Home KRYESORE PAS DYERVE TE MBYLLURA TE KLASAVE…!

PAS DYERVE TE MBYLLURA TE KLASAVE…!

Nga Llazar Syziu

Të marrësh përsipër për të analizuar procesin e edukimit, që kryhet gjatë orëve të mësimit, praktikisht është një detyrë e pamundur të realizohet në mënyrë të plotë. Kjo është e vështirë të realizohet, pavarësisht nga numri i fletëve që ke në dispozicion për këtë qëllim. Shumëllojshmëria e lëndëve me dije specifike nga njëra anë dhe natyrat e panumërta që shfaqin mësuesit në këtë proces nga ana tjetër, krijojnë një kolorit të pafund objektesh dhe subjektesh.

Po t`i shtojmë kësaj individualitetet e gjalla dhe të pa përsëritëshme të nxënësve për t`i përthithur, apo pasqyruar refleksionet e veprimtarive, kuptohet lehtë niveli i optimizmit për t`ia dale mbanë kësaj përpjekje. Megjithatë, duke u mbështetur në filozofitë arsimore dhe teoritë kryesore mësimore, le të shpresojmë, se do të krijojmë opinione sa më të kthjellëta dhe dobiprurëse, për të gjithë aktorët në shkollë.

Këto teori ndoshta nuk kënaqin oreksin e njerëzve, me zgjidhjet e dëshiruara për t`u realizuar, por lehtësojnë të kuptuarit dhe orjentojnë vëmendjen tone, për kryerjen me kujdes të këtij akti delikat. Derën e klasës shpesh e mbyll mësuesi që beson filozofinë Bihejvioriste. Ai përqëndrohet së tepërmi në sjelljet që mund të vëzhgohen dhe maten me lehtësi. Ky mësues ka “harruar” sjelljet e nxënësve në orët e kaluara të mësimit. Për atë ka rëndësi, sjellja e re që prezantohet nga nxënësi. Reagimi stimulues i tij për klasën, është i ndryshëm, në varësi të moshës së nxënësve, traditës mësimore, objektivit që ai i ka vendosur vetes etj. Bihejvioristi kujdeset për një mjedis rrethues pune optimal, që të mos sjell shqetësime gjatë zhvillimit të mësimit.

Nxënësi mund të gjendet në orën e mësimit para kërkesës : “Detyrat e shtëpisë të hapura mbi tavolinë” ose “Shamitë dhe duart mbi tryezë”. Klasifikimi që bënë ai për nxënësit, është i bazuar në zellin e tyre për të zbatuar kërkesën dhe cilësinë që shfaqet në mënyrë krahasuese midis tyre . Vlerësimet “Bravo” apo “të lumtë” janë shpërblime për përforcimin e sjelljes së dëshirueshme. Po ashtu edhe ndëshkimi me shprehjen : “turp të kesh” ka për qëllim të frenojë sjelljet neglizhuese ose të dëmshme. Në të njejtën mënyrë shpërblehet edhe një përgjigje e drejtë nga ana e nxënësit dhe dënohet një përgjigje e gabuar prej tij. Ky tip mësuesi përdor shpesh shumë ushtrime praktike për përforcimin e dijes shkollore që përfshihet në kurrikul.

Me këtë mënyrë performance mësuesi ka mundësi të mëdha , që të sigurojë përgjigje reflektive dhe automatike të dëshiruara, por frenohet së tepërmi marrja e përgjegjsive vetiake nga nxënësit , që janë aq shumë të nevojshme për shkollimin e tyre. Përvetësimi i vlerave të tilla si : “Bindja ndaj familjes , respektimi i autoritetit , të qenit racional , indentifikimi me shtetin dhe besnikëria ndaj kombit , luajtja e rolit tradicional në shoqëri , rezistenca psikologjike , besnik i qytetërimit , aftësia oratorike” etj, bëhet në mënyrë mjaft të natyrshme. Me kalimin e kohës , për të marrë të njejtin rezultat mësuesi duhet të përforcojë efektet shpërblyese dhe ato ndëshkuese , duke përdorur si mjete , intonacionin e zërit , fjalët me njgjyrim emocional dhe sidomos procesin e vlerësimit me notë .

