Home KRYESORE Gënjeu Kryeministri Mustafa!

Gënjeu Kryeministri Mustafa!

Nga Lis Bukuroca

Kur të lexohet deklarata publike ngadalë dhe jo vertikalisht, aty na shfaqet krejt potenciali mendor i Kryeministrit dhe ai, për fat të keq, është për të ardhur keq. Me atë deklaratë, ai tregon se nuk ka as këshilltarë si duhet, ose i ka formalisht, sa për t’i punësuar. Nëse është konsultuar dhe ata janë pajtuar me atë shkarravinë mediokre, atëherë ata janë në gjendje shumë më të mjerë intelektuale, se padroni i tyre.

Kryeministri nuk është tutor i vëllait dhe nuk është dashur të justifikohet për vëllanë e vet. Ai thjesht ka mundur të deklarojë:

”Të nderuar qytetarë, vëllai është i moshës madhore dhe nuk mund ta kufizojë në jetën e tij. Më vjen keq që është detyruar të abuzojë me ligjin e azilit, por nuk kam mundur ta ndryshojë as në vitin 2010 në Belgjikë, e as vitin e kaluar në Francë dhe as në Gjermani. Fundi i fundit, as ai nuk ka mundur të ndikojë tek unë, kur punoja me Rrahman Morinën. Në anën tjetër, nuk arrij të kuptojë, si mund të shpërfillet ligji në Gjermani dhe të cendurronte një lajm i tillë, që ndalohet me ligj.”

Kaq, asnjë fjalë më tepër. As nuk është dashur t’i japë intervistë Radios Europa e Lirë dhe t’i tregojë Europës se Kryeministri, u rekomandon kosovarëve shkeljen e ligjit, nëse kanë një sëmundje të rëndë. Pastaj ëndërro liberalizimin…

Ai nuk u shpreh si duhej, por nëpërmjet facebookut, u përpoq të ngjallë empati tek qytetarët, çfarë shumë veta, e shprehën edhe me shkrim në faqen e tij. Në anën tjetër, justifikimi i aktit, dërgonte mesazhe se ligjet ekzistojnë, vetëm derisa nuk pengohet qytetari, por në rast nevoje, ato mund të pezullohen.

Kur sëmundja është aq e rëndë, sa mund të shkaktojë vdekjen e strehimkërkuesit, atëherë nuk kthehet prapa, edhe kur nuk plotëson asnjë kusht që përkufizon ligji i azilit. Fitohet qëndrimi për arsye humanitare, edhe këtë, pasi të jenë konsultuar informacionet që posedon Zyra Federale, respektivisht Gjykata. Informacionet mund të jenë nga Ministria e Punëve të Jashtme, ose nga shoqata të pavarura të refugjatëve. Në arsyetim të refuzimit i shkruhet refugjatit edhe mundësia e mjekimit në atdhe, si edhe harxhimet e nevojshme dhe çmimi i barnave. As Franca, as Gjermania, nuk kthejnë prapa një njeri me sëmundje shumë të rëndë. Këtë do ta ndalonte mjeku dhe pastaj, do ta fuqizonte gjykata.

Shkurt e shqip, një njeri i sëmurë nuk dëbohet pa u certifikuar nga mjeku aftësia e përballimit të udhëtimit, edhe kur vjen nga një shtet i deklaruar si i sigurt nga RFGJ. Kur lexohet letra e tij dhe sëmundja e rëndë, krijohet përshtypje se në Francë dhe Gjermani, janë në pushtet partitë fashiste.

Nuk përfundon aty sugjestioni tij. Ai madje akuzon publikuesin e lajmit se më këtë, mund të përkeqësojë gjendjen e tij shëndetësore. Lexojeni: “ Dyshoj se mund t’i ndihmoj as Vehbi Kajtazi me Insajderin, por mund t’ia rëndojë dhembjet e tij të mëdha.“ Kryeministri nuk duhet aspak të dyshojë se Kajtazi mund ta ndihmojë. Kjo dihet. Ai nuk është mjek.

Në atë vetë-kallëzim publik, Kryeministri dëshmon se nuk mund t’ia lejojë vetes të paguajë një gjuhëtar që, merret me korrigjimet e shkrimeve të tij. Një Kryeministër që nuk respekton rregullat gjuhësore të gjuhës së vet, ai nuk ndjen asnjë obligim për të respektuar as ligjet.

Nuk është trishtuese vetëm ai justifikim infantil, por tmerruese është, se si mund të zhvillojë negociata, liberalizojë vizat apo sjell investitorë një njeri, me ato mundësi oratorike dhe gjykuese.

Në atë shkrim shihet mirë psikologjia e tij kognitive, dhe si është arritur tek marrëveshja e Zajednicës; çfarë fuqie intelektuale kishin Thaçi dhe Mustafa, që quanin fitore, shndërrimin e katundeve serbe në Kosovë, në një faktor të jashtëzakonshëm politik.

Sa herë mbahen zgjedhjet serbe, këta premtojnë se nuk do të mbahen në Kosovë. Ato mbahen vazhdimisht. Sa herë nënshkruajnë një marrëveshje me Serbinë, pëllasin, Serbia njohu Kosovën. Serbia mirëpo organizon në krahinën e vet zgjedhje elektorale. Sa herë takojnë një të huaj, piskasin, do të anulohen vizat. Vizat mbeten siç ishin.

Mënyra se si gjykon Mustafa, mund t’i falej një filloristi, por se ky njeri mund të sjellë investitorë në Kosovë, është e pamundur. Mustafa mirëpo nuk i ka fajet. I ka LDK, ajo turmë, që ministrin e Millosheviqit, e ngriti në piedestal nacional.

Ky është populli jonë dhe aftësia e tij për ta kuptuar politikën dhe makiavelizmin. Tek ministria e Fatmir Limajt, qenë zhdukur si shurra e pulës 300 milion euro. Populli e voton Fatmir Limajn. Tek Sali Berisha 220 milion euro, ai në vend se të ishte në burg për vrasje dhe plaçkitje, ai është “capo die capi” në Shqipëri.

Populli shqiptar nuk ka kuptuar akoma demokracinë. Duhen breza tjerë. Hashimi Thaçi me injorancën e tij qeverisëse, zhyti në mjerim vendin, por për të kaluarën e tij, u shpërblye me post kryetari. Populli në këtë gjendje nuk mund të ndihmohet dhe për fat të keq, Kosova edhe dyzetë vite tjera, do të jetë vendi i fundit në të gjitha fushat në Europë, nëse nuk ia bëjnë varrin më herët nepotizmi, korrupsioni dhe tradhtia.

Me politikanët që ka Kosova, integrimi në BE, as mund të ëndërrohet para vitit 2040. Kemi elitë politike, që është në gjendje t’ia shajë nanën popullit dhe të kërcënohen si rrugaçët. Kemi fat mirëpo që nuk kemi mundësi të dëgjojmë se si ka kanë menduar, si kanë gjykuar, si janë shprehur, kur kanë festuar nënshkrimin e Autonomisë në Bruksel. Isë Boletinin patëm dërguar me revole në Londër, në Bruksel çojmë rrugaçë ordinerë, që u mungojnë dy socializimet kryesore: sekondar dhe terciar, por artikulohen me primarin që kanë marrë në shtëpi.

Share: