Home KRYESORE Aksion policor kundër shtetasve shqiptarë të Lëvizjes Vetëvendosje

Aksion policor kundër shtetasve shqiptarë të Lëvizjes Vetëvendosje

Policia e Kosovës ka arrestuar pak çaste më parë një nga njerëzit kryesorë të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Arbër Zaimi.
“Policia e Kosovës, sapo arrestoi aktivistin e Vetëvendosjes, Arbër Zaimi, vetëm për shkak se ka shtetësi të Republikës së Shqipërisë”, ka thënë Vetëvendosje përmes një postimi në fb. “Siç po duket, Qeveria e Kosovës është e vendosur që të largojë nga Kosova secilin qytetar të Republikës së Shqipërisë dhe, po aq e vendosur, që të lehtësojë intervenimet e ndryshme, legale dhe ilegale të Serbisë.
Isa Mustafa në njërën anë e ka hapur Kosovën ekonomikisht dhe politikisht ndaj armikut tonë shekullor, Serbisë, kurse në anën tjetër përherë e më shumë po shfaqë tendenca armiqësore ndaj Republikës së Shqipërisë”, thuhet në komunikatën e VV.
Sipas saj kjo përshtatet plotësisht me politikat e Kryeministrit për të kthyer ndikimin e Serbisë brenda Kosovës.
“Kjo qeveri që arreston opozitën, kërcënon gazetarët, deporton nga Kosova qytetarët e Republikës së Shqipërisë, është e papranueshme për qytetarët e Republikës sonë. Më 26 mars, masivisht do të dëshmojmë vullnetin tonë për ndërrimin e këtyre politikave që po e shkatërrojnë lirinë dhe demokracinë në Kosovë”, thuhet në postim.
VV më tutje ka shtuar: “Ne i bëjmë thirrje shtetit shqiptar që të përfshihet në këto skandale dhe të ndikojë që Qeveria e Kosovës të mos ndërmarrë veprime të tilla jodemokratike dhe absurde”.
Arrestimi i Arbër Zaimit pason atë të Boiken Abazit, një tjetër drejtues i VV po nga Shqipëria, i cili u ndalua dhe më pas u deportua nga Kosova duke u shpallur non grata për një periudhë të paktën dy vjeçare.
Share: