Home KRYESORE Politika nuk vetë-dekriminalizohet, atë duhet ta bëjmë ne

Politika nuk vetë-dekriminalizohet, atë duhet ta bëjmë ne

Nga Mentor Kikia

Siç e dini, politika jonë është para një vendimi shumë të vështirë. Ajo duhet të dekriminalizohet. Asaj i duhet të vendosë që kriminelët, trafikantët e drogës, tutorët e prostitutave, vrasësit, grabitësit, hajdutët dhe gjithë soji i tyre, të mos bëhen më deputetë, kryetarë bashkishë, drejtora etj.

Nuk është gjë e lehtë të bëhet kjo, kur ky soj është shpërndarë si vaji në lakra në të gjitha strukturat politike. Fillimisht ky soj vetëm paguante rryshfet për politikën ndërsa politika e përdorte atë si armë në zgjedhje e pastaj e braktiste. Por dalëngadalë, u rrit nevoja për krah të armatosur dhe para cash. Duheshin rrahur kundërshtarët, duheshin shqyer e mbrojtur kutitë e votimit, sipas rastit. Pastaj ky soj nuk ofroi thjeshtë paratë dhe ushtarët e dhunës, por u ofrua edhe vetë. Ata u futën nëpër struktura partiake, politika u miqësua me ta, ata filluan të ishin garancia dhe mbrojtja e saj dhe dalëngadalë u bënë njësh.

Paralelisht me këtë ngjizje të krimit me politikën, erdhi edhe degradimi i shoqërisë dhe asaj demokracie të zbehtë që po rritej. Nga njëri preces zgjedhor në tjetrin, ne filluam ta shesim votën gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më hapur, gjithnjë e më lirë. Ne filluam t’ia japim votën atyre që, edhe pse e dinim se janë trafikantë dhe banditë. Ne i votonim edhe pse e dinim se ato para që po na jepnin na i kishin vjedhur po neve, shumë më shumë. Sepse gjithnjë e më shumë nuk kishim e nuk kemi besim tek askush.

Tani ata duhen ndarë. Por ky operacion është i dhimshëm, aq sa unë nuk besoj se këtë ndërhyrje mund ta bëjë vetë pacienti.

Unë mendoj se sërish këtë duhet ta zhbëjmë ne, ne që e lejuam të bëhej. Po po, ne! E di që do të thoni se kush na pyet neve, por unë them se vetëm ne mund ta bëjmë. Ne i njohim të gjithë ata që na sjellin partitë për të votuar. Dhe, ne vend që të pranojmë paratë tyre të qelbura erë gjak e erë drogë, t’ua refuzojmë edhe paratë, edhe votën. Vetëm kështu dekriminalizohet politika, dhe shteti pas saj.

Share: