Home KRYESORE Pse nuk guxon të dështojë Kosova si shtet?

Pse nuk guxon të dështojë Kosova si shtet?

Nga Sadri Ramabaja

Gjendja në Kosovë kaherë, por veçanërisht prej 25 gushtit 2015, kur qeveria e saj u shtrëngua nga Brukseli që të nënshkruajë marrëveshjet në esencë antikushtetuese, po thellon krizën dhe zhytet në destabilitet. Prandaj Gjermania, jo thjesht pse ishte sponzoruesja kryesore e kësaj qeverie, por edhe BE-ja, kanë për obligim historik ta ndërrojnë kursin kundruall opozitës dhe ta ndihmojnë për ndalimin e procesit të formimit të Republikës Serbska në truallin e Kosovës, duke pamundësuar kështu rrëshqitjen e Kosovës në terrenin e shteteve të dështuara.

Nga Sadri RAMABAJA

Prishtina, 12 Mars – Në raundin e dhjetë të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, nën drejtimin e të Ngarkuarës së lartë të BE për Politika të Përbashkëta të Jashtme dhe të Sigurisë, Ledi Catherine Ashton, më 19 prill 2013 qe arritur (më mirë të themi imponuar) marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mbi Masat për Normalizimin Afatgjatë të Marrëdhënieve mes dy shteteve.

Marrëveshja qe vlerësuar nga Brukseli dhe qendrat tjera të vendosjes në Perendim, si “një hap në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve”, megjithëse pikërisht akti i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje shënon hapin vendimtar të procesit të defunksionalizimit të Republikës dhe fillimit të zhbërjes së saj! Këtë populli i Kosovës nuk e kishte paramenduar se do t’i ndodhte pas plot katërmbëdhjetë vjetë lirie. Para së gjithash, qytetarët e Kosovës nuk kishin mundur as ta paramendonin se ky vendim morbid, që shenjon hapin e parë drejt krijimit të “Bosnjës së dytë” në këtë pjeës të Evropës Juglindore, do të tumirej në Bruksel.

Kjo marrëveshje ishte cilësuar si hap i rëndësisë së veçantë në rrugëtimin drejt përmirësimit të raporteve ndërfqinjësore dhe ecjes drejt Europës për të dy vendet, megjithëse ishte e qartë se me këtë akt po i vihej kazma rendit kushtetues e juridik të Republikës së Kosovës.

Dështimi i BE-së në Kosovë

Fill pas nënshkrimit të Marrëveshjeve mbi parimet për krijimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe (Zajednicës), nga ana e kreut të qeverisë së Kosovës ishte potencuar bukur me krekosje se Marrëveshja është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi. Por, aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 23 dhjetor 2015, dëshmoi krejt të kundërtën. Aty u potencua qartë se marrëveshja bie ndesh me frymën e kushtetutës. Ajo, pra cenon rendin kushtetues e juridik të Republikës. Interpretimet tjera dhe udhëzimet lidhur me Zajednicën, ishin të domenit politik, që nuk ishte fare detyrë e Gjykatës.

Në anën tjetër, edhe nënshkrimi i marrëveshjes mbi demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, më 26 gusht 2015, në Vjenë, ishte një kurthë shtesë në kapitullin politik për defunksionalizimin e Republikës. Përmes kësaj marrëveshje, që nuk bazohej në të dhënat faktike të terrenit, sikur qëllimisht po hidhej vaj në zjarrë!

Ekspertët më të mirë të vendit, kësaj radhe të mbështetur nga Fondacioni “Fridrich Ebert”, kishin bërë një studim të shkëlqyeshëm bazuar në dokumentet arkivore të ushtrisë jugosllave, rezultatet e të cilit dëshmonin se, jo më pak se 8300 hektarë të rëndësisë së veçantë të shpatijeve me burimet kryesore të ujit, që furnizojnë Lumbardhin dhe Dukagjinin, po i faleshin Malit ët Zi!

Këto ishin dy arsye të mjaftueshme që krijuan terrenin për shpërthimin e gjendjes në Kosovë. Opozita e bashkuar, në krye të së cilës është VV, e të cilit front iu bashkua një pjesë e mirë e shoqërisë civile, përfshirë edhe një pjesë të mirë të intelegjencies dhe profesoratit universitar, në emër të mbrojtjes së Republikës, organizoi demonstrata masive, sidomos më 9 janar dhe 17 shkurt 2016. Protesta e fundit, gjykohet me të drejtë si protesta politike më e madhja në historinë e Kosovës.

Nga fillimi i protestave kërkesat e opozitës ishin përqëndruar në tërheqjen e qeverisë nga dy marrëveshjet në fjalë, ndërkaq pas publikimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, u pasua edhe me kërkesën për tërheqjen e qeverisë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese de fakto i heq bazamentin juridiko-politik Marrëveshjes për krijimin e Zajednicës dhe e kthen atë në pozicionin Nul.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nga ana e Serbisë u injorua tërësisht, meqë për Beogradin Gjykata Kushtetuese është inegzistente! Fatkeqësisht, me qëndrimin e tij ndaj këtij vendimi, edhe nga Brukseli ai u vu në pikëpyetje, meqë tutje insistohet të ecet me procesin e krijimit të Zajednicës!

Qeveria e Kosovës tashti arsyetohet se do të respektojë vendimin e Gjykatës gjatë procesit të hartimit të Statutit për Zajednicën, ndërkaq Beogradi thirret eksluzivisht në marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Kosova nuk guzon të shndërrohet në shtet të dështuar

Kosova nuk guxon në asnjë mënyrë të shndërrohet në një shtet të dështuar, duke qenë se pretendojmë të jemi politikisht pjesë e Europës. Qeveria e përbërë nga koalicioni i madhë (PDK / LDK + Lista Serbe …) , tashmë është tërësisht e diskredituar dhe e delegjitimuar.

Nëse mirren në konsideratë qoftë edhe vetëm faktet e publikuara, kjo qeveri vlerësohet si më e korruptuara në historinë e Kosovës. Raportet që vijnë nga Brukseli vlerësojnë se korrupcioni tashmë është shnëdrruar në fenomen endemik! Shih për këtë, çfardo përpjekje për ta mbajtur tutje në pushtet këtë qeveri, do të ketë pasoja tmerrësisht të pariparueshme politike. Qytetarët qysh tashti, me të drejtë, kanë filluar të drejtojnë gishtin drejt Brukselit. Kjo rrjedhë ngjarjesh, po nuk ndërroi kahje shpejt, mund të ketë një fund tragjik duke prodhuar atë tip kulture politike me zhvillime fataliste. Aplikimi i formave të veprimit, që burim e frymëzim do të kenë ekstremin politik, ngjashëm me atë që kemi parë në sheshet e Athinës, do të jetë i pashmangshëm.

Është më se e qartë se injorimi i kërkesave të opozitës nga ana e qeverisë, krizën politike vetëm sa po e thellon. Në mbledhjen e fundit që kishte Kuvendi më 10 mars, u ripërsëritën skenat që i shohim në Parlament që prej shtatorit 2015, ndërkaq përmes fjalimit të deputetit më të vjetër të opzitës, z Ismail Kurteshit, opozita paralajmroi strategjinë e re të veprimit – bojkotin e Parlamentit, duke e cilësuar atë madje jolegjitim.

Më 26 mars do të kemi demonstratën e radhës, që supozohet të jetë poashtu tejet masive. Duke marrë në konsideratë edhe datën kur organizohet dhe simbolikën që bartë kjo datë (35 vjetorin e demonstratës studentore, me ç’rast de fakto kishte filluar Pranvera kosovare), ajo lehtë mund të shndërrohet në një Pranverë të dytë kosovare.

Çfarë do të mund të pritej, nëse edhe më tutje qeveria nuk tërhiqet?

Mos të harrojmë: Kosova ka kohë që është shndërruar në një geto të llojit të vetë. Qytetarët e Kosovës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes në botën e lirë. Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë, ku qytetarët nuk gëzojnë të drejtën elementare të lëvizjes së lirë, siç e gëzojnë të gjithë evropianët tjerë, prandaj ata ndjehen si të burgosur dhe peng të kësaj qeverie.

Varfria ka shenjuar kulmet ekstreme. Papunësia është e përmasave marramendëse, madje tek brezi deri në 30 vjetë, ajo kalon 70%-shin. Të rinjtë, shih për këtë, me të drejtë e ndjejnë se janë të papërspektivë. Shteti përmes strukturave të nëntokës së PLDK-së është kapur. Strukturat e inkriminuara kanë shtrirë rrjetin e tyre në çdo institucion publik e shtetëror. Për këtë, një pjesë e mirë e përgjejgësisë bie edhe mbi EULEX-in.

Kjo Qeveri, shkruan Elvis Hoxha, filozof nga Tirana, e ka shpënë Kosovën në korruptimin e Republikës në të paktën 4 drejtime:

1. Zhdukjen absolute të publikes, pra vendit të përfaqësimit politik dhe punëtor të njerëzve;

2. Zhdukjen e çdo reciprociteti që ka të bëjë me njohjen prej shtetit me të cilin hyn në marrëveshje (Republika e Serbisë);

3. Përpjekja për shuarje të praktikave parlamentare dhe referencave kushtetuese në veprimtarinë qeveritare;

4. Përpjekja policore dhe gjyqësore për zhdukjen nga pjesëmarrja parlamentare të opozitës.

Në këto rrethana mbajtja e zgjedhjeve të parakohëshme mbetet e vetmja rrugë për nxjerrjen e vendit nga kriza politike dhe kolapsi ekonomik. Europa do të duhej përfundimisht ta dëgjojë zërin e qytetarisë kosovare.

Qytetarët e Kosovës duan ta gëzojnë një Republikë për vete dhe funksionale, ku do të mund të jetonin dhe punonin pa frikë për të ardhmen e tyre. Ata duan para së gjithash drejtësi sociale dhe shtet ligjor për të gjithë, pa përjashtim. Këtë qëllim ata e kanë të vështirë ta arrijnë vetëm, pa mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, ngjashëm siç e kishin arritur edhe lirinë në qershorin e vitit 1999.

Kosova nuk ka nevojë për Brukselin si tutor, por ajo ka nevojë edhe më tutje për ndihma konkrete nga Brukseli në lëmin e ekspertizës dhe këshillave, që do ta ndihmonin klasën e re politike për një strukturim dhe formësim të ri politik.

Ndihmën për zgjidhjen e krizës populli e pret me të drejtë nga demokracitë perendimore, nga aleatët tanë real (Berlini, Njujorku, Brukseli…) dhe jo nga Rusia. Kosovarët shpresojnë me të drejtë që kjo ndihmë do të duhej të vinte më e potencuar nga Berlini edhe për një arsye shtesë: çdo i treti qytetarë i saj jeton në hapësirën gjermanofone dhe lidhjet e tyre me Atdheun mbesin jo vetëm emocionale.

Këtë ndihmë qytetarët e Kosovës gjithësesi e meritojnë. Kosova nuk guxon të shndërrohet asesi në shtet të dështuar.

Share: