Nga Alfred Nela
Rasti i dhunës së ushtruar nga mësuesi ndaj nxënësve në fshatin Ustren të Bulqizës, është një rast i paralajmëruar. Situata e shkollave në zonat rurale është në një gjendje të mjerueshme në shumë aspekte. Mungesa e shërbimeve publike dhe mosvëmendja institucionale ka krijuar një gjendje dasie mes qytetit dhe fshatit. Diferencimet e shërbimeve shtetërore kanë ndikuar në krijimin e perceptimeve negative ndaj popullsisë rurale. Shpeshherë rastet e sjelljeve deviante dhe violente, disa ekspertë zyrtar, i kanë komentuar si zgjatime të praktikave kanunore. Rast tipik ishte ai i Thethit. Interpretime me mbi baza dokësore dhe krahinore, apo tendencat për të krijuar kategorizime sociale imagjinare, janë tregues të dobësisë institucionale. Harresa e qëllimshme shtetërore, prej kohësh ka formësuar dhe krijuar një bindje sociale përçarëse, diferencuese dhe veçuese mes grupeve shoqërore mbi baza gjeografike.
Sistemi i arsimit nga një sistem penoptikan (i kontrolluar), dhe që kishte më shumë barazi, është transformuar në një sistem përçarës dhe diferencues. Neglizhenca shtetërore me mungesën e shërbimeve, ka inkurajuar transformimin e dhunës nga familja tek shkolla. Gjithashtu dhe varfëria, privimi në shërbimet publike, mendësitë tradicionale shoqëruar me amnezinë shtetërore, kanë përforcuar praktikimin dhe përforcimin e metodave destruktive në institucionet arsimore. Nëqoftëse në shkollat e zonave urbane janë bërë disa përmirësime drejtë standardeve bashkohore. Situata e arsimit në zonat rurale, përveç juridiksionit shtetëror, në pjesën më të madhe, janë jashtë kontrollit. Sistemi ndëshkimor, metodat tradicionaliste të mësimdhënies dhe menaxhimi autoritarist, janë format e zakonshme që ende aplikohen. Konkretisht rajonet rurale sidomos ato zona ku popullsia është e vogël dhe shpopullsimi është më i madhë, shkollat janë në një gjendje të mjerueshme.
Si e kanë zyrtarizuar përjashtimin social, strukturat shtetërore? Sipas përkufizimit të Komisionit
Evropian (2004), përjashtimi social është procesi ku disa individë pengohen të marrin pjesë në mënyrë aktive në shoqëri si rezultat i varfërisë apo diskriminimit të tyre. Duke u mbështetur në studimet shkencore, ja si politikat shtetërore e formalizojnë përjashtimin social. Përjashtimi social është rezultat i ndërveprimit të disa faktorëve themelorë: Rolit të sistemit të përkujdesjes shoqërore, që duhet të nxisë dhe të promovojë mirëqenien dhe kohezionin social në shoqëri. Rolit të tregut të punës si sigurues i të ardhurave. Standardeve të përfshirjes sociale dhe politike, të cilat promovojnë integrimin qytetar dhe civil të individëve në shoqëri.
Dizafantazhimi i grupeve sociale periferike, është evidentuar prej kohësh me shpopullimin e madhë që ka ndodhur në këto zona dhe sidomos me migrimet kolektive të viteve të fundit. Mungesa e mësuesve të kualifikuar dhe trajnuar, detyron migrimin e pakontrolluar të banorëve drejtë qendrave urbane dhe jashtë vendit. Mungesa e trajnimeve profesionale psh, agropërpunuese, mbështetjen për shitjen dhe promovimin e produkteve bujqësore apo artizanale, ku pasja e këtyre shërbimeve do të reduktonte varfërinë absolute. Mungesa e qendrave sociale, ku do të zhvilloheshin këshillime profesionale shëndetësore dhe psikologjike, për grupet e marxhinalizuara si, gratë, të moshuarit apo fëmijët. Mungesa e qendrave kulturore dhe sportive, po dekurajon dhe humb perspektivat e të rinjëve. Shteti po i kthen shkollat në magazina, po rrit numrin e qendrave të rehabilitimit, po rrit moshën mesatare të popullsisë, po varfëron financat me rritjen e numrit të pensionistëve dhe të përkrahjes sociale, gjithashtu, po kthen fshatrat në tokë djerrinë.
Sistemi që kalon mësuesin dhe ngel shkollën
Në pjesën hyrëse të drafit për, Strategjinë e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar 2014-2020, fq 10, citohet thënia,
“Jepu njerëzve lëmoshë apo një mjet pune, ata do të jetojnë pak më mirë. Jepu atyre arsim, ata do të ndryshojnë botën”.
Por çfarë ndodhë konkretisht me lëmoshën? Në fakt në vend që të japin një arsim cilësor, ata e kanë përforëcuar lëmoshën me anë të programit të ndihmës ekonomike, i cili është pjesë e politikës së asistencës sociale që nga viti 1993.
Duke u nisur nga fenomeni i dhunës në shkolla, do të përqëndrohemi më shumë sesi mungesa e një arsimi cilësor prodhon dhunë. Po të vështrojmë sesi funksionojnë shkollat në zonat rurale konkludojmë se, aty mungojnë shërbimet multidisiplinare (psikolog, punonjës social, mjek), mungojnë shërbimet publike (agjensi për mbrojtjen e fëmijëve, OJQ). Numri i mësuesëve të kualifikuar dhe trajnuar, është shumë i ulët. Infrastruktura mësimore, është në një gjendje të papërshtatshme për zhvillimin e mësimit. Nuk aplikohet, teknologjia e informacionit dhe komunikimit. Shumica e shkollave të zonave rurale janë jashtë trendeve të zhvillimit krahasuar me shkollat e tjera homologe. Vlerësimet e brendshme dhe të jashte, shpeshherë janë formale, (statistika) që do të thotë pa analiza dhe rezultate të sakta. Pra nuk kuptohet se çfarë plani ndërhyrje duhet të zbatohet. Shkollat e këtyre zonave shpeshherë janë si “Geto” (të izoluara). Është një habi dhe paradoks i madhë sesi organet drejtuese të arsimit, veprojnë me këto “target shkolla”. Konktetisht po të bazohemi vetëm tek një element, në këto shkolla ka tepricë mësuesish pa arsim përkatës dhe mungesë psikologësh apo punonjësish social. Aplikimi i metodave bashkohore në mësimdhënie, i TIK-ut dhe drejtimi ekipor i shkollës, nuk mund të realizohet me kontingjente mësuesish që kanë si shprehi punë metodat tradicionaliste, autoritariste dhe ndëshkimore. Krijimi i barrierave institucionale kanë krijuar një gjendje diskriminuese dhe steriotipizimin e disa shkollave si superiore dhe disa të tjerave inferiore.
Çfarë na tregojnë raportet zyrtare të vlerësimit rreth arritjeve në sistemin arsimor? Në provimet e shtetit për mësuesit në vitin 2014, morrën pjesë rreth 3700 mësues, ku vetëm 2% u vlerësuan shkëlqyeshëm. Në vitin 2015, në provimin e kualifikimit morrën pjesë 3452 mësimdhënës, ku rreth 9% e mësuesve nuk e kaluan provimin. Në rezultatet e testit për mësues të publikuara në Janar të këtij viti, nga 3789 pjesëmarrës, rezulton se asnjë prej kandidatëve nuk ka mundur të marrë 70 pikët maksimale. Më i shkëlqyeri ka arritur të sigurojë vetëm 67 pikë në të dyja pjesët e testit, ndërsa numërohen shumë pak ata me mbi 60 pikë. Konkretisht për ta ilustruar më qartë, po analizojmë rezultatet e testit të fundit të tre qarqeve veriore, meqë kanë një përqëndrim më të madhë të popullsisë rurale. Në qarkun e Lezhës, nga 100 kanditat vetëm dy mësues kanë marrë përkatësisht 60 dhe 63 pikë. Në qarkun Dibrës, nga 52 pjesëmarrës, vetëm dy mësues kanë arritur të marrin 58 pikë. Në qarkun e Kukësit, nga 31 kandidat, vetëm dy mësues kanë marrë 55 pikë. Gjithashtu në rezultatet e bazuara në katër fusha, në nivel kombëtar, vlerësohet nga IZHA, se në planifikim 52% e mësuesve kanë nevojë të konsiderueshme në trajnim, 41%, kanë nevojë për përmirësim. Në mësimdhënie 49%, kanë nevojë të konsiderueshme në trajnim dhe 40%, kanë nevojë për përmirësim. Në komunikim 34%, kanë nevojë të konsiderueshme në trajnim, 54%, kanë nevojë për përmirësim. Në zhvillimin profesional 40% e tyre kanë nevojë të konsiderueshme në trajnim dhe 53% kanë nevojë për përmirësim.
Bazuar në kronologjinë e të dhënave, rezultatet komprometojnë njëra tjetrën. Së pari, gjatë këtyre viteve trajnimet kanë qenë fiktive dhe shpeshherë janë cituar nga zëdhënësit e MAS-it, se janë shitur pikët e krediteve. Së dyti, arsimimi përkatës i mësuesve nuk është në nivele të kënaqshme, përkatësisht nëse i referohemi treguesve vërejmë se në vitin 2011-2012, rreth 20.2% e mësuesve në arsimin publik dhe 6% e mësuesve në arsimin privat janë ende me arsim të mesëm. Së katërti, raportet e testit PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve), në vitin 2012, rezultaton se pikët e Shqipërisë janë më të ulëtat nga vendet e Europës dhe Azisë Qendrore në matematikë dhe në shkencë dhe të parafundit në lexim. Një rezultat i përbërë për të treja lëndët tregon se Shqipëria është 15-30 pikë, pas Malit të Zi, rreth 40 pikë, pas Bullgarisë dhe mbi 100 pikë, pas OBZHE. Të dhënat shprehin se cilësia e arsimit është e ulët, e cila nuk mund të konkurojmë edhe me vendet e rajonit. Madje sipas marrëveshjes me Ministrinë e Arsimit Teknologjisë dhe Shkencës të Kosovës, Shqipëria do të zbatojë plan-programet e arsimit parauniversitar të tyre. Rezultatet pasqyrojnë arritjet e dobëta të mësuesve, ku me anë të të cilave ligjërohet dhe praktikohet dhuna. Gjithashtu pregatitja e pamjafueshme e mësuesve, ka krijuar një rreth vicioz dhe kthim në reminishencat e kaluara.