Rreth katër kilometra prej qendrës së Prishtinës, kryeqyteti i gjallë e i rrënuar i Kosovës, është një ndërtesë supermoderne në vlerë prej 30 milionë eurosh, që është monument për përpjekjet e BE-së për ta shndërruar shtetin e ri në Ballkan në demokraci paqësore dhe të qëndrueshme.
Është Pallati i Drejtësisë i Kosovës, përuruar në marsin e kaluar dhe i përshkruar prej një broshure promovuese të BE-së, si “simbol i respektit dhe besimit në rritje të publikut në institucionet që garantojnë sundimin e ligjit në Kosovë.”
Por të premten nuk kanë bërë punë as respektimi i ligjit e as dëshmia për drejtësi, paqe dhe stabilitet kur kuvendi zgjodhi president Hashim Thaçin, ish-kryeministër dhe ish-komandant gueriljeje.
Deputetët e opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës brenda sallës së kuvendit, sikurse kanë vepruar në mënyrë të përsëritur qysh prej tetorit, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë dhe mbajtur zgjedhje të parakohshme. Jashtë kuvendit, demonstruesit që kishin dalë rreth e përqark prej tendave të vendosura në sheshin “Skënderbeu”, kanë hedhur shishe me koktej molotovi dhe gurë në drejtim të njësiteve speciale policore.
Policia, disa prej të cilëve ishin vendosur me snajperë nëpër pullazet e objekteve përreth, kanë hedhur gaz lotsjellës dhe topa uji në drejtim të demonstruesve. Në kohën kur policia spastroi sheshin, më shumë dukej se Kosova ishte në prag të anarkisë hobsiane, se sa fakti se Thaçi ishte zgjedhur president.
Kosova, e izoluar, shtet i lodhur prej varfërisë me rreth 1,9 milionë banorë, ka shpallur Pavarësinë prej Serbisë më 2008 me përkrahje të Shteteve të Bashkuara, dhe vetëm pesë prej 27 shteteve anëtare të BE-së nuk e kanë njohur. Më shumë se 100 shtete kanë njohur pavarësinë e vendit, por jo edhe shumë vende të tjera, si Brazili, Kina, India, Irani, Izraeli, Rusia dhe Serbia.
Për qeveritë perëndimore, pavarësia dukej si rruga e vetme për të dalë prej qorrsokakut dhe tensioneve ndërmjet shumicës së shqiptarëve etnikë të Kosovës dhe pakicës serbe kosovare, mbështetur prej Beogradit. Tensionet kishin zgjatur prej luftës së viteve 1998-99, kur NATO-ja u kishte prirë shqiptarëve drejt triumfit kundër Serbisë.
Tani të njëjtat qeveri po shikojnë kaosin dhe dhunën politike në Prishtinë, që ushqen klimën acaruese të frikës dhe mosbesimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, me përzierje të zhgënjimit dhe shqetësimit.
Prej Bosnjë-Hercegovinës deri në Greqi, asnjë vend në Ballkan nuk është imun prej trazirave politike, barrës ekonomike dhe pakënaqësisë sociale. Por trazirat në Kosovë janë në mënyrë të veçantë shqetësuese për shkak të ndikimit potencial në krizën e refugjatëve dhe të emigrantëve në Evropë.
Kosova është si puna e një fëmije që gjithnjë mbahet për dore, me qëllim që të mos rrëzohet.
Bekim Çollaku, ministër për Integrime Evropiane i Kosovës, ka paralajmëruar javën e kaluar se më shumë se 200 mijë kosovarë mund të vërshojnë vendet e BE-së nëse blloku prej 28 shteteve anëtare nuk ia heq kosovarëve vizat sivjet – një prospekt i dyshuar duke marrë parasysh kundërpërgjigjen e ndarë dhe të frikshme ndaj krizës së refugjatëve.
Duke pasur parasysh se kanë ndikim të madh ekonomik, politik dhe ushtrak ndaj Kosovës prej përfundimit të luftës, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë trimëruar shtetin e ri në vitet e fundit të mbahet fort në këmbët e veta. Megjithatë, rezultati lë shumë për të dëshiruar.
“Kosova është si puna e një fëmije që gjithnjë mbahet për dore, me qëllim që të mos rrëzohet”, ka deklaruar Ariana Qosaj-Mustafa, juriste e shkolluar në Londër dhe drejtoreshë e programit të Institutit të Kosovës për Hulumtime dhe Zhvillim, grup i pavarur mendimi në Prishtinë. “Halli është se të gjithë jemi të shqetësuar për dhunën e mundshme.”
Pjesë e problemit është e bazuar në marrëveshjen e nënshkruar në gusht ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Serbisë për përparimin e të drejtave për autonomi për pakicën etnike serbe. Nacionalistët shqiptarë, të përqendruar në Vetëvendosje, partia më e madhe opozitare në Kosovë, e urrejnë marrëveshjen. Për më tepër, edhe serbët e urrejnë edhe më shumë.
Më e rëndësishmja është se kaosi në rritje i Kosovës është kostoja që duhet të paguajnë amerikanët dhe evropianët sepse e kanë theksuar fort rëndësinë e stabilitetit sipërfaqësor politik kundrejt nevojave më të rëndësishme të shtetit të ri – sundimi i ligjit dhe rendit, klasa e korruptuar politike dhe çrrënjosja e krimit të organizuar.
Nuk ka asnjë fije dyshimi se ende ka kohë për zgjidhjen e këtyre çështjeve para se të marrë hov anarkia totale në Kosovë. Por, sikurse është shprehur edhe zoti Çollaku javën e kaluar: “BE-ja gjithnjë është vonuar kur vjen puna te Ballkani Perëndimor./ Artikulli origjinal ketu Financial Times/ Dita.al