Home KRYESORE Te shkosh kunder shqiptares i shtyre nga Bozhinovski

Te shkosh kunder shqiptares i shtyre nga Bozhinovski

Nga Lis Bukuroca

Gazetat që vrapojnë pas klikimeve dhe ato vuajeriste, publikuan një telefonatë, që u dhuroi Bozhinovski. Seriozet, jo, ato e refuzuan.

E quajtën skandal, bisedë erotike, hot, +18, dhe togfjalësh tjerë provokues, për t’ia imponuar lexuesit kureshtjen, edhe atë, për një klikim, për një bisedë telefonike, që mund ta bëjë çdo njeri që nuk është impotent, ose aseksual.

Demokracitë banale, pa struktura të mirëfillta dhe kaotike, në luftë të përhershme me grupet parashtetërore, mafioze, ushqehet me dhunimin e privatësisë së qytetarëve të vet.

Para se të merren ato gazeta me luftën për shtet ligjor, duhet të shikojnë pak ligjet dhe pyesin veten, pse shkelin ato Kushtetutën dhe kërkojnë respektim të Kushtetutës nga të tjerët? Pse me krimin e vet, luftojnë krimin e të tjerëve?

Me gazeta të tilla, mund të mburret vetëm elita politike që kemi. Ajo është e gatshme të bëjë çdo gjë për një votë, për një klikim bëjnë çdo gjë edhe të vetëquajturat gazeta. Morali i prishur dhe mungesa e sedrës në shtyp, është imazh dhe pasqyrë e politikanëve tanë.

Ajo toleron shkeljen e ligjit nga gazetat, gazetat gjoja luftojnë shkeljen e ligjit nga politikanët, mirëpo, që të dyja, arrijnë të bashkëjetojnë duke manipuluar popullin dhe larguar nga problemet reale. Politikanët duke vjedhur dhe premtuar se do ta luftojnë krimin, gazetat duke vjedhur dhe duke premtuar se do të luftojnë për shtet ligjor.

Utilitarizëm dhe hipokrizi e përkryer!

Share: