Home KRYESORE Për thellimin e mëtejshëm të unitetit në mes të së ashtuquajturës Akademi...

Për thellimin e mëtejshëm të unitetit në mes të së ashtuquajturës Akademi dhe politikës

Nga Sali Bytyçi

Uniteti Akademi-politikë po forcohet dita-ditës. Para disa vjetësh kjo Akademi në gjirin e saj e pranoi birin e lavdishëm të partisë (LDK) dhe të popullit (të atij populli të privilegjuar në LDK), Isa Mustafanë, i cili tani avancoi me daljen në krye të Qeverisë së Kosovës, të cilën po e udhëheq drejt sukseseve të reja, të papara në këto anë! Njëkohësisht me të në gjirin e vet pranoi edhe disa aktivistë të tjerë politikë.

Sigurisht edhe në zgjedhjet që po afrojnë, do ta rrisë më tej unitetin me politikën, duke pranuar aktivistë të rinj politikë.

Gjithnjë në thellim të unitetit me politikën (zaten politika e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë e themeloi), tani kjo Akademi ka filluar të botojë edhe libra të këshilltarëve të figurave politike të republikës sonë të shumëvuajtur që po qëndron si shkëmb graniti në këtë pjesë të trazuar të botës, por pa e ulur kurrë flamurin e… (Fundi fundit të gjithë e dinë cilin flamur e çon lart Kosova, ndaj nuk ka nevojë t’ia përmendim emrin).

Por, pasi e ashtuquajtura Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, me botimin e librit të Blerim Latifit ka filluar të botojë librat e këshilltarëve të personaliteteve politike (Blerim Latifi është këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, ndërsa e ashtuquajtura Akademi e Shkencave dhe e Arteve është nën Kuvendin e Kosovës!), propozoj që kjo e ashtuquajtur Akademi t’ia botojë edhe vjershat e Ismail Sylës (Ismail Syla është këshilltar i Hashim Thaçit!).

Edhe ashtu, kjo “Akademi” boton libra me vjersha, bile edhe riboton!

Të na rrojë uniteti Akademi-politikë!

(29 mars 2016)

Share: