Home KRYESORE Koha të thërrasim arsyen dhe të mendojmë racionalist

Koha të thërrasim arsyen dhe të mendojmë racionalist

Zhurma është karakteristikë e jetës sonë. E ndeshim kudo: në institucione, rrugë, kafe, punë, aeroport, shkolla, biblioteka, universitete. Nëse kjo s’është çështje e karakteri, është mungesë e sensit estetik të refuzimit të turmës, epidemisë së zhurmës.

Njerëz, ka ardhur koha të ndalemi. Ta thërrasim arsyen dhe ta analizojmë ku jemi.

Shoqëria jonë ka nevojë të shërohet nga plagët e shumta: të shtresuara e të trashëguara. Kështu si po flasim e shkruajmë, si po e informojmë e dezinformojmë, po ia shtojmë plagët dhe po ndikojmë që të rritet e keqja e të tkurret e mira. Po ndikojmë në shtimin e urrejtjes dhe zvogëlimin e dashurisë, ndaj vetvetes dhe të tjerëve.

Njerëz, vendi ynë ka nevojë për ma shumë dashuri për njeriun. Për ma shumë besim e humanizëm. Për ma shumë lajme të mira. Për më shumë kulturë. Për më shumë dije. Për më shumë njerëzi.

Duhet t’ i themi stop epidemisë së zhurmës, e cila na ka përfshi kudo.

Duhet të refuzojmë rolin e gjithologve, të gatshëm për të dhënë mendime për çdo gjë dhe në çdo kohë. Nga politika te historia, nga kultura te feja, nga seksi te ekonomia…pa pra!
Njerëz, përvoja dëfton se kur një shoqëri shkatërrohet shpirtërisht, mundësitë që ajo të ringritët, janë minimale.

Prandaj, është koha të themi s’dimë. Të heshtim. Të thërrasim arsyen dhe të mendojmë racionalist me çfarë lajme po e ushqejmë shoqërinë.

Neve nuk do t’ na falet nëse e edukojmë edhe një brez që rri me sy e veshë kah lajmet. Ka helmi i gjuhës.

Është thënë e stërthënë se e kemi kontaminuar shoqërinë me helm. Me lajme të pista. Duke mos pasur kujdes për pushtetin e gjuhës. Me përbaltje e etiketime për çdo kënd.

Po, është koha ta thërrasim arsyen dhe ta kultivojmë humanizmin. Si parakusht për një shoqëri të shëndoshë e homogjene. Ndryshe, humnera është pranë këmbëve tona.

Share: