Nga Ndue Ukaj
Europa ime, Ti sot sulmohesh barbarisht. Sulmohesh nga njerëz të cilëve u ofrove dashuri, strehim e mirëqenie. Ti sot sulmohesh barbarisht, pse mbron dhe afirmon vlerat e çdo qytetari, duke lanë anash dallimet.
Europa ime, Ti sulmohesh pse je strehe e gjithë atyre që mbesin pa liri, pa strehim dhe të braktisur nga shtet e tyre ku mbizotëron dhuna. Uturimat e britmat kundër teje janë trishtuese, por ato nuk mund të mposhtin.
Sepse ti je mësuar me sfida. Sepse liria jote është ma e fuqishme se robëria e tyre. Sepse humanizmi yt është më i madh se egërsia e tyre. Se dashuria jote është pakrahasimisht ma e fuqishme se urrejtja e tyre.
Një europian i madh si Umberto Eco, para një kohë pati shkruar se në historinë e mendimit europian, karakteristikë e përhershme është ideja e krizës, dhe aftësia e kapaciteti për kritika të brendshëm, për dialog të arsyeshëm, për hapje dhe evolucion drejt progresit e përsosmërisë.
Po, Europa sot po ballafaqohet me një krizë, por ajo ka kapacitete dhe vlera të mëdha për ta tejkaluar edhe këtë zymtësi të mëdha.