Home KRYESORE Friedman, duhet lexuar

Friedman, duhet lexuar

Nga Azem Parllaku

 “Për atë që e sheh botën nga lart në mënyrë racionale, bota nga ana e saj paraqitet një aspekt racional, mardhënia është e ndërsjellë” Këtë sprovë e ka qasur në vitin 2009 George Friedman, i cili ka bërë një parashikim se çfarë do të ndodhë me superfuqitë dhe shtetet e tjera gjatë këtij shekulli. Themelues dhe drejtues ekzekutiv i grupit të parashikimeve me bazë në Teksas të quajtur “Stratfor” ai është nga ekspertët më provokativë për çështjet strategjike në Shtetet e Bashkuara. Prirjet që ndjek Fridman janë ato gjeopolitike, teknologjike, demografike, kulturore, e ushtarake.

Për ta bërë secilin nga ne të kuptojë më mirë metodën e tij, George Friedman e çon atë mbi 100 vite pas në kohë, në fillim të shekullit XX dhe e ve në pozitën e atij njeriut që jetonte në vitin 1900 dhe përpiqej që të kuptonte se si do të shkonte bota në 100 vitet e ardhshme deri në vitin 2000. Me këtë Friedman kërkon që ta bëjë lexuesin e tij, të kuptojë se nuk duhet të habitet nga parashikimi i gjërave më të çuditshme, të tmerrshme, dhe që duken të pamundura. Shqetësimi i parë i Friedman është për të gjetur se kush do të jenë sfiduesit e SHBA në shekullin XXI.

Ndryshe nga shumë studiues të tjerë të njohur, nuk e vlerëson Kinën si sfiduesen e madhe të SHBA në këtë shekull. Për të Kina është një “tigër prej letre” për shkak të problemeve të brendshme që ka. Ai nuk shikon as Rusinë si një rrezik për SHBA, se për të Rusia do të hyjë në kaos në vazhdim të shekullit XXI. Në fakt për Rusia nuk është se po përjeton ndonjë zhvillim mbreslënës në ekonominë e saj, përkundër sanksionet e ndërkombëtarëve, rënia e çmimeve të naftës dhe rritja e nevojave për shpenzime ushtarake, me siguri do t’a ekspozojnë Rusinë përballë krizës.

Tre janë vendet që identifikohen si sfiduesit kryesorë të SHBA, më konkretisht Japonina, Turqia dhe Meksika. Për të Japonia është sfiduesi kryesor i SHBA në shekullin XXI dhe Turqia do të jetë aleati kryesor i Japonisë. Madje autori parashikon se rreth vitit 2050 do të bëhet një luftë botërore midis SHBA nga njëra anë dhe Japonisë e Turqisë nga ana tjetër. Në këtë luftë aleati kryesor i SHBA do të jetë Polonia. Sipas Friedman, politika amerikane në Europë, në shekullin XXI do të mbështetet tek Polonia, për shkak edhe të rënies së Gjermanisë.

Në ditët e sotme Gjermania është fuqia kryesore e Europës, e ndoshta ka pak gjasa që t’a lëshojë këtë pozitë, edhe pse konfliktet me armë dhe refugjatët në kufijtë e kontinentit, e kanë ftuar në rol determinues Gjermaninë dhe ekonominë e saj. Autori hyn në hollësi të përshkrimit të kësaj lufte, me një stil tërheqës, duke përshkruar plane ushtarake, beteja, manovra diplomatike, aq sa të duket se je duke lexuar një libër historie, për ngjarje që tanimë kanë ndodhur dhe jo parashikime për të ardhmen. “Me traktate apo pa traktate, aty ku shkon njerëzimi shkon edhe lufta.

Meqenëse njerëzimi do të hyjë në hapsirë, në hapsirë do të ketë luftë”. Në vazhdim eksperti amerikan parashikon dhe një luftë mes SHBA dhe Meksikës në fund të shekullit XXI. Ai shkruan: “Ideja se shekulli XXI do të kulmojë me një përplasje midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sigurisht që është e vështirë për t’ u përfytyruar. Por fuqizimi i Meksikës, që do të kërkojë të rifitojë territoret që SHBA ia ka marrë me forcë dikur, rritja e madhe e emigracionit meksikan në SHBA, do të çojë në konfliktin mes dy vendeve të mëdha fqinje”. Kandidati për president i SHBA-së, Trump është qasur radikal sa i përket mardhënieve me Meksikën, madje ai ka artikuluar dhe mjndësinë e ngritjes së një muri “të sigurtë” ndarës midis dy vendeve kufitare.

Përveç këtyre linjave kryesore, eksperti Friedman ka dhënë përshkrime interesante për atë që do të ndodhë gjatë shekullit XXI në Rusi, në Kaukaz, në Ukrainë. Se cfarë ndodhi në Ukrainë, tashmë është e ditur botërisht, teksa analistë të shumtë kohëve të fundit, parashikojnë që spiralja e pasigurisë dhe e dhunës, të mbërthejë Kaukazin. Autori përshkruan në mënyrë mjaft tërheqëse se si do të shkojë konflikti i SHBA me ekstremistët islamikë dhe se cila do të jetë e ardhmja e botës islamike. Sa i përket kësaj ceshtje referuar zhvillimeve aktuale, goditja rezulton të jetë në shenjë.

Përshkrimet interesante për Ballkanin, ku përmenden edhe shqiptarët, janë “intriguese”. Historikisht, Ballkani ka qenë një vatër zjarri në Europë. Ai ka qenë rruga e romakëve për në Lindjen e Mesme, si dhe rruga e turqve për në Europë. Blloku polak do të përplaset me turqit në Adriatik, ku problem do të jetë hyrja për në Mesdhe, kjo gjë do të varet nga kontrolli i Ngushticës së Otrantos. “Turqia do të ketë marrdhënie të ngushta me vendet myslimane në Ballkan, me Shqipërinë dhe Bosnjën e kontrolli i Otrantos do të jetë shumë i nevojshëm…” citon Friedman.

Eksperti në parashikimet që bën, përqendrohet tek gjeopolitika, dhe këtë e bën duke nxjerrë një mësim nga shekulli XX, kur thotë: “Askush nuk mund t’ i përfytyronte detajet e sakta, por konturi i përgjithshëm i shekullit XX mund të kuptohej. Kjo është ajo që unë jam përpjekur të bëj : të konceptoj shekullin XXI me gjeopolitikën si guidën time parësore”. Për të krijuar një ide, për atë se sa interesant është eksperti në qasjet e tij, janë këto temat e trajtuara në mënyrë mbreslënëse dhe profesionale nga ana e tij: “Agimi i epokës amerikane”, “Tërmeti: Lufta Xhihad-SHBA”, “Popullsia, kompjuterët dhe luftërat kulturore”, “Linjat e reja të rrëshqitjes”, “Kina 2020: Tigri prej letre”, “Rusia 2020: ndeshja e dytë”, “Fuqia amerikane dhe kriza e vitit 2030”, “Shfaqet një botë e re”, “Vitet 2040: preludi i luftës”, “Përgatitja për luftë”, “Lufta botërore: një skenar”, “Vitet 2060: një dhjetëvjeçar i artë”, “Viti 2080: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Beteja për Qendrën Globale”.

azem perllakuNë fund të fundit secili është i interesuar për mënyrën e jetesës dhe sjelljen në botën ku do të jetojnë pasardhësit e tij. Fridman na kujton se: “Institucionet e vjetra shoqërore janë shkallmuar, por institucionet e reja nuk kanë dalë ende. Shekulli XXI do të jetë periudha në të cilën një gamë institucionesh të reja, sistemesh morale dhe praktikash do të nisin përpjekjen e parë të tyre për dalje. Gjysma e parë e shekullit XXI do të shquhej në mënyrë globale nga një konflikt i madh shoqëror. E gjithë kjo rajëvizon betejat ndërkombëtare të shekullit XXI”. Friedman shkruan se: “Thelbi i metodës që kam përdorur në këtë parashikim ka qenë që t’ u hedh një vështrim shtrëngesave që u dalin njerëzve dhe kombeve, për të parë se si ata detyrohen të sillen në përgjithësi, për shkak të këtyre shtrëngesave, dhe pastaj të përpiqem të kuptoj rrjedhojat jo të pikësynuara që i sjellin këto veprime”.

Share: