Nga Afrim Krasniqi
Kur në 2 korrik 2015 ambasada gjermane organizoi një aktivitet përkujtimor në nderim të “hyrjes në ambasada”, të ftuarit nga Berlini dhe diplomatët në Tiranë shprehnin habi sesi autoritetet shqiptare e kanë injoruar dhe vazhdojnë ta injorojnë këtë ngjarje. Për standardin perëndimor të vlerësimit të memories historike të vitit 90, akti i rreth 5 mijë qytetarëve për hyrje në ambasadat perëndimore dhe largim politik nga Tirana staliniste, është dhe mbetet një prej 2-3 ngjarjeve më të rëndësishme, e matshme me vërshimin e qytetarëve gjermano-lindore apo hungarezë më 1989 drejt perëndimit.
Edhe pas 25 vitesh në Tiranë ka një heshtje konsensuale ndaj korrikut të vitit 1990. Asnjë aktor politik nuk e citon, asnjë zë publik nuk e evokon, asnjë institucion kërkimor nuk e studion, asnjë zyrë e shtetit nuk ka një arkiv serioz mbi të dhe asnjë qeveri nuk ka bërë publike dokumentet që disponohen. Për më tepër, në asnjë rast nuk është bërë inventarizimi dhe publikimi i 4795 shqiptarëve që rrëzuan murin shqiptar të Berlinit dhe që me aktin e tyre, i paraprinë protestave studentore të dhjetorit ’90.
Mbi ngjarjet e korrikut 1990 ka ende shumë mite dhe enigma, që nga mitet e investuara nga regjimi i kohës për një skenar imperialist kundër Shqipërisë, deri tek përpjekja e ish zyrtarëve përgjegjës për të marrë meritën e nxitjes së emigrimit kundër sistemit të dhunës që ata vetë përfaqësonin. Ish ambasadori Werner Daum, zyrtarët e OKB De Mistura dhe Roxher Neild, stafi i jashtëzakonshëm gjerman i ambasadës dhe disa diplomatë të tjerë perëndimorë u bënë dëshmitarë, protagonistë dhe ndërmjetësues në një prej momenteve më të rëndësishme të historisë së këtij vendi. Kudo që ftohen, sa herë përmendet Shqipëria, ata janë të gatshëm dhe flasin me pasion për korrikun e ambasadave dhe rëndësinë e tij në rënien e shpejt të regjimit. Ata vetë, nuk lënë rast pa shprehur edhe habinë, sesi Tirana, vetë Tiranë, nuk flet dhe nuk e nderon historinë e vet.
Në bibliotekat shqiptare gjenden pak referime e botime mbi këtë ngjarje, – një dëshmi thellësisht e njëanshme e shefit të policisë komuniste të asaj periudhe, (D.B.); një dëshmi tjetër sipërfaqësore nga një diplomat shqiptar i kohës (H.M.), disa faqe ose paragrafë kujtimesh që evokojnë regjimin kundër qytetarëve dhe jo të kundërtën nga dy prej shefave më të lartë të regjimit (R.A. dhe Q.L.), si dhe disa analiza të shkurtra nga studiues dhe historinë të tranzicionit. Në tërësi, sic shihet, shumica e botimeve mbrojnë pikëpamjet e ish regjimit, për të cilin 4795 qytetarët ishin dezertorë, vagabondë dhe armiq të Shqipërisë, ndërkohë që raportet, analizat dhe dëshmitë realiste në tërësinë e tyre ose mungojnë, ose nuk e kanë fokus kryesor korrikun e vitit 1990.
