat botërore si episodi më neveritës. Pavarësisht paralajmërimeve të miqve më të mirë të saj, përfshi vendet anëtare të NATO-s, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet ambasadorit të saj në Prishtinë, Bashkimit Europian përmes zyrës në kryeqendrën e shtetit më të ri të Europës, madje edhe të armikut tonë Serbisë (Presidenti serb deklaroi se nga destabilizimi i Kosovës nuk ka të mirë as Serbia), partia e ‘zjarrit” ose Vetëvendosja arriti të realizoi skenarin e saj antiperëndimor, madje duke përdorur edhe femrat deputete si kamikaze që për veprimet e tyre mund t’i kishte zili edhe formacioni më i zi në shkallë botërore, ISIS.

Natyrisht se kjo ngjarja e rëndë kaloi dhe forcat e sigurisë në Kosovë duhen përgëzuar për maturinë e tyre në normalizimin e situatës, Por më shumë se kaq, shqetësimi është për ata pak mbështetës që vijojnë të mbështesin AAK, Nismën dhe Vetëvedosjen, të cilët ka ardhur koha t’u thuhet se duhet të zgjohen, se është e domosdoshme të braktisin partitë politike që frymëzohen nga dhuna, që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të pandërgjegjshme u bashkohen shteteve që frymëzohen nga armiqtë tanë të përjetshëm.

Do të ishte jo e drejtë të pohohej se të gjitha veprimet dhe zgjidhjet e koalicionit actual qeveritar PDK – LDK janë më të mirat e mundshme, por një shtet i ri si Kosova nuk e ka komoditetin për të qenë pa qeveri dhe pa mbështetjen jetësore të bllokut euroatlantik, që domethënë pa institucione, pa pushtet ekzekutiv dhe legjislativ, pa pushtet të drejtësisë, pa pushtetin e mediave dhe opozita më e mirë nuk provohet me sa njerëz mbledh në shesh, por çka di të bëjë më mirë se kolaicioni që qeveris vendin.

Çdo qytetar kosovar ndihet një mijë herë i fyer kur mashtrohet disa herë nga pozita dhe opozita, teksa duhet të kërkojë më shumë nga forcat politike që të ketë më shumë investime publike, më shumë vende pune, më shumë institucione të drejta dhe një shtet normal ku si politiksni ashtu edhe qytetari janë të barabartë para ligjit.

8 vjet nga pavarësia e Kosovës janë shumë pak dhe të gjithë ne mund të bëjmë dallimin e madh mes institucioneve që kontrolloheshin nga regjimi serb dhe nga vetë shqiptarët. Në çdo rast edhe keqqeverisja e pozitës, edhe veprimi vandalist i opozitës, nuk ngjajnë askund me regjimin brutal të paradokohshëm, çka mund t’i thërrasim ndërgjegjes për sjellje më demokratike në të mirë të begatimit të Kosovës.

Share: