Nga Edison Ypi
A ishte i arsimuar ? Dridhej e përdridhej të dukej i shkolluar, por i shkalluari i pashkolluar s’mori dot asnjë diplomë. Po i edukuar, i kulturuar, i ditur, a ishte ? As minimalisht. Nga frika se mund ta dëshmonin sa i paditur ishte, i vrau një nga një të gjithë ata që ja dinin hilet.
I njohur në botë ? Aspak. Për tu dukur i njohur paguante me gjakun e shqiptarëve ecejaket nga Amerika Latine dhe Azia të ca zhabulanëve, ca minj bodrumesh, ca halabakë të krrupshëm të vjellshëm.
Atdhedashës ? Ishte atdhevrasësi, atdheshkatërruesi, atdhevarrosësi më i madh që ka njohur bota. Burrë shteti ? Burrë kurrë, miu i shtetit e mbushi vendin me spiuna, burgje, bunkera. Administratën me mjelëse, mbjellëse, korrëse, karrociera.
Trim ? Dhjetëra vite fshehur si krimbi nën gur. I Besës ? I vrau të gjithë shokët. Ndërtimtar ? Apartamente si furriqe. Asnjë rrugë. Mender fabrika për tu gjindur kola në punë. Nën diga varrosi më tepër jetë njerëzish se metra kub beton. I ashtuquajturi “elektrifikim” ishte dy llampa 40-vatëshe për shtëpi. Energjinë e digave të vdekjes e shpenzoi më së shumti në hekurishten më të madhe të planetit, në furrat elektrike të kombinatit “çeliku i kurvit”, për funksionimin e të cilit, qymyrin e mori nga Polonia dhe mineralin e hekurit që ndodhet me miliarda ton në Pishkash, e merrte në fund të botës në Brazil. Për me prodhu, çfarë ? Asgjë, një vorrezë.
Bujqësia ishte “çështje të të gjithë popullit”, por populli hante “çështjen”, ndërsa bujqësinë e hanin gjermanët dhe belgët të cilëve bqiri vrasës u shiste me çmime qesharake fruta dhe perime shqiptare që ta kishin barkun plot në prag të shpërthimit të revolucionit proletar botëror.
Arsimdashës ? Ngriti shkolla dhe universitete për të arsimuar budallenj për të cilët Shqipëria është qendra e Universit, teoremën e Pitagorës e ka shpikur i degjeneruari Çajupi, Kanalin e Suezit e ka çarë tradhëtari Kadri Hazbiu.
Naftën e kërkonte me lupë mbi hartë rrethuar nga eksperta të cilët i burgoste ose i vriste të nesërmen.
Për bërjen e Shqipërisë “shteti i parë ateist në botë” kurvi s’dinte asgjë, kurvi s’pati asnjë dijeni. Hedhja në erë e kishave dhe xhamiave dhe pushkatimi i priftërinjve dhe hoxhallarëve u bë me iniciativën e rinisë së Durrësit, asaj që në ’90-ën u kacavjerr nëpër anije dhe iku e gjitha në Itali.
A e donte kurvi Kosovën, kosovarët ? Kosovarët që arratiseshin prej andej dhe vinin këndej, i rrihte si kafshë nëpër biruca, i kalbte nëpër burgje. Kosovën e bëri më të largët se Zelandën e Re. Aq të njohur e bëri Kosovën dhe Maqedoninë perëndimore, sa ka sot shqiptarë të Shqipërisë që të thonë se Struga ndodhet në Kosovë, Podujeva në Maqedoni, Tetova në Serbi.
Gëzohuni o shqiptarë 11 Pridhit, kësaj date kur ngordhi një skizofren delirant, një vampir halucinant. Gëzohu ti i lodhuri, i sëmuri, i internimeve e burgjeve që rrëke lotësh të nxehtë t’i çanë faqet gjatë dhjetra viteve.
Gëzohu ti o fshatar, se një copë tokë e ke. Gëzohu edhe ti malësor, se një shtëpi e ngrite. Falju kësaj date pridhi në këto ditë pranvere edhe ti o i mërdhifuri nostalgjik që gënjeshtra deshe, gënjeshtra kishe, gënjeshtra ke.
Lumnohu edhe ti o komunisti i pandreqshëm. Një parti kishe, tani ke disa. Ta shpallim 11 Pridhin festë kombëtare ?S’është nevoja. E keni në zemrat tuaja.