Home KRYESORE Si përligj shkeljen e ligjit Kryeministri i Kosovës?

Si përligj shkeljen e ligjit Kryeministri i Kosovës?

Nga Lis Bukuroca

Mustafa: “Vëllai im ka kërkuar azil për shërim, nga Kosova u larguan edhe nipat e mbesat.” Isa Mustafa duhet ta dijë se nuk ka ligje, që parashikojnë kërkesë azili për shërim, përndryshe do të shpërnguleshin të gjithë të sëmurët e Ballkanit për mjekim falas. Për atë mjekim falas, mirëpo dikush paguan tatime. Ndonëse i sëmuri mund të kuptohet, në kërkim të mbijetesës, por se është abuzim me ligjin e azilit, kryeministri duhet ta ketë ditur.

Ai mirëpo nuk mund të akuzohet për vëllanë, por Mustafa duhet burgosur sepse është Kryeministër i vendit, i cili nuk njeh shërbim mjekësor, por shërbim mafioz mjekësor. Ashtu si kupton ligjin Mustafa, mund të gjykojë edhe hajni: e vodha lekë e nderuar gjykatë, sepse nuk kisha para për të blerë bukë për fëmijët! Kur ajo fjali thuhet nga një njeri, të cilin neuropsikiatri e ka diagnostikuar si idiot, mund të kuptohet, jo mirëpo kur e thotë një akademik Kryeministër.

Për një arsyetim të tillë të shkeljes së ligjit, një politikan në Perëndim humb pozitën. Ligji nuk aprovohet për ta shkelur në rast nevoje, ose dhembshurie. Uroj ajo fjali të mos përkthehet, përndryshe vizitat nuk do të anulohen, nëse shpërndahet në publikun perëndimor, mënyra si din të logjikojë dhe arsyetojë Kryeministri i Kosovës, edhe atë, me titullin akademik. Kush do të investonte në një vend, ku Kryeministri në rast të përfitimi, përligj shkeljen e ligjit?

Mustafa nuk ka faj as pse është akademik, as pse është Kryeministër. Kryeministër e zgjodhi Hashimi, jo populli. Akademik e ka kanë bërë, akademikët pa vepra, që nuk njohin as drejtshkrimin e gjuhës shqipe, siç është edhe Mustafa. Njeriu me dinjitet dhe pa vepër, nuk do të kishte pranuar kurrë atë titull dhe as atë pozitë pa vota. E korruptoi Thaçi për interesa të veta.

Merreni me mend Rexhep Qosja akademik me një veprimtari aq voluminoze akademik dhe Isa Mustafa akademik, pa asnjë vepër që do të lexohej nesër. Ai në statusin e tij zotohet se do të angazhohet për liberalizimin e vizave, do të kërkojë investitorë dhe do të përpiqet për ta përmirësuar shërbimin mjekësor, ku e ka zhytur i dashuri i tij, Hashimi.

Goethe thoshte: “Kush posedon shkencë dhe art, ka edhe religjion. Kush nuk i posedon ato dyja, ai ka një religjion.” Kush posedon Thaçin dhe Mustafën, posedon mirëpo gjithçka dhe asgjë: gjithçka janë iluzionet e njerëzve plot shpresa. Ata presin ta ndreqin Kosovën, pikërisht ata që e kanë fundosur me sukses të madh, mu siç i shkon për shtati Serbisë. Ata kanë stisur një shtet, por aty ligji nuk ekziston, as për Kryeministrin, as për kriminelët, as për shantazhuesit.

Ata kanë ndërtuar në shtet, ku pikë së pari duhej burgosur gjykatësit, pastaj prokurorët, pastaj mjekët, profesorët dhe në fund, nëpunësit. Të gjithë ata shkelës të ligjit, nga Hashimi, Isa deri tek nëpunësi i rëndomtë, paguhen nga populli për të prodhuar iluzione se ka një shtet, e në fakt, prania e shtetit, vërehet në televizor dhe facebook, mirëpo jo te zbatimi i ligjit.

Duket se janë pajtuar dhe meritojnë njëri tjetrin: Kryeministrit dhe Kryetari shesin përralla, populli konsumon përralla dhe i beson dhe kënaqet sa herë lexon ato. Fakti mirëpo është se krijuan një Republikë Serbe, telashe me rikufizimin me Malin e Zi dhe ka tre vite që premtojnë liberalizimin e vizave dhe populli kënaqet tutje. Është mirë mos t’u prishte ekstaza politikanëve, e as popullit lezeti.

Share: