Home KRYESORE Deliri i shkrimtarit

Deliri i shkrimtarit

Nga Lis Bukuroca

Lexova disa mendime për Tetë Marsin nga gra dhe burra, por njëri më la një passhije të keqe. Për ditën e grave, që fton burrat të reflektojnë për barbarinë e burrit ushtruar ndaj grave, Ardian Vehbiu, shkrimtar, paska bërë një apel krejt origjinal për bojkotimin e gazetave, që publikojnë imazhe erotike, që ai i klasifikon si pornografike.

Ata që nuk shikojnë gazeta të tilla, ose faqe të tilla online, nuk u bie ndërmend të artikulojnë aso kërkesa për Tetë Marsin. Demokracia i beson lirisë individuale të njeriut, jo kërkesave individuale si në teokraci, despotizëm apo diktaturë. Ai apel mund të mbështet edhe nga senilët dhe impotentët. Ndoshta edhe nga homoseksualët për të mënjanuar konkurrencën. Ato imazhe mund të traumatizojnë njerëz, që urrejnë bukurinë femërore apo që nuk perceptojnë atë. Nuk mund të besohet se shkrimtari nuk kupton thelbin e demokracisë, as nuk mund të besohet se nuk njeh botën e spektaklit. Shkrimtarit duhet t’ i tregojë dikush se nuk jetohet në kohën e xhaxhit dhe se ato zonja gjysmëlakuriqe, kanë dinjitetin e vet dhe autori, mund të evitojë shikimin, por në ditë e grave, që i kushtohet ndërgjegjësimit të burrit, nuk mund të shahen ato gra, pse nuk vishen siç kupton botën Ardian Vehbiu dhe Homeini. Ja një fragment nga apeli i shkrimtarit me fondament dhe ceparak stalinist:

“Le ta kremtojmë, këtë vit, duke BOJKOTUAR të gjitha ato faqe online dhe jashtë linje, që i nxjerrin kliket duke shitur mish femrash lakuriqe dhe modele të prostitucionit, të objektifikimit të gruas dhe të trajtimit të saj si lodër në duart e “të fortëve.”
Zakonisht mizogjinët reduktojnë gratë në “mish”, ” modele të prostitucionit”. Të quheshin në Gjermani “modele prostitucioni”, imazhet erotike, do të paguhej një gjobë e madhe, ose nja gjashtë muaj burg, sepse dinjiteti i gruas, mbrohet me kushtetutë dhe nuk mund të cenohet, pse një shkrimtari ballkanik, nuk i pëlqen bukuria eksplicite femërore.
Sipas ligjit edhe ato gra, kanë dinjitet të cilën duhet ta mbrojë shteti. Të quhen “modele prostitucioni” këngëtaret, modelet, që u ofrojnë publikut imazhe erotike, është arrogancë komuniste dhe shpërthim mizogjinist.

Pse shkrimtari nuk kërkon të ndalohet lakuriqësia tek burrat, por këtë e kërkon te gratë? Pse shkrimtari nuk kupton ato nuanca, ato rrëshqitje dhe pse qenka turp për një grua, por jo për një burrë? A nuk shfaqen dhe burrat lakuriq, madje edhe në boks? Pse shkrimtari nuk bën apel të mos shikohen edhe gazeta, që bëjnë publike burra muskuloz dhe më pak të veshur se gratë? Pse shkrimtari mendon se ka të drejtë të çaraveshet dhe shkalavesh dhe shkarravesh ashtu në ditën e grave, kur ajo pjesë e popullsisë, që bënë foto të tilla, është krejtësisht margjinale dhe periferike? Pse shkrimtari nuk shpërfill ato gazeta, por kërkon një kope që do t’i bashkëngjitet? Pse shkrimtari lirisë individuale dhe barazisë gjinore, i përgjigjet me trauma dhe aberracione të tilla? Dhe, çfarë thotë shkrimtari se duhet të bëjmë?

“Të shpërfillim të gjitha ato faqe që trafikojnë me imazhe të shëmtuara femrash të shëmtuara, të manifakturuara për blerës të shëmtuar. “

“Imazhe të shëmtuara femrash”, e lexuat mirë. Të gjitha ato gra të bukura, zakonisht tregu nuk sjellë gra të shëmtuar, sepse nuk do të sillni klikime, për shkrimtarin janë të shëmtuara dhe kur dimë se çdo prononcimi jonë, flet pikë së pari për perceptimin dhe ndjesinë subjektive. Atë apel shkrimtari i drejton në rend të parë vetvetes. Dhe, duke përjetuar ato gra si të shëmtuara, të shëmtuar quan edhe ata që kanë një libido akoma të gjallë, ose që ato imazhe përjetojnë si art, ose ndryshe.

Për të treguar epërsinë intelektuale, ja çfarë i thotë lexuesit Komiteti Qendror i Partisë së Punës:

“Të gjitha ato faqe që në thelb dhe moralisht nuk dallojnë nga trafikantët e prostitutave, kodoshët e V.I.P.-ave dhe sekserët e vesit; “

Domethënë shkrimtari njeh mirë trafikantët e prostitutave, njeh dhe kodoshët e V.I.P.-ave dhe ato V.I.P.-a, më lartë i quajti prostituta. Këtu i drejtohet redaksive me një epërsi arrogante komuniste. Pinjolli i komunizmit kritikon borgjezinë dekadente, që po shfrytëzon klasën punëtore dhe gruan. E çfarë paskan ndërmend “kodoshët”, që për shkrimtarin janë gazeta online dhe jo? Ato “po duan t’u mësojnë vajzave dhe grave se e vetmja punë, me të cilën gruaja sot mund ta nxjerrë bukën dhe kushedi të fitojë pavarësinë ekonomike, është të zbavitë seksualisht burrat;”

Një njeri që kupton demokracinë, din shumë mirë se kurrë të gjithë njerëzit nuk kanë dëshira të njëjta dhe se në ditën kur synohet barazia, nuk flitet për prostitucion, që dikush shtypjen e grave të përligj me imazhet dhe apelin tutorist të shkrimtarit, që i ka ngelur ora në diku në mesjetë!

Pse shkruhet apeli? Ai shkruhet për t’u thënë analfabetëve: dëgjoni, unë jam autoriteti etik i juaji, unë di të vërtetën dhe njoh pasojat. Ju mbeteni të moralshëm, të dëlirë, vetëm duke bojkotuar ato gazeta! Ashtu siç na mëson xhaxhi dhe Kalifati!

Apeli shpjegon tutje se ato imazhe bëhen “ për t’iu shitur pastaj si mall banaku konsumatorëve seksualisht të papjekur, të frustruar dhe të tredhur.” Çudi e madhe se si shkrimtari ka atë aftësi hyjnore për të njohur vështruesit, madje dinë edhe se ata janë të tredhur. Zakonisht të tredhurit nuk kanë nevojë të shikojnë imazhe të tilla, sepse testosteroni është në fund të pusit, por do t’ishte e kuptueshme, por jo e pranueshme, kur i tredhuri paragjykon imazhet erotike. Pse përpiqet me plot zjarrmi shkrimtari të rrisë kastën e tredhur? E pastaj, ku ka futur duart dhe si i ka futur shkrimtari, që ka kuptuar se ata që shikojnë ato imazhe, janë të tredhur?

Cili qenka rreziku nga ato gra në gazeta dhe çfarë duhet të bëjë shqiptari? Lexoni konstatimin e shkrimtarit: “T’u tregojmë këtyre tregtarëve të grave karrem, se nuk do t’i lëmë të nxitin, të pandëshkuar, një model të jetuari që do ta shpërbënte krejt shoqërinë shqiptare, ose atë që ka mbetur prej saj.”
E lexuat mirë? “T’u tregojmë këtyre tregtarëve të grave karrem, se nuk do t’i lëmë të nxitin, të pandëshkuar…” Si thoshte xhaxhi: t’i tregojmë botës se hamë barë, por nuk bëhemi si ju!

Domethënë, shkrimtari është i bindur se me ato fotografi, shpërbëhet shoqëria shqiptare, siç është shpërbë Perëndimi për shembull, ku shkrimtari parapëlqen të jetojë. Pra, aty nga vjen kjo liri për t’u fotografuar edhe lakuriq. Ju kujtohet si stigmatizonin tutorët e shkrimtarit atë shfaqje që ai me fjalë tjera, por me mesazh si stërpik i tyre? Ata quanin dekadentë dhe jetë mikroborgjeze dhe apelonin të ruhet shoqëria nga shpërbërja, nga degjenerimi, si shkrimtari Ardian Vehbiu në ditën e Tetë Marsit.

Dhe, çfarë duhet të bëjmë pas fitores? “…t’i themi pastaj njëri-tjetrit se këto vajza dhe gra, të cilave po u nxirren në vitrinë pjesët e gjymtuara të trupit, të ndenjurat dhe gjinjtë dhe fundbarqet dhe kofshët, janë gjithmonë nënat, motrat, bijat, gratë, shoqet dhe të dashurat tona.”

E lexuat mirë pse ai kërkon atë bojkot? Sepse ato tregojnë pjesë të gjymtuara. Ai sheh tek ato gra gjymtime vetëm. Gjymtime nuk mund të jenë as erotike as pornografike. Ajo industri, nuk është ashtu e çmendur, sepse vështruesi ka shije të madhe, por jo shkrimtari. Dhe, për ta përforcuar urrejtjen ndaj atyre imazheve i thotë lexuesin se ato gra cullak janë ” …gjithmonë nënat, motrat, bijat, gratë, shoqet dhe të dashurat tona.” E pse t’u themi kur nuk i kemi as motra, as halla, as teze, as gra? Kërkesa mirëpo nuk është aq naive sa duket. A nuk vëreni krijimi e lidhjes së gjakut në mes grave në gazeta dhe kërkesës për ta quajtur njëri tjetrin motër e vëlla, siç bëjnë ushtarët e Kalifatit, ose shok e shoqe, siç bënte komunizmi?

Autori duket se nuk është informuar si duhet për gjendjen e gruas, prandaj thotë:”Të kuptojmë se një shoqëri maskiliste që deri dje e keqtrajtonte gruan duke e mbyllur e mbuluar dhe duke e…”

Të gjitha statistikat dëshmojnë se gruaja shqiptare është më e shtypura në Europë, por ai thotë, një shoqëri që deri dhe keqtrajtonte, domethënë jemi në epokën e postbarazisë. Apeli tij nuk mund të kuptohet vetëm si thirrje për të bojkotuar gazeta, por për të ngritur një panik nga barazia e gruas. Apeli dëshiron të rrisë moralin mesjetar.

Shkrimtarë të tillë kanë shkruar shumë libra, por me asnjë roman, nuk kanë luftuar diskriminimin: nga hedonizmi privat, nga utilitarizmi dhe tani, duket se po kërcejnë nga mesjeta për të shpërndarë leksione morale nga doracakët e mesjetës, kur burri vendoste se çfarë duhet të bëjë gruaja. Ai predikon komunizmin, moralin komunist, mbikëqyrjen komuniste duke u ndjerë i katandisur në dy qytetërime. Ai apelon për shoqëri uniforme me dëshira dhe veshje si pionierë. Idetë dhe qëndrimet bashkojnë njerëzit, imazhe të tilla lufton edhe Irani, edhe Kalifati.

Këtu qëndron arsyeja e ngecjes tonë. Tek shkrimtarët, që në mungesë të filozofëve dhe sociologëve të mëdhenj, japin mësime pa i kërkuar askush dhe vizatojnë një shoqëri sipas shijeve të veta. Shumë shkrimtarë shfrytëzojnë shterueshëm liritë në demokraci, por të tjerëve, dëshirojnë t’u pezullojnë lirinë e vendimit se çfarë duhet të bëjnë me jetën e tyre. Sipas tij, prostitutat nëpër gazeta shpërbëjnë një komb, siç kanë shpërbërë Perëndimin ku i pëlqen të jetojë moralistit.

Urim më pervers për Tetë Marsin, nuk kam lexuar në 30 vitet e fundit. Jo vetëm më pervers, por sugjestionues deri në palcë. Kjo është mënyra më efektive për ta luftuar barazinë gjinore, liritë dhe të drejta e njeriu duke ngritur panik në popull, edhe atë, nga shpërbërja. Jo duke luftuar vrasjen e diku 30 grave në Shqipëri në vit, por duke uruar Tetë Marsin me pezullimin e lirisë së gruasë.

Ky tutorizëm mbi gratë është luftuar qysh gjatë revolucionit francez dhe do t’ishte çmendur Voltaire, de Sade, Baudlaire, Rimbaud, sot edhe Catherinëe de Millet, sikur të dinin se në vitin 2016, një shkrimtar shqiptar, do të quante kurva imazhet erotike të grave.

Share: