Nga Armir SHKURTI
Mendova se është humor kur mora vesh se gratë demokrate do të protestonin para kryeministrisë …. kundër fjalorit të ulët të Edi Ramës në Kuvend! Jo se është humor në vetvete. Përkundrazi! Është dramatike sjellja prej rrugaçi e kryeministrit të një vendi, sidomos ndaj zonjave. Por në një vend ku gratë janë hequr pa mëshirë nga puna, ku janë futur burgjeve për drita e kupon tatimor, ku pësojnë si edhe burrat arbitraritetin e pushtetit dhe padrejtësitë shoqërore…. të dalin të mbrojnë zonjat deputete nga fjalori i ulët i kryeministrit? ….kush më gjen një emër tjetër veç “humorit”?
Sot u mbush muaji nga dita ku bileta e urbanit u rrit me 10 lekë. Kaq do të mjaftonte që Veliaj të mos bënte dot gjumë një natë të vetme nga protestat e revoltat. Dje gjykata pezulloi gjobën që Veliaj i vendosi PD – së për mitingun e 8 dhjetorit. Më e pakta që ndodh është që sot bashkia duhej të qe rrethuar nga të katër anët nga demokratët që të mos shkuleshin që aty pa dhënë dorëheqjen Veliaj për plot aryse, duke filluar nga falsifikimi i fletëgjobës….
Por jo. Nja 100 gra, në emër të PD – së dolën sot, të martën, të indinjuara për fyerjet e së enjtes së shkuar!
Kush po tallet me kauzat e opozitës?
Si mund të motivosh votuesit të të zgjedhin ty ndërkohë që kur ata kanë hall dhe të duan afër – pale t’i përfaqësosh – ti merresh zyrave me dekriminalizimin, reformën në drejtësi e të tjera si këto e kur deputetit i preket qoftë edhe sedra, u dashka që të ngrihet i madh e i vogël? Pjesmarrja në shesh sot flet më shumë se çdo shkrim, komenta a analizë tjetër. Më shumë kamera se protestuese….Kaq gra sa shihni aty ia ka dalë partia më e madhe e opozitës dhe forumi i grave të saj të motivojë për të protestuar.
Ti kish paguar me flori Edi Rama këto foto nuk do t’i dilnin kaq mirë e kaq në dobi të tij. Të isha në vend të tij do t’i kisha bërë foto kryesore në faqen e facebook me mbishkrimin “opozita proteston”. Çdo zyrë e huaj që ndjek Shqipërinë do të mahnitej kur të mësonte se elita e grarisë opozitare kanë shqetësimin kyç të jetës llafet e pista të Edit. Do të befasoheshin kur të shihnin se Forumi i Grave të PD – së, mirë që ka këtë si hallin më të madh, por nuk ka më shumë se 100 syresh të motivuara për të dalë në shesh.
Ndërsa këtu brenda, ne që notojmë në pishinën e madhe të qenefit, duke shpresuar se një ditë do të bëhet një gjë, në një ditë si kjo, me vetëdije të plotë, e zhysim gojën brenda e rrufisim sa më shumë të mundemi se tjetër zgjidhje s’kemi! Ku na ha ne e ku kruhen këta! Në vend të mobilizojnë biznesin për rezistencë, për shkak të shtrëgimeve të ngjashme me ato të viteve ’45 – ’50, në vend të ngrenë studentët me FRPD kundër reformave antishkollë të Ramës, në vend të mbledhin të varfërit kundër çmimit të energjisë, rritjes së biletës së urbanit, papunësisë etj, të dëgjojnë dhe përfaqësojnë të shpronësuarit padrejtësisht si nga Enveri ashtu edhe nga Edvini, makar të çojnë popullin në mosbindje civile – siç ka premtuar kryetari vjet në vjeshtë – japin shfaqje si e sotmja?!
Mot në këtë vakt jemi në fushatë. Pyetja është: me këtë strategji e kauza e frymë do të futet opozita për të marrë pushtetin mot? Më vjen keq që po e përsëris por më duket se po presim që pushteti t’i bjerë PD-së si hurmë e pjekur nga pema.
Ndërkohë që detyra e opozitës është të bëjë opozitë e jo të presë të vijë në pushtet. Jo se kjo e dyta përjashtohet. Përkundrazi. Ai është qëllimi. Por ai qëllim arrihet duke bërë opozitë, duke përfaqësuar grupe, interesa e alternativa e mbi të gjitha duke lëvizur përditë. E përsëris: edhe lëvizje si kjo e sotmja është shumë serioze, por kur renditet mes qindra të tjerave e jo kur u shkrepet për Shën Llesh e që s’merren vesh në janë protestë apo provë gjenerale për 8 mars.