Praktikimi i kësaj teorie filozofike tregon se diferencat midis nxënësve sa vjen dhe bëhen më të larta. Elementi gjithëpërfshirës realizohet me vështirësi në këto klasa. Me kalimin e kohës nxënësit ndahen në të paktën dy seksione, të aftët në njërën anë dhe të pa aftët në anan tjetër. Kështu nxënës që shquhen për inteligjencë gjuhësore shfaqen mirë në lëndët e shkencave shoqërore , por sforconhen në lëndët që kërkojnë veprimtari praktike, apo llogaritje. Nxënës të tjerë që shquhen për inteligjencë logjike-matematike, ndihen mirë në lëndët shkencore , por shfaqen të ngadalshëm në lëndët teorike. Por më të vështirët në këtë proces , janë nxënësit e ashtëquajtur “të lëvizshëm” .

Zakonisht këta nxënës përjetojnë momentin , përvetësojnë më mirë kur prekin, ose përdorin materialin mësimor. Pra ndihen mirë vetëm në lëndët praktike. Në lëndët e tjera sigurojnë stanjacionin , të cilin e përjetojnë me emocione shqetësuese deri në stres ,pavarësisht se sa e shfaqin këtë së jashtmi . Shpesh ata përçmojnë autoritetin në nivele të ndryshme , sillen keq , nuk tregojnë respekt për të rriturit dhe kundërshtojnë prindërit, apo mësuesit. Kjo vështirëson së tepërmi menaxhimin e klasës , dobëson reflektimin e veprimtarive shkollore dhe çorienton nxënësit e tjerë.

Njohuritë psikologjike e ndihmojnë mësuesin bihejviorist në kërkimin dhe realizimin e metodave ,që i përshtaten më mirë moshës së fëmijës , por polarizimi i aftësive të nxënësve të tyre gjatë procesit edukativ, i zhvlerëson këto metoda, sado inteligjente që të jenë në shfaqjen e tyre. -Kur mbyll derën e klasës mësuesi ekzistencialist mendon që nxënësve duhet t’u zhvillohen aftësitë sipërmarrëse dhe vendimmarrëse . Dhe për të siguruar këtë proces nxënësit duhet të kenë shumë liri. Ai ka besim se nxënësit janë në gjendje të interpretojnë realitetin në shumëllojshmërinë e tij dhe janë të aftë të veprojnë në situata reale. Ky tip mësuesi kërkon një mjedis real dhe sa më të natyrshëm , në mënyrë që të mos frenojë sjelljen e lirë të nxënësve, të mos turbullojë motivimin e tyre në proceset e orjentua së brëndshmi që ata realizojnë.

Në këto orë mësimi nxënësve dendur u ndodh të gjenden përballë pyetjeve frontale si : “Kush prej jush ka njohuri për këtë dukuri ?” ose “Cili do të vijë i pari në mësim?” Këto pyetje frontale, i çlirojnë nxënësit e klasës nga emocionet që shkakton komunikimi me mësuesin, për elementët e mësimit. Kjo, sepse inisiativa mbetet në dorë të atyre nxënësve që e njohin më mirë problemin në fjalë. Ndnjëherë, edhe më i komunikueshëm kur pyet: “Çfarë opinioni keni për probleme , që i ndeshim dendur në komentet mediatike ?” Përgjithësisht nuk imponon qëndrimin e tij ndaj dijeve të nxënësve, por nxit mendimet e ndryshme të tyre, me qëllim që ata vetë, t`i afrohen sa më shumë të vëtetës reale. Të mësuarit kritik dhe krijues, krijon baza të shëndosha në këtë proces. Ky mësues, beson që njohuritë e nxënësve, janë funksion i përvojave të tyre të mëparëshme dhe i besimeve që ata kanë. S` është çudi , që mësuesi, për temën e re, të komunikoj vetëm faqet e librit ku ndodhet dhe më tej, të kërkoj në orët e tjera, konkluzione të nxjerra nga vetë nxënësit, me gojë ose në formë eseje.

Shpesh nxënësit ndiejnë gëzim, kur nuk janë të detyruar t`i nënshtrohen, qëndrimit mbyllur gjatë gjithë orës në klasë. Atëhere ky mësues që beson në teorinë konstruktiviste të të mësuarit, i lejon ata të dalin nga klasa, në këmbim të një pune në grup, ose individuale, në mënyrë të pavarur. Përforcimi i vlerave të tilla si: “Autonomi në veprime, realizimi individual, vlerësimi i tjetrit, tolerimi i sjelljes ndryshe, performanca vetiake, vështrimi praktik i jetës, vlerësimi i suksesit individual, aftësitë integruese në shoqëri, sigurimi i kompetencës shoqërore,, etj, realizohet në mënyrë të shpejtë dhe të qëndrueshme. Mësuesit me këto ide, vënë në dyshim rëndësinë e një plani të përgatitur prej tyre në mënyrë të përditëshme. Liria që kërkojnë të sigurojnë për veten e tyre në procesin e edukimit, shpesh vë në diskutim rolin e mësuesit në ushtrimin e detyrës, si një profesion me tipare plotësisht të përcaktuara.

Përcaktimi i rolit kryesor, që ka dialogu në komunikimimin mësues-nxënës dhe nxënës-nxënës, gjatë veprimtarive e lehtëson zhvillimin e mësimit. Ky realitet që krijohet nga mentaliteti i mësuesit, siguron gjithëpërfshirje dhe klimë të shëndetëshme në klasë. Shumica e nxënësve nuk ndiejnë vështirësi, sepse mënyra e kontrollit është e tillë që, i lejon të shprehin lirshëm, njohuritë dhe aftësitë që ata kanë, pavarësisht nga shkalla e zotërimit të tyre. E meta që bie në sy,është se nxënës të tillë realizojnë me vështirësi veprimtari që kanë në bazën e tyre marrëveshjen dhe kompromisin. E metë tjetër është, se këta nxënës kanë propabilitet të vogël, që të zhvillohen në koherencë me kërkesat e kurrikulës, kështu që hasin probleme me testet e standardizuara. Etika e përjashtimit të një autoriteti të jashtëm, nuk siguron motivimin e duhur për një zhvillim të shpejtë dhe të plotë të personalitetit të këtyre nxënësve.

Tendenca e mësuesve të tillë, për të shfrytëzuar ekskursionet, ose veprimtari të tjera, si mënyrë ballafaqimi me mjedisin real, shton dukuritë spontane, në edukimin e nxënësve, po ashtu edhe lirinë e zhvillimit të tyre së brendëshmi. Studimi i lëndëve tw shkencave humane, është mjet i fuqishëm, për përvetësimin e të menduarit kritik dhe krijues. Dhe së fundi, kjo mënyrë edukimi, ka shanse të pakta, që të shfrytëzoj përvojat e përparuara pararendëse dhe të kaluara, në rrugën e zhvillimit të personalitetit. Sa herë që mbyll derën e klasës një mësues progresivist, është duke menduar për proceset mendore, që qëndrojnë pas sjelljes së nxënësve. Ai bënë përpjekje, që nxënësi të marrë njohuri dhe të fitoj shprehi, në përputhje me fazën e zhvillimit intelektual të tij.

Ndryshe nuk funksionon procesi. Ai kujdeset për të siguruar një mjedis, me sa më shumë ide. Pyetjet nuk i bënë asnjëherë për të gjithë mësimin, por për çështje të veçanta të tij. Si përforcues në orën e mësimit nuk përdor ndëshkimin apo shpërblimin, por komentimin dhe informacionin rreth korrektësisë së përgjigjes së dhënë nga nxënësi, për dukuritë shkencore, apo shoqërore. Ndërveprimi i nxënësve në situatat shoqërore është tregues i zhvillimit konjitiv prandaj stimulohet nga ky mësues. Kështu, kur fëmijët veprojnë nën drejtimin e të rriturve ose në shoqërinë e bashkëmoshatarëve fitojnë aftësi më të qëndrueshme dhe më të mëdha, sesa kur qëndrojnë vetëm.

Përvetësimi i vlerave të tilla si : “ Balancimi i idealeve fizike , intelektuale , estetike dhe morale , kontrolli i akteve inpulsive , modest me seksualitetin, shmangia e agrisivitetit , vështrimi kompetent i çështjeve , vetveprimi si qytetar i mirë , të vlerësuarit në mënyrë sociale , të fituarit e besimit nga të tjerët , mënyra e përvetësimit të fakteve , përdorimi i forcës së shembullit personal , aftësi bashkëpunuese , respekti ndaj punës dhe produktivitetit , vlerësimi i suksesit kolektiv” etj, bëhet në pajtueshmëri dhe koherencë sipas nevojave individuale , psikologjike apo sociale. Mësuesi progresivist i udhëhequr nga teoritë konjitive- sociale përdor si mjet të rëndësishëm punën e nxënësve në grup.

Kjo do të ndihmojë nxënësin të modelojë sjelljen e tij në mënyrë të vetëdijëshme, duke vrojtuar sjelljen e nxënësve të tjerë. Po ashtu, kjo do të ndihmojë mësuesin gjatë aktiviteteve të larmishme të respektojë diferencat individuale të nxënësve. Kjo mënyrë mësimdhënie nxit besimin që nxënësi ka në aftësitë e tij , për të vepruar saktë në bazë të motivimit të tij. Analiza e perceptimeve vizuale apo dëgjimore e lejon këtë mësues të kuptojë mirë çfarë ndodh kur një nxënës ndjek veprimtarinë e mësuesit. Por mësuesi ekzistencialist e njeh më mirë nxënësin në kompleksitetin e tij edhe kur ky e ka bërë dalje dijen formale, që realizohet në shkollë. Kjo i lejon atij , të shmang më lehtë konfliktet dhe të sigurojë më mirë aktin e gjithëpërfshirjes në klasë. Tiparet e mësuesve që janë skalitur nga këto teori , nuk i gjejmë të pastra tek të gjithë edukatorët e brezit të ri. Vetë ata janë në proces zhvillimi dhe në periudha të ndryshme , përforcojnë tipare të ndryshme të shfaqes së tyre profesionale. Natyra e lëndës që zhvillojnë dhe cilësitë e karakterit të tyre, janë të rëndësishme për filozofinë arsimore që ata zgjedhin. Ata zgjedhin atë teori, që përshtatet më këndshëm dhe jep rezultate më të sigurta.

Këto teori janë rezultat i përpunimit të praktikës profesionale të mësuesëve të djeshëm dhe të sotëm. Prandaj mësuesit në shkollat shqiptare , megjithëse mund të mos kenë njohje të plotë për këto teori filozofike të arsimit , praktikisht , duke ndjekur përvojën personale , realizojnë në mënyrë empirike , aspekte përputhëse me parimet e tyre. Ky empirizëm i pengon ata të vlerësojnë dhe të vetëvlerësohen, në mënyrë krahasuese me pritshmëri të qarta, për rezultatet e sotme dhe projektet për të ardhmen e edukimit. Jo rrallë mësuesit e realizojnë detyrën e tyre në mënyrë rutine, pa dëshirën e mjaftueshme për të siguruar një proces rezultativ.

Në disa raste të tjera stresin dhe shqetësimet e jetës private ia përciellin pa të drejtë nxënësit, gjatë veprimtarive shkollore. Në rastet me tendenca të tilla të natyrave të ndryshme, nuk bëhet fjalë për aplikimin e filozofive arsimore por për prapavija të qarta të lindjes së konflikteve në shkollë. Në raste të tilla më efektiv do të shfaqej mjedisi i natyrshëm i edukimit në familje, se sa aktet që shformojnë realitetin në shkollë. Secila prej këtyre teorive shfaq anët e saj pozitive dhe dobësitë , por të gjitha teoritë bashkë, të ndihmojnë që të realizosh veprimtari edukuese, me horizont të gjerë dhe me pritshmëri më të lartë. Kjo është arsyeja që kur drejtuesit në arsim arrijë të realizojnë bashkëpunimin e aktorëve në shkollë , problemet që zgjidhin janë më të shumta dhe cilësia e zgjidhjes është më e lartë.

Mësuesit, punën e të cilëve ata bashkërendojnë, përfaqësojnë një shumëllojshmëri idesh për gjendjen e shkollës sot dhe prespektivën e afërt dhe të largët të saj. Hapja e shoqërisë shqiptare ndaj zhvillimeve të përparuara në botë , krijon premisa të sigurta , që edhe në vendin tonë të ketë përvoja më të shumta rezultative në arsim , ekonomi , qeverisje etj. Ky është detyrimi ynë si edukator , sepse njohuritë dhe mendimet e nxënësve sot, do të kthehen në vendime dhe veprime në të ardhmen e afërt

Share: