Home KRYESORE Demokracia nuk bazohet në organe gjenitale

Demokracia nuk bazohet në organe gjenitale

Nga Lis Bukuroca

1 Të bëhemi të sinqertë:
një popull që nuk lejon depërtimin e ligjeve të demokracisë brenda familjes, dmth. në shtëpi, ai popull nuk do të jetë kurrë në gjendje të ndërtojë shtet ligjor.

Demokracia nuk bazohet në organe gjenitale. Demokracia i beson dinjitetit të njeriut, të idividit. Nëse shkelim parimet dhe ligjet e demokracisë në shtëpi, nuk kemi ftyrë të kërkojmë respektimin e tyre jashtë, e as nuk është reale të priten.

Domethënë, ndërtimi i shtetit ligjor nisë brenda familjes. Kur shumica e familjeve kryejnë detyrën e vet, shteti ligjor do të ndërtohet paralelisht. Mirëpo, meqenëse patriarku ka frikë nga barazia, edhe shteti do të ketë frikë nga drejtësia.

Në shtet janë të punësuar ata që diskriminojnë në shtëpi dhe nëse bëhemi të sinqertë, do ta kuptojmë, ku dhe kundër kujt duhet nisur lufta.

2

Nuk dëmtohet një komb vetëm nëse i ndalohet shkollimi,

një komb dëmtohet edhe për disa breza, kur notat nuk janë pasqyrë e dijes.

Një komb nuk mund ta dëmtojë një pushtues, sa mund ta dëmtojnë arsimi i keq; medikoritetet nëpër fakultete dhe shkollat tjera.

Një profesor që fal apo shet nota, ose nota e profesorit nuk është e barasvlefshme me dijen e teguar, ai profesor, është armiku më i madh i ardhmërisë së një populli!

Prandaj armikun e ardhmërisë dhe arsyen e mjerimit sot, nuk duhet kërkuar jashtë, armiku gjendet nëpër të gjitha nivelet e shkollave shqipe, që edhe këtë shekull, do të na garantojë vendin e fundit në Europë, në të gjitha fushat…

3
Dashuria ndaj atdheut nuk tregohet me qifteli dhe këngë kreshnike:

as duke u fotografuar pranë përmendoreve të heronjve

as duke u mburrur me veprat e tyre

as duke urryer kombe tjera

as duke shpërfillur defektet brenda kombit:

Dashuria tregohet duke luftuar çdo anomali që shfaqet dhe,

duke paguar tatime dhe, duke denoncuar të ligat që i bëhen shtetit.

Kur të tmerrohemi nga tradhtia që i bëhet shtetit më shumë se sa tradhtia eventuale e gruas, atëherë dëshmojmë pjekurinë kombëtare.

Tradhtia e një gruaje mund të dëmtojë sedrën e një njeriu, tradhtia ndaj vendit, rrënon sedrën e një kombi!

Share: