Nga Sermet Sulejmani
Ai po priste i vetëm në stacionin e autobusëve tek spitali i qytetit të Kumanovës. U ndala kur ai hyri brenda duke e tundur kokën sa nga e djathta në të majtën me dorën në mjekër, sikur po shkulte qimet e saj. Nuk priti gjatë dhe m’u drejtua: – ‘’Puuu, na koritën, na i morën fytyrën…’’ Fytyra e Hashepit kishte marrë ngjyrë dylli, prandaj u çudita kur e pashë, mendova se i kishte ndodhur ndonjë e keqe e papritur. Çudi nuk përshëndeti por vazhdoi të përsërite të njejtën fjali: ‘’Puu, paa, na koritën, na fëlliqën!’’
– Kush, o shoku?
– ‘’Të kam thënë njëqind herë, mos më thirr ‘’shok’’ se s’jam komunist!’’
– Më fal, zoti Hashep , se nuk e pata me të keq. Meqë ra fjala, ku je nisur ashtu?
– ‘’E, ç’është kjo pyetje? Po a s’je nisur edhe ti në protesta?’’
– Jo. E ç’protesta! …
E pashë fytyrën e Hashepit se si po vrerosej dhe s’e zgjata pyetjen. – Më fal se… edhe unë ndonjëherë ia fus kot… Jam nisur të konkuroj për punë në një shkollë të mesme…
– Mos more, ani edhe 2016 –n, më luake ilegalen ti, a! Po pse s’më thua që edhe ti je nisur në protestë kundër kryqit, e mos më bëj figura e të luash tarapança me mua. Ti kujton se unë i përkrah këto lojëra të fëlliqura të Shabanit, që saherë të ketë zgjedhje, këta vëllezërit siamezë çdoherë kurdisin shfaqeje e broçkulla të tilla?! Në këtë shtet, zotërote, vakitë pordhin pa-pardon, ndodhin çdo tri ditë… por kësaj here, edhe Zekiri i Feratit e ka kuptuar ‘teatrin’ e dy partive në pushtet. Duket ashiqare një teatër absurd që selinë e ka në Shtëpinë e Bardhë dhe e cila po mbledh kuturu aktorë diletant për të mbetur përsëri në pushtet. Merre me mend, ore mik, në muajin e mbjelljes së fidaneve, këta përpiqen të na kurdisin mbjelljen ‘’hekurishteve’’në trajta shqiponjash e kryqesh, kjo si një prelud i hedhjes së farës së urrejtjes ndërfetare për qëllime elektorale. Këtë gjë e kanë kuptuar edhe fëmijët e fshatit tim, e lëre më qytetarët e dy anëve të Vardarit se kjo po bëhet për shkak të ‘ndeshjes’ vendimtare të 5 qershorit. Majc! S’jemi më gomerë si para 15 viteve që ta hamë atë kashtë’’!…
Bashkudhëtari im Hashep Gazepi më tregoi me gisht nga dritarja e makinës time, vendin ku do të zbriste. Qe një rrethrrotullim i ndërtuar me kujdes të veçantë e i mbjellur me bar rreth së cilës ndaheshin kahjet e rrugëve të Butelit të Shkupit. Që aty, ishte tepër e lehtë të dalloje vendin ku ishte paraparë një shfaqje e kurdisur ku do mbillej një kryq që pastaj të ngriteshin perdet e fillimit të një komedie postmoderne. Vendi për ndërtimin e kryqit orthodoks, një gropë me disa dërrasa të ngritura e të gozhduara pa ndonjë kujdes, mu në të majtën e rrugës, dyqind metra larg godinës së komunës së Butelit.
Hashepi zbriti me avash me shtëllungën e cigares së tij kaçak aty në një cep të rrugës e cila të çonte në Serovë të Çairit. U ndamë pa u përshëndetur përsëri. Të nesërmën u takuam me Hashepin pa gdhirë dita tek kafeneja ‘’Palma’’në bulevardin ‘’Xhon Kenedi’’. Akoma pa u ulur u zbraz me të shara: ‘’Na poshtëruan, na bënë për dy para… Kam tridhjet vjet që merrem me politikë – tha, – po këtë pisllëk s’e kam parë e as dëgjuar ndonjëherë. Paskan qenë mjeshtër të vërtetë të lojës dhe kurdisjes politike. Pa-pa-pa, po maskarenj të ndyrë që qenkan!
Dëgjo, mik, ik në shtëpi se gjithçka ishte e kurdisur në zyrat e ‘ekipeve rivale’ ku po thurrej lloj – lloj skenari e sajese, që nga ‘blerja e arbitrave’ e deri tek aktorët e konfliktit të kontrolluar që shfaqja të duken sa më bindëse në opinion si e vërtetë, krejt me qëllim, që dy vëllezërit e pushtetit t’i mbushin arenat e ‘betejave’ tek rrethrrotullimi në Butel mes simpatizantëve dhe përkrahësve të tyre të devotshëm për një kuazi përplasje etnike.
– ‘’Dëgjova të thonin: ‘Jemi marrë vesht që mos të rrahemi keq’, por s’është çudi edhe të plasë ndonjë sherr i paparashikuar. S’ju dihet Shabanit. Flitnin edhe për disa tenda që do të vendoseshin aty sa për t’i ngjanin atyre të ‘’Vetëvendosje’’. Zatën, këta ‘aktorë’ me përvojë ka kohë të gjatë që s’e kanë përjetuar kampingun në natyrë që moti, qysh nga koha e kampingjeve nëpër aksionet e Lidhjes së Rinisë Socialiste të Jugosllavisë.
Të kujtohen? Komunistë të mallkuar! Ani thoshin: ‘Për një natë s’bëhet kiameti, thoshte deputet Lalushka, – unë në luftë kam ndenjur me muaj të tërë nëpër bodrumet e Likovës e s’më ka gjetur gjë. Ani t’i kisha pasur këto salçiçe e qebapë të shijshëm… uf-uf-uf, do ta vazhdonim luftën edhe nja dy vite!’
– Hëm, bythëngjituri i dreqit! – më shpëtoi një e sharë.
– ‘’Dëgjo shoku, edhe një herë po të lus t’ia mbathësh në shtëpi se këtu po luhej bixhoz me ‘’kryqin’’ dhe e gjitha kjo gjurulldi po bëhej për bastet. Para të mëdha po futeshin nëpër bastore… more vesht? Ik!…
Atë natë, vërtetë ndodhi ajo që ‘’dërdëlliste’’Hashepi, kafenetë dhe bastoret e qytetit qenë të mbushur plot e përplot me bastexhinj që fusnin paratë dhe pasuritë e tyre si kurrë më parë. Flakë e tym po dilte nga lokalet dhe bastoret e qytetit. Basti ishte i shjeshtë: kush i pari do ta të rrënonte simbolin e palës tjetër, BDI-ja ‘’kryqin’’ në Butel apo, VMRO-ja ‘’shqiponjën’’ në Topanë?!
Duhej vetëm të përcillje koeficientin e madh që kishte mundësia e rrënimit të kryqit. Dhe kaq. Njerëzit të uritur për para donin të pasuroheshin brenda natës, saqë i madh i vogël, burra e gra, zhurmaxhinj e bastexhinj, mizivirxhinj e sehirxhinj, pazarxhinj e bozaxhinj, të gjithë po rendnin të shisnin ç’kishin kursyer njëzet vitet e fundit. Bile kishte edhe nga ata, ra fjala për një farë Refiku nga Dizhoni, një i afërt i Alltan Puplës që u thoshte simpatizantëve të vetë ‘’mavi’’: – ‘’O shitni makinat tuaja e futjani 100 mijëshin ‘’kryqit’’ se sapo më errdhi informata se Izeti bashkë me shokët në këto momente i paskën hedhur dackat e fundit të themelit në tokë, mu si letra shkrimi!’’
Turma brohoriti me tifozllëk: Urr-aaa, urr-aaa! … – ‘’Deri në këtë çaste, shokë dhe shoqe, çdo gjë po shkon si hallva… Shkruani e mbajeni në mend këtë gjë, se unë vetëm një herë e them:
– rezultati i pjesës së parë do të jetë një me zero për ne! A e kuptuat?’’
… Turma e simpatizantëve u përgjigj: – Jooo… Për-së-rite!
– ‘’O futjani ‘’1’’(njësh) tiketës për pjesën e parë, o gjinihalla, se ne e fituam këtë betejë! Kush dëshiron fitime edhe më të majmë, atëherë shiteni shtëpitë dhe makinat e komshive…
– ‘’Çfa-rë-ë-ë! Ore vëlla, – iu drejtua Hashepit një plak me mustaqe të bardha deri tek veshi. – ‘’njësh’’ për kend se më çmendën këta?! O kam shitur tezgën e tregut me të gjitha zarzavatet e më mori djalli me të gjitha? Pashë zotin, më trego edhe një herë, ose ja, merre këtë letër të mallkuar e mbushma ti se mbarova!’’
– Po për ‘’kryqin’’, ore xhaxha, për kryqin!
– ‘’Po, po, si unë musliman të votoj për kry-kry-q, ore djalë!?’’ – Ore, xha, ik shko ktheje tezgën prapa se të paskan hipnotizuar këta sehirbazë? – ‘’Më, më… paskan, çfarë? Më paskën hyp…!’’
– Po, po, xha… pikërisht ashtu, ‘’të kan hipur, edhe atë, mirë…
– ‘’Eeuu… be nanën e… e ku ta gjej se…’’
Pak më largë nga ky dialog i nxehtë i Hashepit me plakun e gjorë, ‘’sekserët’’ e basteve politike po vazhdonin të ulurinin: – ‘’Dëgjoni vëllezër, sapo m’a vërtetoi Alltani im, loçkën ja hëngsha, se ‘’i ka vdekur nëna kësaj pune’’, ta dini se i ka vdekur! Te ai s’ka ‘’tërta-mërta’’, plako. Po tha ai se toka sillet rreth hënës e jo hëna rreth tokës, kjo ka për të ndodhë si një plus një që bëjnë dy, prandaj edhe sikur të zgjohet nga varri, ai, Galile Galileu e ta kundërshtojë Alltanin, kot e ka. Ju mund të thoni; se ku mund të ndryshohen ligjet e natyrës? Epo, Alltani është magjistarë be…
– ‘’A-a-a, jo, – e dredhi zërin plaku me mustaqe të bardha, – këto punë janë të zotit e jo të atij ‘’alltanit’’ tënd, more buzënjomë. Allahu është i madh dhe vetëm Ai e ka në dorë këtë punë. More vesh, more mashtrues!’’ …
U dëgjuan disa ‘’Uuaa, uuaaa’’!… I njohuri i Alltanit u shtang nga kjo pakënaqësi e papritur sa s’e kuptoi ç’po ndodhte, andaj nxori një celular sa një fletore dhe filloi të flasë me të: – ‘’Alo-alo, po thuaj diçka Alltan se këtu u bënë të padurueshëm edhe… a, thua i hoqën edhe dackat e fundit?… Pooo.. po… Atëherë t’ia fus 100 mijëshin, Alltan njëqind karatëshi im i dashur!…
Vërtetë, thua…?! Mos ore… mire, mire, hajt mos e zgjat më shumë se u harxhove në telefon… Hajt… mpuc, mpuc…! … Përsëri u dëgjua ky zë i ngjirur: – ‘’ Mos e dëgjoni këtë plak të opozitës se ç’flet, po nxitoni e shiteni shtëpitë me gjithë orenditë në të se fitimin e keni të garantuar… Ç’prisni!?… O ju kemi thënë 15 vite me rradh se me komandantin tonë s’ka hajgare.
Ai ia ka dalur në luftë e s’po ia dilka në paqe. Ai është në politikë siç është Mesi në fudboll! Po nxitoni sa s’janë mbyllur bastoret se pastaj…’’ Përsëri u dëgjuan brohorimat: ‘’Uarr-aaa! Urr-aaa për komandantin!’’ Kjo britmë kësaj here u shoqërua me një zë të Gojëmjaltës sa kumboi dhe u dëgjua në të dyja anët e Vardarit, ndërkaq mileti u shpërnda me shpejtësi drite rrugëve për tek bastoret më të afërta.
Aty ka mesnata, Hashepi s’lëvizi nga vendi, siç nuk lëvizi edhe atëherë kur disa komandantë (podrumesh) ia mbathën nga ofanziva e majit në frontin tek Bunari i Behës. Po rrinte i qetë e shikonte tendat e mbetura bosh, kur iu afrua një djalë rreth tridhjetave i cili po e shikonte i habitur Hashepin që kishte mbetur fikall i vetëm, i habitur duke e pyetur:
– ‘’Ore mik, a s’më thua, ç’është ky kiamet që po ndodh? Ç’po ndodh me këta njerëz? Mos është çmendur i gjithë qyteti?!’’
– Ha, ha, ha…edhe mundet. Çfarë s’bën vaki kur për çoban ke një budalla e u thotë që të shesin shtëpitë për baste kryqesh!…
– ‘’Bo, bo, bo, thua… të jetë e vërtetë kjo?! Po a shiten be shtëpitë për kumar!’’… Shiten-shiten kur të ikin mendët mbi hava! …
Në mesnatë, kur gjithçka kishte marrë fund ‘’shfaqja’’ me tendat e ‘’rezistencës’’, desha ta pyes Hashepin se ç’kishte ndodhur me njerëzit e shumtë që pas mesnatës ikën të gëzuar dhe me vrap si të kishte plasur ndonjë zbritje e madhe e çmimeve në ‘’Ramstor’’, po më erdhi turp. Hashepi u ul në kolltukun e makinës i skuqur si një mollë Prespe ndërkohë që po shkulte qimet e mjekrrës së tij dhe përsëriste të njëjtat fjali kur u nisëm për në Shkup:
– ‘’Na koritën, na e morën fytyrën!’’… sakaq ai qe i shtangur si një skulpturë mermeri e s’po lëvizte vendit ngaqë e dinte se do ‘’luhej’’ pjesa e dytë’’ e shfaqjes së këtij ‘’teatri absurd’’që pritej të ndodhte në të ardhmën e afërt. Nga dritarja e makinës shihej zjarri dhe tendat e zbrazura në Butel, që akoma qëndronin… sigurisht për raundin e dytë…