Brenda kësaj panorame kritike të raportit tonë me historinë, ngjarjet dhe memorien shtetërore, në Tiranë, u prezantua një dëshmi unike, e Ilir Demalisë, njërit prej atyre që u ndodhën brenda rrethimit të ambasadës gjermane dhe që ato ditë, pati aftësinë të kuptonte se Shqipërisë mund ti shërbesh shumë më mirë duke iu kundërvënë regjimit të dhunës sesa duke drejtuar apo bashkëjetuar me të. Libri “Guri i fundit i dominosë” nuk është studim shkencor, as nuk merr përsipër të sjellë dhjetëra raporte e dokumente të dergjen ende në arkivat tona e të huaja, pa akses për publikun dhe studiuesit. Ai ka një qëllim modest nga fillimi në fund, – dëshminë personale me emra, me ngjarje, me detaje, me dialogë, me copëza të ditës, me ndjesi dhe me reflektime të para 25 vjet më vonë. Ai është libri i vetëm i shkruar nga ata që hynë në ambasada, është i vetmi që përshkruan detaje të jetesës brenda rrethimit të ambasadave dhe i vetmi që inventarizon pjesët e padukshme për publikun, – të gjitha të para nga brenda, nga një individ aktiv, nga një njeri që kaloi rrethimin e ambasadave me bindje të plotë politike në zgjedhjen e tij, nga një qytetar që nuk ka as besimin më të vogël tek ndryshimi i regjimit dhe që e refuzon atë me të gjithë forcën e tij pavarësisht rrezikut, pavarësisht dhimbjes, pavarësisht pasojave.
Guri i fundit i dominosë nis aty ku merr jetë ngjarja, në detaje të vogla të erës së ndryshimit midis kolegëve në Kinostudio apo rinisë në bulevard, midis copëzave të bisedave me elitën e shpresuar liberale intelektuale të kohës dhe pjesën rebele të tiranasve që ndjehen të tepërt e të huaj në vendin e tyre. Cdo ditë ka një ditar të detajuar dhe historia mbyllet aty ku mbyllet “zyrtarisht” ngjarja e ambasadave, më 14 korrik. Në orët kur 4705 qytetarë nga më kurajozët kanë prekur tokën perëndimore të dëbuar fshehtas nga shteti I tyre amë, ca marksistë të vonuar e të gënjyer të diasporës bëjnë anti-miting kundër tyre, ndërsa në Tiranë, në sheshin “Skënderbe” dhjetëra mijëra qytetarë të bindur janë thirrur në resht në mitingun e turpit kundër rinisë, kundër heronjve të ambasadave. Ky kontrast i thellë shpreh në vetvete edhe dramën e madhe të Shqipërisë, hendekun e thellë midis regjimit dhe qytetarëve, hendekun e thellë midis elitës së emëruar e të nënshkruar dhe atyre që nuk kanë jetë të tepërt të presin, nuk kanë shpresë nga të nënshtruarit dhe nuk shohin zgjidhje prej atyre që janë vetë pjesë e problemit.
Iliri jeton prej vitesh larg Shqipërisë. Shumë prej atyre që u larguan më 1990 nuk jetojnë në Shqipëri. Disa nuk jetojnë më. Disa kanë arritur të bëjnë karrierë të suksesshme dhe siç ndodhi në aktivitetin e 25 vjetorit organizuar në Gjermani nga shteti gjerman, – bëjnë pjesë tek ambasadorët e artit të Shqipërisë në perëndim. Vitet po kalojnë dhe me to, edhe dëshmitë po treten.
Lodhja nga tranzicioni dhe zhgënjimet e ditës e kanë bërë publikun e sotëm në Tiranë tërësisht pasiv dhe pa interes për korrikun apo dhjetorin 90. Ligjërimi mbi ditët e ndryshimit dominohet nga vetë ata që penguan ndryshimin, – elitat e vjetra politike e publike, – duke ushqyer një sistem vlerësimi antivlerë, dhe shpesh, deformues në raportet me të vërtetën dhe hierarkinë e ngjarjeve. Qoftë edhe për këtë mjedis zhgënjyes ku jetojmë, dhe i cili, referuar ambasadorit amerikan Rajërson në komentin e tij për këtë libër, – na provon edhe njëherë se “perandoria otomane është ende gjallë në Ballkan”. Guri i fundit i dominosë merr një vlerë më të veçantë midis atyre që çmojnë vlerat, – tregon se të vërtetat mbeten të vërteta edhe kur nuk duam t’i dëgjojmë apo na dhëmbin.