Me rastin e 22 marsit, LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë, organizoi një takim reflektiv me intelektualë, pedagogë dhe studentë për të rikujtuar datën që 24 vjet më parë shënoi aktin madhor qytetar e politik të rrëzimit të diktaturës komuniste me votë gati gati referendare.
Takimi nisi me 1 min heshtje per viktimat e akteve terroriste ne Bruksel. Galdini u shpreh në emër te LDE se : “Terrorizmi nuk mund të jetë as e sotmja dhe as e nesërmja e kësaj bote. I gjithë njerëzimi duhet të ngrihet në këmbë kundër antijetës dhe antinjeriut që manifestohet kaq brutalisht nëpërmjet akteve terroriste që marin jetë të pafajshme njerëzore. LDE u shpreh ngushellime të sinqerta familjeve të viktimave të akteve terroriste në Bruksel, si edhe Qeverisë së Belgjikës. Së bashku refuzojmë frikën, luftojmë të ligjtë që nuk kanë në terrorin që kryejnë as fe, as etni, as ngjyrë, e asgje njerëzore. Së bashku triumfojmë me solidaritet, dashuri, liri dhe vlera njerëzore.”
Me tej Kryetari i LDE Arian Galdini në këtë takim kujtoi se :”Në dt 8 dhjetor 1990, studentët nisën betejën kurajoze për ta kundërshtuar diktaturën komuniste. Populli shqiptar iu bashkua studentëve dhe u desh një betejë e gjatë deri në atë 22 mars të vitit 1992, që qytetari shqiptar të triumfonte mbi tiraninë. Por ne qytetarët shqiptarë, sa kemi arsye ta kujtojmë e festojmë këtë ditë të triumfit të qytetarit me votën e lirë, mbi totalitarizmin, aq edhe kemi arsye të trishtohemi me veten tonë për këtë ditë. Sepse në atë 22 mars 1992, ne qytetarët shqiptarë, votuam të lirë, ndëshkuam despotët komunistë dhe lamë në mes betejën tonë qytetare për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë tonë të brishtë. Ne që rrëzuam me votën e lirë rregjimin e Partisë së Punës, çuditërisht e paradoksalisht ia lamë në dorë një Partie të re dhe Pluralizmit Partiak, fatet e lirisë dhe demokracisë sonë. Në atë 22 mars 1992, ne rrëzuam rregjimin e një Partie, dhe e dorëzuam lirinë e demokracinë tonë në mirëbesim të plotë në duart e shumë partive. Brenda asaj dite kemi edhe triumfin edhe dorëzimin. Fatkeqësisht, kultura partitokratike e para dhjetorit 1990, u bë edhe fryma e përmbajtja e sistemit të ri. Partitë e pas 1990, morën nën kontroll çdo qelizë të jetës politike, shoqërore, institucionale, kulturore, financiare, mediatike, etj. Popujt e Partive, ia morën frymën qytetarit. Qytetari u dobësua, u mek, u spraps dhe u mbyt nga Popujt e Partive. E ja ku jemi sot, në kohët kur qytetari nuk ka zë, ndërsa militanti është gjithçka. Sot qytetari nuk ka as fuqi, as mundësi, as shanse, as punë, as meritokraci, as drejtësi, as shkollim, asgjë. Militanti mund ti ketë të gjitha këto ose diçka prej këtyre. Ndaj duhet ti referohemi 22 marsit si dita e triumfit por edhe e dorëzimit të qytetarit.”
Kryetari i LDE Arian Galdini bëri thirrje që: “Opozita shqiptare, e veçanërisht Partia Demokratike, duhet të ndërmarin nismën për një Tryezë të madhe Politike e Qytetare nën moton për rithemelimin e demokracisë dhe lirisë në Shqipëri. Liria dhe demokracia, kanë humbur, janë tjetërsuar, janë denatyruar, janë kthyer në produkte tregu të pistë dhe ilegal. Partitë janë bërë streha pakicash plaçkitëse, horrash dhe grykësish e lakmitarësh të harbuar. Sipas një studimi të bërë nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë, rezulton se në Shqipëri, një mandat deputeti kushton përafërsisht 2 milion euro. Pra për të fituar një mandat deputeti, ose individi, ose Partia, duhet të kenë 2 milion euro në gatishmëri. Në këtë kosto janë kalkuluar paratë që individët paguajnë tek krerët e Partive, për të siguruar kandidimin dhe pozicionimin në listë, paratë që kandidati përdor për fushatën elektorale me të gjitha shpenzimet e mira dhe të zeza, si edhe paratë që përdor Partia për të gjithë Fushatën Elektorale. Janë kalkuluar me përafërsi të gjitha zërat e shpenzimeve të mira dhe të zeza, të dukshme, të deklaruara e të padeklaruara, që bëjnë Partitë Politike gjatë një Fushate Elektorale dhe shuma e përgjithshme me përafërsi është dramatike, po të mendosh varfërinë e skajshme në të cilën jetojnë qytetarët shqiptarë. Nëse bëjmë një shumëzim të thjeshtë, 140 deputetë x 2 milion euro, del se në vendin më të varfër të Europës, Fushata Elektorale e Partive Politike, u kushton qytetarëve plot 280 milionë euro, pra 5% të Buxhetit Shtetëror. Kjo është marrëzi e plotë që duhet ndalur me çdo kusht. Nëse e drejta e qytetarëve për të zgjedhur e për tu përfaqësuar kushton kaq shtrenjtë, atëherë nuk kemi më as demokraci, e as liri, por treg të zi. Dhe në një shoqëri me 37% deri 50% te ekonomisë informale, është e afërmendshme se të tilla kosto për tu zgjedhur, i përballojnë më së shumti njerëzit më të ligj të këtij vendi. Ndaj nese PD dhe Opozita, duan realisht të bëjnë një vepër të madhe publike sot pas 25 vitesh, është pikërisht kjo. Tu sigurojnë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme. Me Zgjedhjet si Treg i Zi, do shkojmë nga autarkia në despotizmin mafioz. Zgjedhjet duhet të jenë të lira e të ndershme dhe me kosto të përballueshme për njerëzit më të mirë e më të merituar të këtij vendi që të zgjidhen. Ne si LDE jemi Parti e re dhe kemi ide, alternativa, opsione, por nuk kemi numrat ende. Ndaj edhe ia bëjmë këtë thirrje publike Partisë Demokratike që ta drejtojë ajo këtë betejë qytetare e politike për rithemelmin e demokracisë dhe lirisë në Shqipëri. LDE shprehet e gatshme të ulet në Tryezë me cilëndo Parti Politike që mer persipër të mbështesë e udhëheqë këtë proçes të madh e jetik të rithemelimit të demokracisë dhe lirisë në Shqipëri.”