Home KRYESORE Sula im lypsi Arditit

Sula im lypsi Arditit

Nga Edison Ypi

Para semaforëve të Italisë një marokin i shkathët aspak lypës për 30 sekonda ta lan xhamin ta bën dritë.

Tek një semafor pranë Hotel Dajtit nuk ka marokinë. Ka lypsa që me surratin e shtrëmbëruar teatralisht, një sfungjer të qelbët dhe një shishe me ujë të pisët në duar, po u dhe ndonjë lek xhamin më tepër ta ndotin.

Ardit Gjebrea takoi tek ai semafor një lypës. Unë kam takuar anës autostradës një Sulë. Sula im dhe lypsi i Arditit kanë të njëjtën moshë.

Lypsi i Arditit është një brun i theksuar, totalisht i pamoralshëm, krejtësisht i lëshuar, pa asnjë turp, skrupull, vetpërmbajtje, qëndresë.

Sula im është një malësor i pamposhtur nofullshtrënguar, plot me kanun, moral, rregulla, detyrime, angazhime.

Lypsi i Arditit i ka nënë e babë, familje, farefis, të gjithë lypsarë.

Sula im nuk ka, dhe kurrsesi nuk mund të ketë, asnjë lypsar, as në familje as në fis.

Lypsi i Arditit nuk pranon të punojë kurrën e kurrës, edhe sikur ta lësh të ngordhë.

Sula im nuk pranon të lypi, edhe t’ja rjepësh lëkurën, tja sharrosh fytin, kockat një nga një t’ja thyesh e t’ja bluash.

Lypsi i Arditit fiton 10 euro në ditë duke lypur dhe duke tallur bythën para një semafori.

Sula im fiton 1 euro në ditë i vetëm mes djersësh dhe rreziqesh duke shkatërruar bunkerat për tu marrë hekurin.

Lypsi i Arditit jeton në shtëpi me qera me vetrata, televizor, stereo, dhe të gjitha paisjet.
Sula im jeton në një barrake të sajuar me llamarina dhe dërrasa, pa asnjë paisje.

Lypsi i Arditit çohet nga gjumi në orën 9.
Sula im çohet që në 5.
Lypsi i Arditit ha për mëngjez 3 salçiçe dhe 3 vezë.
Sula im mëngjezin e lypsit të Arditit nuk e sheh as në ëndërr.
Si lypsi i Arditit në Tiranë zor se ka të dytë.

Si Sula im rretheqark Tiranës dhe qyteteve të tjera ka me mijëra.

Shqipëria është e tëra plot me Sula dhe bosh me lypsa.

Te lypsi i neveritshëm i Arditit që lyp spektakël dhe pare, ha sallam dhe qesh si budalla, shkojnë vazhdimisht kamerat për t’i qarë hallin inekzistent.

Te Sula im krenar dhe i pamposhtur që mezi mban lotët, shtrëngon grushtat dhe kërcet dhëmbët, nuk kujtohet të shkojë askush për t’i qarë hallin uluritës.

Share: