Nga Luan Kurti
O Diell, çudi si nuk mjafton,
t’na dëshmosh të vërtetat, s’kuturisesh,
e keqja e kësaj bote rreth pluskon
e mira arratisur shtigjesh, labirintesh.
O Hënë, ti që jep frymëzim
që e bën poet çdo human,
prej teje pres më tepër sqim,
veç fjalëve mikluese, shpirt e xhan.
Ju stinë fisnike që ngjizni çdo bërthamë,
që natyrës i falni polen e gjallëri,
më jepni një çast, veç një çast të mbramë,
s’më mjafton një jetë e rrejtshme, kotësi!