Home KRYESORE “Të bëhet drejtësi, edhe sikur qiejt të përmbysen”

“Të bëhet drejtësi, edhe sikur qiejt të përmbysen”

Nga Mentor Kikia

Ka ngjarje që kanë ndikuar në ndryshimin e historisë së njerëzimit. Në vitin 1783, gjykatësi londinez, Lord Mansfiled, po shqyrtonte çështjen “Zong”. Një anije e mbushur me skllevër, e nisur nga Liverpuli, kishte hedhur në det 133 prej tyre, pasi ishin në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e kushteve të këqija të udhëtimit. Sipas praktikës, skllevërit ishin siguruar, si mall që ishin, dhe tregtari kërkonte dëmshpërblimin nga kompania e sigurimeve, duke thënë se skllevërit vdiqën. Çështja atë kohë mori shumë vëmëndje dhe përplasja mes kompanisë së sigurimit dhe pronarit të shkllevërve përfundoi në gjykatë. E kush mund të ngrihej kundër tregtarëve të skllevërve atë kohë? Ishte biznes i madh që po furnizonte me forcë pune, pa pagesë, tokën e re, Amerikën.

Por gjykatësi Mansfiled lëshoi deklaratën e madhe në sallën e gjyqit: Le të bëhet drejtësia, edhe sikur qiejtë të përmbysen. Ai shpalli fajtorë tregtarët për hedhjen ne det të skllevërve, meqë ata ishin të sëmurë dhe në Amerikë nuk ua blenin. Dhe vërtet qiejtë u përmbysën. Ky ishte vendimi mbi të cilin, 3 vjet më vonë, parlamenti britanik miratoi ligjin për kufizimin e tregtisë së skllevërve dhe përmirësimin e kushteve të transportit. Mbi këtë vendim u frymëzuan më tej lëvizjet shoqërore e fetare kundër skllavërisë. Ishte shënuar fillimi i luftës për ti dhënë fund epokës së krimit më të tmerrshëm të historisë moderne të njerëzimit.

Atë kohë nuk kishte as makina, as teknologji, as kompjutera, as salla moderne gjyqi e as mikrofonë. Por zëri i fortë i një gjykatësi tregoi se drejtësia ishte mbi gjithëçka. Ai tregoi se një vendim gjykate është në gjendje të ndryshojë edhe rrotën e historisë, të frymëzojë shoqërinë për ndryshim. 230 vjet më vonë, në të njëjtin vend, qeveria i kërkoi një gjykatësi të ndikohej në vendimin e tij për një çështje që lidhej me luftën në Irak, motivuar “për arsye të sigurisë kombëtare”. Por gjykatësi tha: S’më duhet politika, unë jam gjykatës.

Shoqëri të tilla nuk kanë ecur mbi tapet të kuq në historinë e tyre. Kanë pësuar luftra e shkatërrime, kriza e shkëlqime, rrënime e ringritje. Por ajo që ka mbetur e shenjtë, ka qenë drejtësia.

Shembuj të tillë na vijnë ndërmend për t’iu referuar tashmë kur neve na mungon dhe po përpiqemi të ndërtojmë një sistem drejtësie të vërtetë, të barabartë, mbi gjithëçka e mbi të gjithë. Nuk ka asnjë dyshim se burimi i të gjitha të këqijave është pikërisht mungesa e drejtësisë. Ne sapo kemi bërë ligje për të dekriminalizuar politikën, për ta pastruar atë nga trafikantët, kriminelët dhe hajdutët. Po përpiqemi të bëjmë ligje për të shpëtuar demokracinë, për të mos lejuar shitblerjen e votës, si treguesi i shkallës së fundit të degradimit të demokracisë dhe shoqërisë bashkë. Po përpiqemi të luftojmë korrupsionin, por nuk arrijmë të dënojmë dot asnjë zyrtar të madh.

drejtesia prej floririNe akuzojmë për këto politikanët dhe përpiqemi ta zgjidhim me votë, duke ndërruar qeveritë kur na shkon thika në kockë. Por në vend të zgjidhjes thjeshtë zëvendësojmë të njëjtin mekanizëm me të tjerë aktorë. Fajtori kryesor këtu nuk është kryetari i partisë, as deputeti trafikant, as ai që e shet votën, por është mungesa e drejtësisë. Për fatin e keq, drejtësinë e munguar ne përpiqemi ta zëvendësojmë vetëm duke miratuar e ndryshuar ligjet. Pa kuptuar se problemin e madh e kemi tek ai që duhet të zbatojë ligjet, tek GJYKATESI. Neve na mungon ai që duhet të bërtase: Le të bëhet drejtësia, pa qiejt të përmbysen. /Gazeta Shqiptare

Share: