Home KRYESORE U DOGJËN LDK DHE AAK?

U DOGJËN LDK DHE AAK?

Dikush demokracinë pluraliste e konsideron si teatër kukullash. Loja edhe mund të ndez, ngase shoqëritë e bllokuara në portën e transicionit janë afine për gjithçka parapolitike e hiç për sisteme të qëndrueshme politike e serioze.

Nga Jon Leka

Sa më afër zgjedhjeve aq më e tejdukshme bëhet loja. E kualifikojmë si lodër mendjesh të lazdruara foshnjarake mbasi është e sojit e jo strategji e menduar mirë, e atillë që nuk do të dëmtonte vendin kaq sa të katapultojë atë në kriza, dhunë, ecjeprapa dhe aventura vetësabotimi. Konturet e lojës do të bëhen edhe më të dukshme ditëve që vijnë, jo transparente por të tejdukshme. Kjo do të ndodhë për shkak të defektit kapital që bëjnë kabaretistët parapolitikë: lojën e bëjnë pa e llogaritur fare demosin, ekzistencën ende të kryeneçëve brenda shoqërisë dhe matematika do t’iu dështojë veçanërisht se e nënçmojnë potencialin «destruktiv» që do ta kenë ata, me të cilët u tallën kaq kohë.

AAK – Nëse kthejmë filmin prapa do të përballemi me skenat kur loja nisi me infiltrimin dhe diskreditimin e AAK-së. Për një kohë të gjatë partia me shefin në Hagë dhe zëvendësit si satelitë të tjerëve u diplomua si filiale jo e domosdoshme në skenën politike të vendit. Habilitimin si mjeshtre vetëdemontimi e bëri partia kur ndërroi firmën, atëherë kur ajo sërish si filiale e një partie tjetër hapi kramëkrah Portalin e Humnerës eutanazike. Sot: gjithë (keq)përdoruesit, instrumentalizuesit e saj, edhe pse mrrolshëm, tallen me infantilitetin e saj. Ka të bëjë kjo kapje dhe flakje permanente me natyrën e sinqertë, patriotike, naive të kryeprimatit të saj Ramush Haradinaj apo edhe ai është pjesë e kësaj loje në ndarjen e kulaçit pushtetar që ende gatuhet? Edhe ky akt drame do të zhveshet së shpejti! Një gjë është e sigurt: si do që të dalë, kushdo të bëhet kryeministër a president nesër, AAK-së do t’i duhen mrekullira për t’i ikë imazhit të saj të së kapshmes notorike.

LDK – Vetëm ata që analizojnë ekskluzivisht, vetëm gjatë udhëtimit me autobusët e prishtë ose veç atëherë kur kuvendojnë kafeneve nuk e dinin se pas zgjedhjes së Hashim Thaçit president eksponentët e partive të mëdha do të fillojnë zhveshjen në këste për striptizin parapolitik të radhës. Jo rastësisht gazetarë të financuar nga baxhanakë, portalembajtës të korruptuar nëpërmjet posteve për gra, teze, halla ia nisën me kërkimin e çdo lecke apo dosje sado të dyshimtë për të diskredituar liderin e LDK-së Isa Mustafa. Nga mënyra e luftës së tyre edhe kronisti më idiot e kupton se atyre nuk iu intereson personi si i tillë por forca politike që timonon ai. Diskreditimi i partisë po si në rastin e AAK-së është në plan e jo akarizmatiku që më së shumti luftohet brenda partisë se sa nga jashtë. U kap e stërkap edhe partia e dytë më e madhe në favor të lojës së eminencave gri që zgërdhihen duke i përdhunuar marionetat jo duke i lëvizur me penjtë por duke i hallakatur në ajër për t’i bërë pikë e pesë?
Kush janë diskredituesit potencialë te LDK-së? Gjitha hulumtimet çojnë në zyrat e partnerit të saj në koalicion e jo tek opozita apo tek ndonjë shtab tjetër imagjinar. Kjo ngase si paret ashtu edhe lidhjet tjera të përplasin pa dashur në «odat» e personave të veçantë, pluripartiak e me agjendë të përbashkët.

ELIMINIMI I «RUGOVISTËVE» – Çka konkuldojmë këtu? Llogaria na jep këtë rezultat: PDK është rrugës për të eliminuar LDK-në. VV, respektivisht Molliqaj mbrëmë shpalli divorcin e pritur më pjesën tjetër të opozitës. Nëse PDK eliminon LDK-në dhe VV AAK-në (NISMA si duket as konsiderohet e denjë për kalkulime) ç’ kufome të papeshë na sjellin dallgët e Jonit në ranishtën politike kosovare? Ato na sjellin një pushtet PDK – LVV me parti e liderë të djegur të «krahut» tjetër, atij rugovist, pra pa opozitë ose me të përtokë. Rugovistë i quajmë ngase të djegurit vetëm kjo histori i lidhë dhe janë të vetmet që ose kanë pasur pushtet në kurriz të linjës ose ekzistojnë pse janë të tilla. E tjerat janë kundërshtare të historisë dhe ekzistencës së saj – folur pa maska!

SHEFI I LOJËS – Po, sigurisht se tash gjithë duam ta dimë se kush është «maestroja» i gjithë kësaj loje, imorale, fatale për vendin, por e lejueshme në kuadër të demokracisë pluraliste. Ndonjë gjeni? Jo pasi është lojë që nuk do të ndez (për arsye se ne vazhdojmë të jemi optimist në relacion me dinamikën dhe arsyen e masave). Loja nuk është strategji por e ndërtuar me kamuflazhe, shantazhe, ndërskamca. Ai është njëri nga ata që mediat e harrojnë qëllimisht ose e prekin vetëm kur ua lejon – njëri prej atyre që e meriton një psikografi të radhës – në kollumnën tjetër!

Share: