Home KRYESORE Evropa ka shkuar në Azi!

Evropa ka shkuar në Azi!

Nga Luan Kurti

Keni punuar mirë, tha Mogherini. – Jeni në rrugën e duhur për në Europë… dhe bëri me dorë nga Dajti a Tufina, hajde merre vesh… Kemi 25 vjet që jemi në këtë rrugën e duhur dhe prapë rruga nuk po soset! Po ku dreqin bie kjo rrugë xhanëm se na hëngri shpirtin? Ne vu, me punë, zgjidh çdo detyrë shtëpie dhe pa mbaruar të parat na ngarkojnë të tjera? Po pse mor Evro-pian ça jemi ne kafshë ngarkese? Ne lepe e peqe dhe ju na shtërngoni më fort rripat! Çudi e madhe! Vijnë këta të Evropit kohë e pa kohë, hanë e pinë për shtatë palë qejfe, i fusin ndonjë dorë muhabet para shtypit dhe kërcasin e ikin… Bravo, – na thonë, na rrahin shpatullat, dhe prapë mbetemi për vjeshtë. Thënë shkoqur: “duhet ta nxirrni vetë gomarin nga balta!” Ata po janë kaluar, meazallah se na japin një dorë! Po pse ta bëjnë? Të na venë vetulla ne dhe të nxjerrin sytë e tyre?! T’i bien të mirës me shqelm: pagat, dieta, honoraret… “ T’i Shqipëri më jep nder!”, qenka shkruar enkas për ta! Sa më shumë që ata vijnë këtu, aq më shumë duket se i largohemi Europës! Mos është vizion, mirazh, halucinacion kjo punë?! Duket sikur Evropa ka shkuar në Azi…

Share: