Home KRYESORE Shyqyr Zotit

Shyqyr Zotit

Nga Edison Ypi

Të ishte gjallë kurvi të shihte se Shqipëria nuk futet dot në Europë, do ja shtronte me mish e pilaf nga qefi për efektin e stërzgjatur të rrethimit me tela me gjëmba. Shyqyr Zotit kurvi ka ngordhur dhe s’ka asgjë për tu mërzitur.

Po duan të na bëjnë edhe një herë pjesë të Turqisë së minareve, çallmës, hamamit, haremit, mullirit të kafes, shiltes, shurupit të shegës. Shyqyr Zotit qefin e papërmbajtur për të jetuar të pushtuar me shekuj nën gjysëm hënën po e shprehin ca budallenj të cilëve nuk u beson askush.

Do strehojmë refugjatë sirianë. Shyqyr Zotit nuk do merret vesh se po e bëjmë nga sikleti që na zuri, por ngaqë jemi mikpritësa, nam që na e kanë përhapur kot ca udhëtarë të krisur europerëndimorë të më se një shekulli më parë, aristokratë eksentrikë, entuzistë të çakërrdisur të gjallesave të rralla që kapardisen si të pamposhtur në ca zgëqe të harruara ku ka skuta aq të thella sa pushtuesve nuk u interesojnë aspak.

U kishin thënë se shqiptarët janë Muja dhe Halila, diva bjeshkësh që dashurohen me Zana, ngrenë shkëmbinj, tundin male, vrasin kuçedra me shtatë koka. Falë Zotit tashmë s’ka asnjë dyshim se shqiptarët nuk janë asgjë tjetër përpos ca ngrehalucë groteskë, ca tragjikomikë autodestruktivë.

Sa më larg nga Shqipëria aq më trim me sërbin, grekun, rusin, korrupsionin, keqqeverisjen. Diasporën e kemi plot e përplot me Fan Nola, Faik Konica, Isa Boletina, që vërvisin në ajër penën si shpatën duke dhënë mënt e duke vrarë e prerë armiq imagjinarë, dordoleca inekzistentë ëndërrash donkishoteske. Shqyqyr Zotit që trimat e munguar të arenës, kapadainjtë e mixhlizit virtual, kreshnikët e distancës diasporike, e kanë të shkruar në ballë që janë ca hajvanë me brirë që askush nuk i merr seriozisht.

Nuk kanë pse mërziten me ecurinë e keqe në mësime të kalamajve. Shyqyr Zotit, çfarë kalamajve nuk ua mëson shkolla, nuk ua lë mangut kafeneja.

Uria për të lexuar gazeta rrenacake dhe parë televizione të manipuluara ka avulluar të vërtetën. Shyqyr Zotit shitja e gazetave ka marrë rrokopujën dhe televizionet po shkojnënë të sëmës.

Do ishte mrekulli sikur karikatori i kalashnikovi të mbante nja 10 mijë plumba për ta sharruar me një breshëri të gjithë katundin. Shyqyr Zotit kalashnikovi ka vetëm 72 plumba që mezi mjaftojnë për të vrarë vetëm nënën, babain, dy vëllezër, tri motra, pesë nipër, shtatë komshinj.

Po ta vazhdonin si e filluan, partitë do rrinin në pushtet nga 40 vjet. Shyqyr Zotit ekziston Ilir Meta që me vizion, inteligjencë, diplomaci, vullnet të pamposhtur skraparlliu ja arriti ta bëjë partinë e tretë të shumëpritur dhe vendosi ekuilibrin e duhur të shumëpritur.

Reformën në Drejtësi po e bëjnë me ndihmën e Komisionit të Venecias. Shyqyr Zotit që nga qyteti i qullur shqiptarët njohin vetëm Urën e Psherëtimave dhe ata të Komisionit pranojnë dhurata.

Nuk është ndonjë qamet që e kanë qesharak numurin e pëlqimeve në Fejsbuk. Shyqyr Zotit që Fejsbuku për të mos i lënë përdoruesit e vet me zero pëlqime si zhaba në zall, mundëson pëlqimin e vetvetes, dhe për ta bërë atë numur sa gishtat e dorës mjaftojnë gruaja, çupa, çuni, dhe goca e tezes.

Hyn dimri, u dhembin kockat, humbin shpresën, u duket se do vdesin. Vjen behari, ngroh dielli, u shkrihet gjaku, gjejnë shpresën, ngjallen. Pasi ky cikël përsëritet disa herë, nisin të besojnë se janë të pavdekshëm. As kjo s’përbën problem. Për pamundësinë e pavdekësisë së budallenjve shyqyr Zotit është kujdesur vetë Allahu i cili daljen gjallë nga kjo dynja nuk ja mundëson askujt.

Shyqyr Zotit për kultivimin dhe trafikimin e hashishit ka ca vështirësi klimatike, natyrore, ligjore, policore, doganore, se përndryshe do ta kishin mbjellë hashishin edhe poshtë krevatit.

Shyqyr Zotit Shqipëria nuk ndodhet në Afrikë ku do ta hanin të gjallë njëritjetrin, por në Europë ku njëritjetrin vetëm e vjedhin dhe e vrasin.

Nuk ka asnjë problem pse ja afrojnë vdekjen njëritjetrit. Shqyqyr Zotit në varrim marrin nga një shami me vete për të bërë sikur fshijnë lotët.

Le të mos u shkojnë mirë me mësime kalamajtë. Shyqyr Zotit çfarë nuk mëson shkolla nuk e lë mangut kafeneja.

S’ka problem se çupa në emigracion u është bërë kurvë. Shyqyr Zotit ka mënyra për ta penguar llafosjen.

Pun’ madhe se u janë mërzitur gratë. Shyqyr Zotit ekzistojnë dashnoret.

Është tmerr t’i takosh në rrugë. Shqyqyr Zotit rruga ka dy trotuare, bën sikur s’i sheh dhe hidhesh në tjetrin.

Shyqyr Zotit që uji i detit është i kripur, era nuk kapet, shiu nuk mblidhet, malet nuk tunden, yjet nuk arrihen, se përndryshe do t’i kishin vjedhur.

Shyqyr Zotit që ekziston imagjinata, se nuk ka mënyrë tjetër ta mësosh sa të poshtër janë.

Shyqyr Zotit që ma mësuan se 1 edhe 1 bëjnë 5, se unë e dija që bënin 7.

Share: