Home KRYESORE Karavastaja, nga Aldo Bare tek Behxhet Pacolli

Karavastaja, nga Aldo Bare tek Behxhet Pacolli

Nga Mentor Kikia

Lexova sot një shkrim të koleges Alba Malltezi në gazetën Shqiptarja.com, lidhur me një projekt të kompanisë së Behxhet Pacollit, Mabetex, për ndërtimin e një resorti gjigand pranë Lagunës së Karavastasë.

Bregdeti ynë është thuajse i pashfrytëzuar. Nga Velipoja në Orikum, plazhet e mëdha ranore, më shumë janë mbushur me kasolle dhe gardhe, shpesh edhe me tela me gjemba, që ndajnë parcelat e rërës mes atyre që i kanë pushtuar me forcë ose me ndihmën e parave që u kanë paguar kryekomunarëve. Edhe aty ku ka hotele, ato janë thjeshtë konvikte, që reklamojnë si aset “Ujë dhe drita 24 orë”, pasi s’kanë asnjë infrastrukturë tjerë.

Një turizëm ku tualetet vazhdojnë të jetë ende kasolle me dërrasa 1 m2. Padyshim që ansjë turist i huaj nuk është shpuar në tru të vijë të humbasë kohën. Investimet e mëdha, si ai që befas mësohet se paska planifikuar të ndërtojë pasaniku i madh Pacolli, janë sinjale shprese. Por nga sa thuhet në media, kompleksi i Pacollit është projektuar fare pranë lagunës, të vetmes në Shqipëri që ka diversitetin më të madh të jetës së egër.

Që nga koha kur Divjakën bashkë me lagunën e kishte marrë më “koncesion” Aldo Bare, nga aty kishin marrë arratinë edhe zogjtë, edhe breshkat, edhe lepujt. Por vitet e fundit kur u përzunë me shkelma edhe matrapazët italinë që gjuanin edhe mushkonjat me cifte, jeta e egër u rigjallërua tërësisht. Kjo lagunë, sipas specialistëve, është tshmë aseti më i cmuar natyror i Shqipërisë, pasi në Alpe nuk ka ende linjë helikopterash për të fluturuar.

Por duket se edhe Karavastaja nuk e paska të gjatë.

Vërtet ne kemi nevojë për investime, por ndërsa kemi një bregdet tërësisht të pashfrytëzuar, përse duhet lejuar një kompleks pikërisht brenda në lagunë? Aty nuk ka vend edhe për shpendët e rralla edhe për njerëzit. Dhe, derisa njerëzit janë më të shumtë në numër dhe mund të bëjnë vend edhe diku tjetër, atëherë tua lëmë shpendëve atë lagunë. Në të kundërt, më mirë do të ishte ti rikthehej Aldo Bares, se të paktën ai lagunën e ruajti fizikisht.

Share: