Home KRYESORE Komunizmi rri pas dere dhe përgjon kriza

Komunizmi rri pas dere dhe përgjon kriza

Frrok ÇUPI

Komunizmi është gjallë, edhe pse brohoritëm para 25 vjetësh se “vdiq”. Për ta parë sa i gjallë është, shikoni kur shfaqen kriza; o krizat botërore o krizat lokale. Atëherë komunizmi ngre kokën dhe bën punën e vet… Si të thuash, gjatë kohës rri pas dere dhe pret kriza.

Nuk e patë si ngriti kokën komunizmi i mposhtur në Poloni? Kur kjo ndodhi në Poloninë me shpirt të thellë anti-komunist, vallë çfarë bën komunizmi në këtë vend ku rrënoi gjithçka për katër dekada? Kishte rrënuar njeriun, të parin dhe të fundit. Kur atje u kthye si papritur!

Dje, pardje e pak ditë më parë, në Poloni kanë sulmuar Leh Valesën, njeriun që krijoi dhe udhëhoqi Solidarnostin, i cili përmbysi komunizmin. Valesën e kanë shpallur “bashkëpunëtor të Sigurimit”, sikur paska qenë që në vitin 1970… Mijëra qytetarë të Polonisë janë ngritur në protesta të fuqishme, nën sloganin: “Për polakët, mbrojtja e demokracisë dhe mbrojtja e Valesës është e njëjta gjë!”. Pardje ishin në shesh 80 mijë; nesër pritet të dalin 150 mijë.

Pse u ngritën kaq shumë njerëz?… Të prekurit nga rënia e komunizmit, gjetën rast të sulmonin ikonën antikomuniste, nobelistin për Paqe, Valesa. Qytetarët kanë kuptuar pse bëhet kjo dhe prandaj u ngritën. Polakët kuptuan se kërkohet hakmarrje kundër antikomunistëve, dhe një arsye tjetër…. Arsyeja tjetër është se qeverisja e Polonisë i ka ngecur rrota në një sërë problemesh të legjislacionit që nuk po i kapërcen dot. Ka një krizë. Atëherë hapin derën dhe kërkojnë antikomunistin Valesa për të mbuluar krizën. Kështu po ndodh.

A nuk shikoni çfarë po ndodh këtu, në vendin tonë? Dje, qeveria socialiste krijoi një krizë parlamentare. Opozita la sallën e Kuvendit. Shkaku pse opozita, e krijuar në vitin 1991 si front antikomunist, la sallën e Kuvendit është cënimi nga qeveria socialiste i thelbit të shtetit. Thelbi i shtetit është që të shërbejë qytetarët kundër krimit e kundër çdo rreziku; ndërsa qeveria i ka prurë vrasësit dhe trafikantët deri në majë të pushtetit. Kjo është kriza e vërtetë. Ndërsa qeveria krijon edhe një krizë tjetër, detyron opozitën që të dalë nga salla e Kuvendit. Vendi kthehet përsëri në një parti të vetme.

… Kush e nisi përsëri luftën kundër Leh Valesës?

Kjo luftë kishte nisur disa vite më parë dhe ishte shuar… Njësoj siç ndodh këtu sa herë pushteti i socialistëve ndjehet keq. Në Poloni e nisi luftën e veja e shefit të shërbimit sekret të periudhës së komunizmit, gjeneral Czeslaw Kiszczak. Ajo tha se mbante një dosje sekrete prej burrit të saj të ndjerë dhe e lëshoi kundër Valesës. Momenti kur u përdor e veja e shefit të sekreteve, është momenti i një krize në Poloni. … A nuk ndodhi njësoj këtu, me një dosje të mbyllur për një vrasje shtetërore që ka ndodhur që në vitin 2001? Një agjent i shërbimit sekret, në vitin 2001 kishte vrarë një nënë dhe të bijën 16-vjeçare. Kishte vrarë me armën e shtetit, dmth., krimi merr autorësi shtetërore. Kishte vrarë me dijeninë e shefit të shërbimit sekret shtetëror. Vrasësi u arratis drejt kontinentin amerikan me një leje dhe pasaportë të mbështetur nga shërbimi sekret shtetëror…

Tani ndjehet kriza. Autori i vrasjes ndodhet në burg përjetë dhe ky duhet përdorur (!). Dikush pret pas dere, me qëllim që të përgjojë krizën. Shoqëria ka ardhur në krizën e frikës nga krimi. Shoqëria ka ardhur në krizën e kuptimit: “Të shpëtoj për vete, nuk më intereson kush vritet”… Prandaj këta këtu aktivizuan median që të socializojë krimin. Dmth., ta bëjë vrasjen e dy njerëzve, (nënë e bijë), sikur nuk ka ndodhur gjë. Kur “nuk ndodh gjë” me vrasjen makabre, atëherë pse të kundërshtojmë papunësinë?, gjobat pa fre?, padrejtësinë sociale?, dhunën shtetërore dhe varfërinë!? Këtë ide shërbeu nomenklatura e majtë e ardhur prej komunizmit, duke e bërë vrasjen “një gjë njerëzore”.

… Njësoj si e veja e shefit të shërbimit sekret të Polonisë komuniste që deklaroi se ishte njerëzore të nxirrte nga sënduku një dosje të vjetër nga komunizmi. Nesër këtu në Tiranë, të vejat e komunizmit do të paraqesin dosje kundër antikomunistëve. Kushedi cilën krizë po presin.

Nuk e keni dëgjuar kryeministrin si fyen njerëzit e frontit antikomunist!? Herë i quan të dobët, herë i quan budallenj, herë të tjera nuk dëgjon çfarë thotë opozita. Njerëzit mendojnë se ky njeri “nuk është në rregull”, dhe kaq. Jo. Ky njeri në majë të pushtetit, me këtë rast, tenton të kapërcejë dy kriza. E para është kriza brenda frontit të majtë. Partia e tij socialiste po ngre krye kundër arrogancës dhe despotizmit të kryetarit. Ky tenton që të qeverisë pa rregulla dhe pa principe. Por Partia ka ngritur krye. Atëherë manifeston forcën e fyerjes për kundërshtarët, kësaj herë kundër antikomunistëve. E dyta, tenton të kapërcejë krizën me vetveten. Fillimisht, sa kohë që ishte i paqartë mbi fatin e demokracisë, ky iu sul babait të tij komunist dhe e prozvali nëpër gazeta, në mitingje, në grupe studentësh, etj. Kriza e personalitetit e kishte çuar në luftë kundër të atit komunist. Kriza e personalitetit e solli aktualisht në mbrojtje të komunizmit, që nga simbolet e diktaturës deri te sjelljet. Dje, gjeti rastin të burgosë liderin e një partie opozitare. Kreshnik Spahiu, kryetar i AK, u pru në sakrilegj si një “Valesë”.

Nesër e pasnesër e përditë do të përjetojmë sjelljet komuniste përballë krizave. Këta po presin krizat europiane për të sulmuar demokracinë perëndimore. Këta po grumbullojnë shuma të mëdha parashë për të blerë zgjedhjet që nuk i fitojnë kurrë më. Këta po mbajnë Kuvendin në krizën e krimit me qëllim që ta përdorin për luftë. Këta po përdorin demagogji për të përballuar krizën e varfërisë…

Jemi në të njëjtën botë, ku e kaluara komuniste pret të përdorë krizat. Polakët anti komunistë, me mijëra e u ngritën dhe thanë se “të mbrosh Valesën është njësoj si të mbrosh demokracinë”.

Share: