Nga Luan Kurti
Vrasje, gjak, sirena alarmi. Bota përjeton ankth, panik, mban frymën dhe përlotet. Brukseli është shndërruar në shatrivan gjaku. Më parë Franca, Turqia. Kjo dorë vrastare nuk ndalet! Njeriu po vret njeriun, njerëzit po godasin njerëz të tjerë, të pafajshëm. Hakmarrja nuk njeh moshë, seks, kombësi.
Nginjet me terror, me klithma, me lebeti. Ka plot të vdekur, të lënduar, të gjymtuar, të mbetur jetim. Jetë të ndërprera në mes egërsisht. Në emër të kujt, të çfarë gjëje dhe me ç’qëllim? Zoti e krijoi njeriun sipas imazhit të tij, si një qenie unike që duhet të demonstrojë dashuri, bindje, përkushtim, që s’mund të ngrejë dorën kundër të ngjashmit të tij.
Përpara se të jesh budist, mysliman, i krishterë je njeri. Dhe Zoti është një. Dhe Zoti është dashuri. Profetët janë lajmëtarët e Zotit. Askund dhe askush nuk thotë vrisni për të qenë të përjetësuar, por dashuroni, falni, dhuroni shpresë për të qenë të merituar, me bekim hyjnor! Dhe Jeta na është dhënë ta jetojmë, dhe Toka na është dhënë për të qenë shtëpia jonë e përbashkët, jo varri i një qytetërimi të humbur.
Kjo që ka ndodhur është kataklizmo dhe nuk ka fjalë!