Home KRYESORE Liria e kërcënuar nga feudi i injorancës

Liria e kërcënuar nga feudi i injorancës

Nga Enriko Ceko

Liria është një koncept i gjerë, që, përveç të tjerash, përfshin edhe disa të drejta bazë dhe disa detyrime të ndërsjella, të paracaktuara, midis qytetarëve dhe qeverisjes. Është e dukshme se në Shqipëri, në mënyrë të hapur liritë bazë dhunohen e kërcënohen në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo nga ata që e kanë këtë mundësi, që janë në fakt shtetarët e këtij vendi të vogël, të cilët qëndrojnë në krye të zyrave të shtetit si monarkë të pashpallur dhe kjo sepse përzgjedhja e tyre është bërë në mënyrë krejt abuzive dhe të jashtëligjshme.

Këta tipa janë bërë bllok kundër qytetarisë dhe lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe po sillen sikur Shqipëria të ishte një feud, që u është dhënë atyre në pafundësi. Këta individë, të shtresave të mesme dhe të larta të qeverisjes, që i kanë zënë këto vende pune me lidhje farefisnie, me para nën tavolinë, me konkurse fiktive dhe / ose me telefonata nga shefat e mëdhenj apo me lista në blloqet e kryetarëve të partive në koalicion, me paaftësinë, korrupsionin, injorancën dhe mendjemadhësinë e tyre, bëjnë që njerëzit të arrijnë deri aty sa të dalin në protesta të vazhdueshme për të mbrojtur edhe me forcë të drejtat e tyre legjitime, që u shkelen në mënyrë të vazhdueshme nga këta anëtarë të feudit të injorancës në pushtet.

Një ndër të drejtat kryesore të njeriut në një vend demokratik është e drejta për t’u mbledhur së bashku, për të shprehur në mënyrë kolektive e për të promovuar, ndjekur dhe mbrojtur interesa të përbashkëta. Kjo është një e drejtë humane, politike dhe civile. Pjesë e së drejtës për t’u mbledhur është edhe e drejta e protestës. Pranë kësaj të drejte qëndron edhe e drejta për t’u organizuar, si një e drejtë individuale dhe kolektive për të shprehur, nxitur, ndjekur dhe mbrojtur interesa të përbashkëta, që shpesh marrin sensin e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve, si një nga elementet më të rëndësishme të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

Është e dukshme se të drejtat për t’u mbledhur, protestuar dhe organizuar janë të dhunuara në Shqipëri, pasi mjafton të përmendet fakti se kreu i Sindikatave të Punëtorëve në vend dënohet me kusht për të mos marrë pjesë në protesta kundër qeverisë dhe të kuptohet se atij i ndalohet ajo që ai duhet të bëjë në fakt, të protestojë, që është e drejta themelore e çdo njeriu që i dhunohet e drejta për punë e jo më e drejta e kreut të Sindikatave të Punëtorëve.

Një tjetër e drejtë e dhunuar në vend është e drejta për të lëvizur, udhëtuar e qëndruar në një vend ku shihet e arsyeshme dhe e pranueshme nga individi. Kjo është një e drejtë humane e respektuar në të tëra Kushtetutat e vendeve europiane. Qytetarët e shteteve të ndryshme kanë të drejtë të udhëtojnë, qëndrojnë dhe punojnë atje ku mendojnë se respektohen të drejtat e tyre humane dhe të të tjerëve dhe të lënë atë shtet dhe të kthehen atje ku ishin apo të shkojnë në ndonjë vend tjetër pa kufizim.

Në fakt, edhe pse qytetarët shqiptarë tashmë janë të lirë të udhëtojnë në pjesën më të madhe të kontinentit pa viza, të drejtë që e fituan pas një përpjekjeje dhjetëravjeçare, e drejta e qëndrimit dhe e punësimit u është ndaluar dhe kjo jo për faj të qytetarisë shqiptare, por për faj dhe vetëm për faj të rendit politik në vend, që e ka katandisur qytetarinë shqiptare në këtë farë derexheje ku sapo shkel në kufirin e një vendi europian, të shohin si kavje laboratori e të kontrollojnë dhëmbë e dhëmballë. Është e kuptueshme se feudi i injorancës, sado përpjekje që të bëjë, për t’u zënë gojën, sytë dhe veshët qytetarëve, nuk ka asnjë shans që të ndihmojë në këtë drejtim, sepse nuk mund të zhbëhet me një ditë apo një javë, e tërë ajo që është bërë për më shumë se 20 vite kundër qytetarisë dhe imazhit të shqiptarëve në botë.

Edhe liria e besimit, një princip që mbështet lirinë e individit dhe të komuniteteve që të shprehin dhe manifestojnë pa kufizim besimin fetar, mësimin dhe/apo praktikimin e tij, përfshirë këtu edhe të drejtën e ndryshimit të besimit dhe të mos ndjekjes së ndonjë besimi, është një e drejtë bazë e njeriut. Si pasojë, në një shtet me një shumicë besimtare të caktuar kjo do të thotë se lejohen edhe praktikat e sekteve të tjera dhe se nuk persekutohen besimtarët e besimeve të tjera. Në fakt, kjo është pasuria më e madhe e kombit shqiptar, por edhe këtu po vihen re ndërhyrje të politikës për të manipuluar ndjenjat e qytetarëve shqiptarë të besimeve të ndryshme në lidhje me të tjerët dhe mësimin apo praktikimin e besimeve të tjera.

Në mjaft raste është vënë re se drejtues politikë institucionesh të rëndësishme largojnë nga puna ose nuk pranojnë në punë individë që janë me besime fetare të ndryshme nga ajo e kreut të institucionit dhe nga ajo e shumicës së punonjësve. Gjithashtu, në mjaft raste, është vënë re se individë të besimeve fetare të shumicës, në rastet e festave të tyre religjioze, pyesin me qëllim dhe prapamendim, praktikuesit e besimeve të tjera fetare minore, pikërisht në vendin e tyre të punës, nëse e festuan festën dhe nëse ia uruan atë besimtarëve të besimit tjetër dhe pastaj fillojnë thashethemet, dasitë, represioni e linçimet në vendin e punës.

Po ashtu, liria e fjalës është një liri për të folur në mënyrë të lirë pa censurë dhe pa asnjë kufizim. Kjo përfshin edhe të drejtën e kërkimit, marrjes dhe përdorimit të informacioneve publike, por edhe pse në vend ka një ligj për këtë, janë shtetarët e feudit të injorantëve që e dhunojnë këtë ligj, duke mos u kthyer përgjigje qytetarëve kur ata kërkojnë informacione dhe dokumente publike për çështjet që atyre u interesojnë, duke u sjellë vonesa qytetarëve në zgjidhjen e halleve të tyre e duke i penguar ata në jetën e tyre të përditshme me të tilla situata të pakëndshme, në mënyrë që qytetarët të mos kenë kohë të diskutojnë për çështjet madhore të qytetarisë, por të merren me vështirësitë artificiale, që u nxjerr përpara atyre feudi i injorantëve.

Liria e medias është liria që të tërë të kenë shansin të shprehin nëpërmjet mjeteve mediatike dhe materialeve të printuara, pikëpamjet e tyre. Në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut thuhet: “Çdokush ka të drejtë për liri opinioni dhe shprehjeje dhe kjo e drejtë përfshin lirinë për të pasur opinione pa ndërhyrje dhe pasjen e kalimin e informacionit nga dhe në çdo media pa kufi”. Kjo ide në çdo vend shoqërohet me legjislacionin përkatës, por në kushtet e vendit tonë duket sheshit se pjesë apo segmente mediatike janë në shërbim të segmenteve të caktuara politike në drejtim, që cenojnë apo kufizojnë dhe ndalojnë lirinë e të shprehurit të qytetarëve apo përdorin mjete presioni e represioni ndaj pikëpamjeve të të tjerëve nëpërmjet mediave të ndryshme. Kjo lidhet në mënyrë të padiskutueshme me lirinë e mendimit apo lirinë e koshiencës apo të ideve, që është një liri individuale për të pasur apo konsideruar faktet, këndvështrimet dhe mendimet, pavarësisht nga ato të të tjerëve, si themeli i zhvillimit dhe i prosperitetit.

Një element shumë i rëndësishëm i lirive dhe të drejtave të njeriut është liria e privatësisë, që ka të bëjë me atë se qytetarët duhet të jenë të sigurt në veten e tyre, për shtëpinë dhe dokumentet e tyre individuale dhe familjare, si dhe të jenë të garantuar se kundër tyre nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë efekte, këqyrje, dhunime e ndjekje të paarsyeshme nëse nuk ka dyshime të arsyeshme, prova dhe afirmime, në mënyrë që të jenë të përcaktuara qartë vendet, personat e dokumentet që këqyren e ndiqen ligjërisht.

Mbi këtë bazë, kërkimi, arrestimi dhe marrja e informacioneve dhe dokumenteve kufizohet vetëm në fokusin e informacionit specifik, gjithmonë përpara një gjykate, por në fakt, rastet kur qytetarët e pafajshëm e pësojnë në mënyrë të padrejtë pasi nuk kanë kryer gjëra të jashtëligjshme dhe kur fajtorët nuk pësojnë asgjë për aktet e jashtëligjshme që kryejnë, janë aq të shumta sa i detyrojnë njerëzit e ndershëm të dalin në protesta për të shprehur pikëpamjet e tyre, sepse askush nuk i dëgjon ndryshe.

Edhe e drejta e votës është një e drejtë civile bazë. Për të ushtruar këtë të drejtë, vota duhet të jepet pa ndërhyrje dhe e pa dhunuar. Kjo shtrihet edhe në iniciativat e ndryshme qytetare deri te referendumet. Por, edhe në rastet kur qytetarët e japin verdiktin e tyre pa ndërhyrje parazgjedhore dhe gjatë zgjedhjeve, vota devijohet nga ndërhyrjet paszgjedhore, për shkak të feudit të injorantëve, që mendon se e vërteta nuk del asnjëherë në shesh. Feudi i injorantëve, për të devijuar votën, përdor metoda nga më të ndryshmet, që përfshijnë blerjen e komisionerëve, ndryshimin e kutive të votimit, manipulimin e procesverbaleve të votimeve etj. Dhe e tërë kjo vetëm e vetëm për të përjetësuar feudin, gjë që është e pamundur, sado kohë të rrijë feudi në pushtet, sepse baza apo shumica e feudit është injorante.

Një aspekt tjetër shumë interesant që shoqëron feudin e injorancës përgjatë tërë historisë së njerëzimit është dëshira e pakufishme që anëtarët e zgjedhur të feudit të duken dhe të shpallen të tërë inteligjentë dhe që kanë aftësi të mëdha shkencore, akademike apo hyjnore. E drejta shkencore është ideja e lirisë së aplikimit në shkencat e ndryshme të praktikave të kërkimit shkencor.

Për këtë, feudi përzgjedh disa individë të cilëve u vë nofkën “shkencëtarë”, të cilët punësohen në qendra kërkimore e shkencore dhe në universitete kryesisht publike, vetëm e vetëm për të abuzuar me fondet, që ata marrin nga feudi për gjasme “kërkime shkencore”, ndërsa të tjerëve, edhe pse janë më të aftë se “shkencëtarët” e feudit, kjo mbështetje nuk u jepet, por arrihet deri aty sa të lihen të papunë, edhe pse kanë shumë shkollë dhe përvojë pune dhe kualifikime, dhe e tërë kjo sepse këta të fundit nuk duan që bëhen pjesë e feudit të injorantëve dhe pjesë e vjedhjes së madhe të fondeve “për kërkime shkencore” e të tilla situata të ngjashme.

Kjo ndërthuret edhe me lirinë akademike, që është besimi që kanë studentët dhe pedagogët e fakulteteve në universitetet publike dhe private në lidhje me misionin e akademizmës, që është prirja për përmirësimin më tej në mënyrë të vazhdueshme të jetës tonë të përditshme dhe, se, për këtë, shkollarët duhet të kenë liri për të mësuar dhe për të komunikuar idetë dhe faktet (përfshirë këtu edhe ato që nuk janë të përshtatshme për grupet politike dhe autoritetet) dhe kjo pa qenë target i represionit, humbjes së punës apo burgosjes.

Ka raste të shumta që, studentët, që pretendojnë të jenë në të ardhmen pjesë e feudit të injorancës, i incizojnë, filmojnë dhe fotografojnë studentët e tjerë dhe pedagogët e tyre në leksione e praktika mësimore, për atë se çfarë thonë këta në lidhje me këtë apo atë çështje dhe kjo bëhet shkak për t’i linçuar këta studentë dhe pedagogë në të ardhmen. Këto metoda antiakademike dhe antishkencore largojnë qytetarinë nga drejtimi i vendit dhe heqin shansin që në zyrat e shtetit të punësohen njerëz me ide dhe pikëpamje përparimtare dhe që respektojnë e mbrojnë liritë e të drejtat themelore të njeriut, përfshirë këtu edhe lirinë akademike, për të përmirësuar jetën në vazhdimësi, si themeli i akademizmës.

Dhe në fund, duke përsiatur në lidhje me një nga liritë kryesore të njeriut, që është liria ekonomike, një liri e përgjithshme, që lidhet me tregun e lirë dhe të drejtën e pronës private, duhet thënë se në Shqipëri kjo liri dhe e drejtë është dhunuar në mënyrë sistematike. Kjo liri dhe e drejtë lidhet me të drejtën e zgjedhjes individuale, zgjedhjes së mundësive, lirisë për të prodhuar, tregtuar dhe konsumuar mallra e shërbime pa përdorimin e forcës, vjedhjes apo falsifikimit.

Së bashku me këtë janë bashkëngjitur e drejta për të nënshkruar kontrata, e drejta e autorit, liria e iniciativave ekonomike etj. Është e pranuar nga të gjithë se liria ekonomike ekziston atje ku ka standarde të larta jetese, rritje ekonomike, barazi në shpërndarjen dhe rishpërndarjen e të ardhurave, atje ku korrupsioni është në nivel të ulët dhe ku dhuna politike është shumë larg nga tregu i lirë dhe liritë ekonomike, karakteristika këto që e mbajnë Shqipërinë mjaft larg nga të qenit një vend demokratik dhe të lirë jo vetëm në aspektin ekonomik, por në të tëra aspektet.

Dhe e tërë kjo situatë e pakëndshme dhe e papranueshme vjen vetëm e vetëm nga ekzistenca e feudit të injorancës, që po sundon vendin. Pas 25 vitesh përpjekjesh të vazhdueshme për liri dhe demokraci shikon se në asnjë dikaster nuk ka orare të pritjes së qytetarëve. Asnjë qytetar nuk merr përgjigje për ankesat që ka, dhe, edhe kur merr përgjigje ajo është negative. Numri i pronarëve të cilëve u dhunohet prona rritet nga dita në ditë.

Numri i bizneseve që ankohen se u dhunohet e drejta e pronësisë, veprimtaria e tyre ekonomike, pronësia intelektuale dhe e drejta e autorit është në rritje. Numri i akademikëve të palidhur me pushtetin, që japin ide për përmirësimin e jetës dhe, që, idetë e tyre nuk merren parasysh apo u vidhen hapur në mes të ditës, po shtohet përherë e më shumë. Shumë njerëz duan të thonë mendimet dhe pikëpamjet e tyre dhe askush nuk u hap dyert për këtë, edhe kur këto mendime dhe pikëpamje janë mjaft të mira.

Numri i punonjësve që u shkelen të drejtat nga punëdhënësit dhe që paraqiten në dyert e gjykatave për këtë është shumë i madh. Askush që aplikon në mënyrë të drejtë për punë në Departamentin e Administratës Publike, edhe pse del i pari nuk e fiton vendin e punës dhe kjo sepse feudi nuk lejon që qytetarët të punësohen atje ku dëshirojnë mbi bazën e konkurrimit të ndershëm. Vendet e punës i marrin njerëz fare pranë politikës, me lidhje farefisnie me politikanët në pushtet dhe të tjerë që me metoda dhe praktika korruptive synojnë të bëjnë karrierë atje ku nuk u takon.

Këta tipa, duke qenë të paaftë të bëjnë punën, duke e ditur se e kanë të shkurtër ditën në atë pozicion, duke u korruptuar apo duke korruptuar, ndërmarrin vendime dhe veprime që cenojnë interesat e qytetarëve ose nuk ndërmarrin vendime dhe veprime që mbrojnë interesat e publikut dhe duke bërë këto, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse cenojnë dhe dhunojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, për të cilat aspiron pjesa më e madhe e qytetarëve të këtij vendi, që synon integrimin dhe zhvillimin, integrim dhe zhvillim që nuk mund t’i sjellë kurrë feudi i injorancës në pushtet.

Share: